Përfundon deklarata hyrëse e Prokurorisë lidhur me aktakuzën ndaj ish krerëve të UÇK-së

Hagë, 3 prill 2023 – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pas pauzës së drekës, vazhdoi seanca gjyqësore kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Në pjesën e dytë të seancës prokurorët Ward Ferdinandusse, Alan Tieger dhe James Pace vazhduan leximin e deklaratës hyrës të prokurorisë lidhur me aktakuzën ndaj katër akuzuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokurori Pace, ndër të tjera, foli për rastin e ndalimit të tre personave në një qendër ndalimi në Prizren dhe për zhdukjen e dy “kundërshtarëve” të UÇK-së nga një qendër e ndalimit në Drenoc të Malishevës.

“Pa dyshim do të vëmë re një praktikë që do të dalë nga provat që do të paraqiten këtu, do të shikoni se si të ndaluarit në këto qendra të ndalimit, gjatë gjithë kohës, janë marrë në pyetje. Marrja në pyetje tregon përse ishin shënjestruar ata që dyshihej se bashkëpunonin me forcat serbe apo se ishin të lidhur me to”, tha ai.

Pace lexoi pjesë të deklaratës për qendrat e paraburgimit në Likoc të Skenderajt, në Llapushnik të Drenasit dhe në Jabllanicë të Gjakovës. Ai tha se të ndaluarit në këto qendra janë akuzuar si “tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë” ose si “kundërshtarë të UÇK-së”.

Sipas Prokurorisë, Thaçi dhe Sabit Geci i kanë cilësuar personat e ndaluar në Jabllanicë si “rugovistë” dhe u kanë kërkuar që të hiqnin dorë nga LDK-ja dhe nga Ibrahim Rugova.

ZPS: Të ndaluarit në qendrat e ndalimit trajtoheshin në mënyrë çnjerëzore

Prokurori Pace tha se të ndaluarit në mënyrë të paligjshme janë mbajtur në kushte shumë të rënda dhe janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore.

“Kushtet e ndalimit në disa vende të ndalimit ishin aq të rënda sa që disa persona të caktuar të mbajtur aty mendonin që më mirë të kishin vdekur sesa të mbaheshin ashtu”, tha ai.

Pace tha gjithashtu se të ndaluarit në shumë qendra të ndalimit në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë janë rrahur me shufra hekuri, me shkop bejsbolli dhe me mjete tjera të forta. Ai tregoi se në qendrën e ndalimit në Llapushnik disa të ndaluarve u janë shkulur thonjtë me darë.

Ai tha se disa të ndaluar janë mbajtur të lidhur me zinxhirë dhe kanë fjetur në të njëjtin vend ku i kanë kryer nevojat fiziologjike.

Sipas tij, në njërën prej qendrave të ndalimit “disa të ndaluar janë detyruar të hapin vetë varrin e vet”, ndërsa e në disa vende tjera kanë parë si si rriheshin të tjerët teksa merreshin në pyetje.

“ZPS-ja do të paraqesë prova të krimeve që ishin të përhapura dhe sistematike”

Në përmbyllje të deklaratës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, prokurorja Clare Lawson, tha se asnjë gjykate nuk i është kërkuar më parë të shqyrtojë rolin dhe përgjegjësinë për personat kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, siç i është kërkuar Gjykatës Speciale.

Ajo tha se gjatë gjykimit do të dëgjohen rrëfimet e disa prej viktimave të krimeve për të cilat akuzohen ish-krerët e UÇK-së.

“ZPS-ja do të paraqesë prova të krimeve që ishin të përhapura dhe sistematike në mbi 40 qendra ndalimi të UÇK-së”, tha Lawson.

“ZPS-ja ka marrë një mori provash, përfshirë edhe disa qindra faqe të sekuestruara nga shtëpitë e të akuzuarve. Qëllimi i përbashkët dëshmohet mjaftueshëm përmes këtyre dokumenteve”, shtoi ajo.

Prokurorja Lawson tha se qëllimi i përbashkët i të akuzuarve ka qenë shënjestrimi i atyre që i konsideronin “kolaboracionistë” dhe kundërshtarë të tyre, sikurse ishin anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lawson tha se disa prej të akuzuarve e kanë pranuar vetë se ky ka qenë qëllimi i tyre, ndërsa theksoi se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ishin “dirigjuesit” e krimeve.

“[Në gjykim] nuk do të dëgjoni se të akuzuarit kanë ndërmarrë veprime për të parandaluar krimet, sepse krimet kanë qenë të synuara nga të akuzuarit dhe janë vënë në jetë nga ata vetë”, tha ajo.

Mbrojtësi i viktimave: Për viktimat, nisja e gjykimit ishte e paimagjinueshme

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se për shumicën e viktimave, nisja e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte diçka “e paimagjinueshme”.

“Ata [të akuzuarit] ishin persona të fortë. Kur ata i kanë kryer këto krime me siguri nuk e kanë imagjinuar që do të vinte një ditë si kjo e sotmja”, tha ai.

Laws tha se “viktimat kanë të njëjtin qëndrim për dëmet që kanë pësuar” pavarësisht dallimeve midis tyre.

“Ata kanë një gjë të përbashkët. Ata ishin viktima të krimeve që nuk kishin pikë justifikimi. Për secilin prej tyre, një ditë ndryshoi jetët e tyre përgjithmonë”, theksoi ai.

“Pikëllimi, dhimbja, humbja dhe padrejtësia nuk njohin dallime”, shtoi ai.

Laws tha se procesi gjyqësor duhet të përqendrohet në zbulimin e të vërtetës.

“Ata [viktimat] kanë të drejtën që të zbulohet e vërteta, të dëgjohen dëshmitë dhe të pranohen vuajtjet dhe përvojat që kanë kaluar”, tha ai.

Sipas tij, ndaj viktimave shqiptare është bë trusni që “të ndiheshin të  turpëruar dhe të bëheshin të mos flisnin”, por kjo nuk ka funksionuar, derisa  viktimat serbe nuk kanë qenë subjekt i të njëjtës trysni.

“Çmimi që u desh të paguanin ata ishte jeta në mërgim”, tha Laws.

Mbrojtësi i viktimave kërkoi që gjykimi të përqendrohet në pranimin “e dëmit” që u është shkaktuar viktimave.

Me deklaratën e mbrojtësit të viktimave, përfundoi seanca e parë e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të martën, më 4 prill, do të nisin deklaratat e tyre hapëse ekipet e mbrojtësve të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

(r.m.)