Nga Visar Zhiti
– Tani dua të shoh dhe Dukën, – i thashë të zotit të kullës, – ta marrim me vete në shëtitjen tonë.
– Mirë, – më tha. – Këtej ende nderohet fjala e mikut.
Qeni Duka u gëzua shumë, besoj se e kishte me mua, më shihte pas kaq kohesh, por dhe e kuptoi që do të dilte pas pak me ne, pra u gëzohej të dyjave.
Morëm të përpjetën e rrugës, s’përmbahej, duhej ta tërhiqje rripin fort, ndryshe do të vrapoje pas tij. M’u duk se ai u lodh i pari dhe ndalëm diku. Nisa ta ledhatoj dhe donte ledhatime. I mora kryet kaf ndër duar dhe e pashë në sytë e errët si pllangat e zeza, aq të ngrohta që kishte mbi kurriz. Këmbët e bardha sikur të kishte çizme të bardha. I shikoja gjuhën aq të gjatë dhe i thashë mikut në e kishte nga lodhja. Ai vetëm qeshi. Mbase do që t’i flasësh, më tha, si dikur.
Eh, more Duka, ka plot që e kanë gjuhën më të gjatë se ty e nuk thonë asgjë, gjithë jetën. Dhe mua do më pëlqente shumë të kisha një qen timin si ty, por kam merakun a do e mbaj dot mirë, ashtu siç i takon një qeni, siç të mban miku im, që të mos mërzitet apo të vuajë në apartament, jo që të plotësoj egoizmin tim, tekat e mia apo snobizmin, por një qen që ta kuptoj sa më kupton, se e di që je proverbalisht i besës. Habitem, Duka, se si mbajnë qen disa që nuk dinë të sillen me njerëzit. Si mund të të kenë ty shok, kur nuk duan shokët? Çudi për t’u çuditur, more Duka. Kam shkruar një tregim, kur isha student, për një qen artist, që luan dhe në filma, por qentë e kasapanës, ca zorraxhinj dhe pasionantë plendësash, duan ta shqyejnë me dhëmbë, e kanë zili, se ai tashmë ishte aktor i njohur filmash, besomë, nuk e kisha fjalën për ata të Realizmit Socialist.
Ka qenë një kohë, vërtet, mor Duka, që edhe ju e kishit të vështirë, mbeteshit rrugëve, pa strehë, pa ushqim. Po t’ju mbanin ata që do të donin, kjo shihej si dukuri borgjezo-revizioniste, vetëm qentë e policisë dhe të kufirit ishin të privilegjuar dhe njerëzit e tyre, që i zgjidhte komandanti…
Duka, prapë do të tregoj diçka, kur isha student në Shkodër, ishte e rëndë, mizore, por ti mos u trëmb, dhe ti je nga Shkodra. Bëhej një konferencë e madhe partie a kongres, jo si tani, një parti kishte atëhere, ajo që sundonte. Ishin shtuar policët dhe spiunët rrugëve, thuhej se do të vinte vetë enver hoxha. Ne, studentët, nuk flinim dot në konviktet tona se dëgjoheshin krisma armësh gjithë natën, bam-bam, ba-ba-bam, vrisnin qentë në qytet dhe dëgjoheshin angullimat e tyre, sa më dukej se ngjetheshin dhe yjet.
Mos u tremb, Duka im, ajo kohë duket se iku, ndodhën ndryshimet e mëdha, por jo tek njerëzit. S’pësuan asgjë jo vetëm ata që vrisnin qentë, por as ata që vrisnin ëndërrat e njerëzve dhe njerëz. Duka, mos leh, nëse shikon tani nga ata ose nga bijtë e bijat e tyre që rrinë me qen, që u duket sikur ju duan, ata nëpërmjet jush duan të ledhatojnë mëkatet e tyre, zilitë, poshtërsitë që kanë kryer, t’i zbusin brenda vetes, por ç’të lehur që bëjnë po t’i cënosh pak, mjafton t’u tregosh se ç’kanë qenë dhe nxjerrin dhëmbët, çfarë dhëmbësh, s’janë asgjë këto të tuat! Po gjuha? Më e madhe se faqja e gazetave, lehja e tyre vijon dhe në faqen tjetër, në gazetën tjetër, në vend tjetër, në fb, aq sa na duket se na dërrmohet celulari ndër duar nga “friends”-at, që kafshojnë. Ngelëm gjithë ditën me celuar, me duar që s’dinë të ledhatojnë. Se ledhatimi vjen nga brenda, nga zemra, pastaj arrin të bëhet dhe fjalë e mirë. Duka, mos qesh se do të them titullin e një artikullit tim atëhere, se kur i shihja ata, mizorët, socrealistët dementë, që kishin filluar të mbanin qen, shkruajta: dhe qentë po rrinë me shqiptarë… Pastaj e ndryshova, me njeriun e ri, që krijoi Partia e tyre, po ç’të rinj, more Duka, shekullorë sa revolucioni i tyre harbut. Aq sa më vjen t’u lehim bashkë… si ata. Të bëjnë si vetja, Duka.
Duka, mos u dëshpëro, ndjesë ty, që fola kështu, ka plot e plot që ju duan vërtet, ndajnë bukën me ju, më vjen keq që s’jam ende njëri nga ata, ja, si miku im.
Po le të ndajmë bashkë këtë shëtitje…
Më pas e zgjidhëm Dukën nga rripi që i shtrëngonte trupin e brishtë e të bukur, filloi të rendëte, kthente kryet dhe na priste, vazhdonte të na printe, male përreth me fillimet e blerimeve pranverore, që m’u dukën shumë më të mëdhenj, nga që isha përqendruar tek një qenie aq e vogël dhe e dhimbëshme, qeni Duka. Qielli me një kaltërsi mahnitëse sikur binte dhe bëhej copa-copa blu në liqenet, që dikur kishin qenë lugina. Ndjehej braktisja… Teksa ne ngjiteshim në kambanore, Duka u kthye dhe na priti te ana e çatisë së katit të dytë. Qeni është vërtet më i zgjuar se ç’besojmë, ai e ndjen se cilat lartësi janë për atë e cilat jo. Dhe ne, zotërit e tyre, duhet të mësojmë nga qentë tanë. Të kuptojmë ku na merrem mendë.
Kthimin e bëmë me makinë. Duka çuditërisht e gjeti vendin, ku i takonte dhe kërkoi t’i hapnim dritaren.
E fotografova në pasqyrën e veturës. M’u duk më i lumtur.
– Ato që i the, – më tha miku im, – nuk i kuptoi, por i ndjeu, por më mirë se ata që kujtojnë se kuptojnë, por s’ndjejnë.