Meshë e parë hyjnore në gjuhën shqipe në Selanik, pjesëmarrës edhe ITSHKSH nga Shkupi

Selanik, 2 prill, 2023 – Të dielen në Selanik, në kishën e Shenjtorëve Kostandini dhe Elena, u mbajt  mesha e parë në gjuhën shqipe në Greqi, 115 vjet pas meshës së parë në gjuhën shqipe për ortodoksët shqiptarë nga At Fan Noli  në Boston të Shteteve të Bashkuara.

Kjo meshë u udhëhoq nga prifti At Artem Cici, kurse e pranishme ishte edhe shkëlqesia e saj zonj. Luela Hajdaraga , ambasadore e Shqipërisë në Greqi.

 Për të nderuar këtë ngjarje mjaft të rëndësishme shpirtërore e kulturore, në Selanik kishte  shkuar edhe Prof.dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH, i cili konsideron se faktorizimi i elementit shqiptar në Greqi po ndodhë sipas të drejtave që legjislacioni europian i njeh. Ai e sheh me shumë rëndësi që edhe komuniteti shqiptar në Selanik dhe me gjerë, krahas aktiviteteve të përditshme, të kenë edhe organizimin e tyre fetar në gjuhën amtare, një komponentë kjo civilizuese që do të ndikojë edhe më tepër në rritjen e besimit dhe mirëkuptimit në mes të njerëzve me besime e etni të ndryshme .

Mbajtja e meshës së parë në gjuhën shqipe në Selanik është bërë e ditur nga komuniteti shqiptar i këtij qyteti Helen si një kërkesë e miratuar nga autoritetet përkatëse të Kishës ortodokse në Greqi.

Dr. Luan Zyka, kryetar i Komunitetit Shqiptar të Selanikut është njeriu më meritor për organizimin e kësaj meshe dhe kontributi i tij ndërlidhet me objektivat e këtij komunuteti që edhe jeta fetare në Selanik të ketë aromë shqiptare.

(e.a.)