Për ju Avokati Kieran Both
Pyetje nga lexuesi
Bashkëshorti im erdhi në Shtetet e Bashkuara 12 vjet më parë pa vizë. Nuk ka paraqitur deri më sot asnjë kërkesë për emigrim. Unë jam nënshtetase amerikane. Jemi martuar 8 vjet më parë, por nuk i kam paraqitur kërkesë emigracionit për të, sepse më thanë se që të merrte green card, do t’i duhej më parë të largohej nga SHBA. Javën e kaluar, ai dhe disa persona me të cilët punon, u arrestuan nga zyrtarët e emigracioni. Im shoq nuk është kriminel, por tani është në procedurë deportimi. Kemi gjithashtu dy fëmijë që kanë lindur në SHBA. Unë nuk jam në gjendje të siguroj jetesën pa të, sepse nuk mund të punoj dhe njëkohësisht të kujdesem për fëmijët tanë të vegjël. Jemi njerëz të mirë dhe që ia paguajmë taksat shtetit. Kam frikë se do të ma dëbojnë burrin. A ka ndonjë gjë që mund të bëhet për ta shpëtuar?
Anonim
Sterling Heights, MI
Kohët e fundit, nuk ka javë që të mos dëgjojmë që janë kapur dhe arrestuar në vendin ku punojnë ose thjesht në shtëpi, emigrantë që nuk kanë dokumenta. Disa nga këta persona jetojnë prej kohësh në SHBA, kanë shtëpinë e tyre si dhe kanë krijuar familje. Por pavarësisht nga kjo, Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (DHS) synon t’i deportojë. Lexuesit tanë na kanë kontaktuar shpesh lidhur me atë që quhet “10 year case” (rasti i 10-vjeçarit). Shumë njerëz kanë pyetur nëse mund të aplikojnë për të marrë ndonjë status emigrimi edhe pse nuk kanë hyrë në mënyrë të ligjshme në SHBA ose kanë humbur statusin pasi kanë qëndruar përtej periudhës kohore që u lejonte viza. Këto janë çështje shumë të ndërlikuara dhe shumë prej këtyre individëve mund të bëhen subjekte ndalimi dhe dëbimi (deportimi). Një nga aplikimet për të qëndruar në SHBA quhet Cancellation of Removal (Anulim Dëbimi), i njohur ndryshe dhe si “rasti i 10-vjeçarit”.
Kur një emigrant pa dokumente arrestohet nga ICE (agjencia federale amerikane që merret me zbatimin e ligjeve të emigracionit dhe kontrollin e doganave), atij i jepet zakonisht njoftimi për të dalë në gjyq “Notice to Appear” (NTA) dhe i thuhet se kur duhet të paraqitet në gjykatë. Ka shumë gjykata emigracioni nëpër SHBA dhe disa nga qendrat e paraburgimit kanë një gjykatë emigracioni në ndërtesën ku ndodhen. Disa qendra të tjera arrijnë t’i organizojnë seancat dëgjimore përmes një telefonate video-konferencë ku gjykatësi shfaqet në monitor. Kur i paraburgosuri të paraqitet para gjykatësit, atij do t’i jepet mundësia të paraqesë një kërkesë për të shmangur dëbimin dhe për të qëndruar në SHBA. Më pas gjykatësi do të caktojë një datë për seancën dëgjimore të radhës ku do të gjykohet nëse kërkesa e paraqitur ka ose jo baza. Në rrethana të caktuara, të paraburgosurit i jepet mundësia që të të lirohet sa kohë që çështja është në pritje për t’u shqyrtuar, por pasi të ketë paguar një shumë të caktuar nga gjykatësi, e cila shërben si garanci.
Kriteret për kualifikim
Një emigrant pa dokumente mund të kualifikohet për Cancellation of Removal nëse ka qenë e/i pranishëm, në mënyrë të pandërprerë, në Shtetet e Bashkuara për 10 ose më shumë vjet. Aplikanti duhet të provojë gjithashtu se është një njeri me karakter të mirë moral dhe se në të kaluarën nuk është dënuar për krime të caktuara. Së fundi, aplikanti duhet të provojë se dëbimi i tij nga SHBA-ja do t’i shkaktonte vështirësi jashtëzakonisht të mëdha të afërmit/ve të tij/saj. I afërmi i aplikantit duhet të jetë nënshtetas i SHBA-së ose rezident i përhershëm i ligjshëm (të ketë green card) dhe të jetë bashkëshort/e, prind apo fëmijë i aplikantit. Ky lloj i afërmi quhet “qualifying relative” (i afërmi që kualifikohet pra që përmbush kriteret kualifikuese për rastin në fjalë).
Prania fizike 10-vjeçare
Një aplikant duhet të provojë se ka qenë fizikisht i pranishëm në SHBA, pa ndërprerë, për një periudhë prej të paktën 10 vjetësh. Në momentin që aplikantit i jepet NTA-ja për t’u paraqitur për proces deportimi, “ndërpritet” prania e pandërprerë fizike në SHBA. Prania fizike e pandërprerë përfundon gjithashtu edhe kur aplikanti nuk është i pranishëm fizikisht në SHBA për më shumë se nëntëdhjetë ditë (për një udhëtim të vetëm çfarëdo) ose për 180 ditë në total. Mosprania fizike në SHBA thjesht ndërpret periudhën totale 10-vjeçare (pra numërimi nis nga e para), kurse dhënia e një NTA-ja ose kryerja e një vepre penale të caktuar i jep fund periudhës 10-vjeçare.
Karakteri i mirë moral
Dikush që aplikon për cancellation of removal duhet të dëshmojë se ka qenë një person me karakter të mirë moral gjatë të 10 vjetëve. 10 vitet e nevojshme për një karakter të mirë moral llogariten mbrapsht pra duke filluar nga data në të cilën gjykatësi i emigracionit ose Bordi i Apelit të Emigracionit (BIA) merr vendim lidhur me aplikimin. Kështu pra, gjendja e karakterit të mirë moral të aplikantit nuk lidhet me datën e lëshimit të një NTA-je, si në rastin e llogaritjes së qëndrimit 10-vjeçar.
Edhe nëse aplikanti nuk ka kryer krim që përfshihet në kategorinë e “moral turpitude”, ai mund të gjykohet lidhur me shkelje të tjera që e dëmtojnë “karakterin e mirë moral”, si p.sh. të qenit pijanec, futja kontrabandë e të huajve. Vendimi përfundimtar mund të bëhet duke u bazuar në tërësinë e rrethanave. Shembuj të tjerë të faktorëve që përbëjnë shkelje janë mospagimi i detyrimeve financiare për të mbajtur fëmijët, mospagimi i taksave mbi të ardhurat, shkeljet e mëparshme të ligjeve të imigracionit si dhe përfitimi nga ndihmat publike përmes mashtrimit. Në rast se aplikantit i dalin probleme lidhur me aftësinë për të provuar se ka karakter të mirë moral, ai ose ajo mund të ndërmarrë hapa për të përmirësuar treguesit e karakterit të mirë moral gjatë gjithë periudhës që çështja e tij ose e saj është ende pezull. Gjasat janë që aplikanti të ketë në dispozicion muaj, madje dhe vite, për të përmirësuar disa nga faktorët që influencojnë “karakterin e mirë moral”. Shumë gjykatës emigracioni kërkojnë dokumenta të sakta tatimesh mbi të ardhurat dhe nuk e aprovojnë aplikimin pa u paguar të gjitha taksat që aplikanti i detyrohet shtetit dhe/apo qeverisë për periudhën që ka qenë në marrëdhënie pune. Në momentin që aplikanti merr dokumentin e lejes për të punuar ai ose ajo pajiset dhe me një numër të vlefshëm të sigurimeve shoqërore (SSN) dhe mund të paguajë dhe taksat e viteve të kaluara ose të ndreqë ato që ka paguar më parë në mënyrë që ato të reflektojnë një numër të vlefshëm SSN, një gjendje të saktë civile etj. Diçka e tillë jo vetëm që mund t’i ndihmojë të rrisin gjasat për të përmbushur kriterin e karakterit të mirë moral, por ata mund të marrin dhe para nëse kanë paguar më shumë taksa se sa duhet. është mirë të rishihen dokumentat e taksave për të kapur ndonjë pretendim mashtrues si në rastet kur kërkohen para mbrapsht duke paraqitur shpenzime që lidhen me mbajtjen e fëmijëve (Child Tax Credit). Personat që ndihmojne në përgatitjen e taksave u thonë nganjëherë të huajve që të kërkojnë reduktime duke mashtruar që kanë fëmijë nën varësi. Shpesh të huajt nuk e kuptojnë që në fakt nuk u takojnë reduktime të tilla.
Vështirësi jashtëzakonisht të mëdha
Standardi për të provuar “vështirësitë” është shumë i lartë, por edhe fleksibël dhe nuk ka rregulla specifike që mund t’ju sugjerojmë. Ligji i imigracionit rendit 14 faktorë që mund të merren parasysh kur vjen puna për të vendosur nëse ka vështirësi ekstreme. Mosha e aplikantit, moshat e të afërmve të aplikantit, aftësia e të afërmve për të folur gjuhën amtare të aplikantit dhe aftësia e të afërmit për t’u përshtatur me jetën në vendin nga vjen aplikanti, shëndeti i aplikantit dhe i të afërmve të tij/saj dhe nevoja për trajtim mjekësor, aftësia e aplikantit për të gjetur punë në vendin e tij, kohëzgjatja e qëndrimit të aplikantit në SHBA, nëse ka anëtarë të tjerë të familjes në SHBA, pasojat financiare tek të afërmit e aplikantit nëse ai/ajo deportohet, pasojat në arsimimin e fëmijëve të aplikantit nëse ai/ajo deportohet, pasojat psikologjike që mund të sjellë dëbimi i aplikantit, në familjen e tij, kushtet politike dhe ekonomike në vendin ku do të deportohet aplikanti, lidhjet familjare me atë vend, lidhjet me komunitetin që aplikanti ka në SHBA dhe integrimin në shoqëri, historia e emigracionit të aplikantit dhe familjes së tij, dhe nëse aplikanti ka apo jo mjete të tjera për të marrë statusin e imigracionit në SHBA.
Vërtetimi i vështirësive financiare në vetvete nuk mjafton për anulimin e dëbimit. Është shumë e rëndësishme që një aplikant të parashtrojë sa më shumë lloje vështirësish që mund të kenë të afërmit e tij/saj nëse ai/ajo dëbohet. Deklaratat nga familja, klerikët, drejtuesit e komunitetit, forcat e rendit dhe nga njerëz të tjerë që e njohin aplikantin dhe familjen e tij bëhen shumë të rëndësishme. Raportet nga psikologu që përshkruajnë vështirësitë e mundshme që mund të kenë të afërmit e aplikantit mund të jenë gjithashtu shumë të dobishme. Sa më shumë prova të paraqesë një aplikant me aplikimin e tij, aq më shumë gjasa ka që aplikimi të aprovohet.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme për këdo që gjendet në një situatë të tillë të konsultohet me një avokat emigracioni me përvojë. Është gjithashtu e rëndësishme që avokati dhe klienti të kenë një raport të hapur dhe të drejtpërdrejtë si dhe aplikanti duhet të mos ketë problem që të shprehet lirshëm lidhur me faktet dhe ngjarjet që kanë të bëjnë me jetën e tij.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]