BBC: Kënga e Shqipërisë në Eurovision, “një baladë dramatike, mjaft e vështirë”

Numërimi mbrapsht ka filluar. Java e Eurovizionit të hapet më 9 maj në Liverpool. Të 37 këngët konkurruese tashmë janë dorëzuar. tekstet e tyre trajtojnë gjithçka, që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia e deri te pushtimi demonik.
BBC ka bërë një renditje subjektive të të gjitha këngëve pjesëmarrëse, përfshirë edhe atë Shqipërisë, për të cilën nuk parashikon ndonjë sukses të madh.
“Në një tipar sinkroniteti tipografik, Albina është përfaqësuesja e Shqipërisë për vitin 2023. Një ish-nënkampione e ‘The Voice’, ajo interpreton ‘Duje’, një baladë dramatike për familjet që ndahen dhe për ndikimin që ka te fëmijët. Performanca përfundon me Albinën që ulet në gjunjë e përlotur”, shkruan BBC.
“Vargjet e pasionuara të Albinës ndërtohen në një kor tërheqës, duke shfaqur në sfond vokale të familjes së saj, por, në përgjithësi, kënga është mjaft e vështirë”, shkruan medie britanike.
BBC parashikon që kënga që e përfaqëson Shqipërinë të renditet “në gjysmën e poshtme të tabelës së vendeve kryesore”.
BBC e konsideron fituese të mundshme këngën që e përfaqëson Francën, kurse këngët e Suedisë dhe Spanjës parashikon të renditen ndër tri më të mirat.
(r.m.)