Prishtinë, 29 mars 2021 – Qeveria e re e Kosovës ka kërkuar që Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) të pezullojë çdo vendimmarrje që ka të bëjë me privatizimin dhe tjetërsimin e ndërmarrjeve shoqërore.
Kjo kërkesë iu bë bordit të kësaj agjencie më 25 mars, pikërisht në ditën që po mbahej mbledhja e bordit të AKP-së, në të cilën ishte parashikuar të merreshin disa vendime lidhur me asetet që administrohen nga kjo agjenci si: shitje me negocim, propozim për qiradhënie, transferim të kontratës së qirasë, shitje të pronave përmes tenderëve publikë të aseteve të ndërmarrjeve publike, memorandume të ndërmarrjeve të shitura me spin-off special, etj.
“Bordi i drejtorëve ka diskutuar kërkesën e qeverisë dhe konform kërkesës ka ndërprerë mbledhjen në orën 13:30, duke pezulluar po ashtu procesin e vendimmarrjes për pikat e pashqyrtuara sipas agjendës së propozuar”, thuhet në përgjigjen që ka dhënë për Radion Evropa e Lirë nga zyra për informim e AKP-së.
Përparim Kryeziu, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se është e rëndësishme që tani të mos bëhen “veprime të ngutshme dhe në shpërputhje me planin dhe qëllimet e ekzekutivit të ri”, të udhëhequr nga Albin Kurti.
“Qeveria Kurti është në javën e parë të detyrës së saj dhe tanimë jemi në proces të hartimit final të programit qeverisës. Aty edhe përfundimisht do të adresohet veprimtaria, kompetencat dhe funksioni i AKP-së”, ka thënë Kryeziu, për Radion Evropa e Lirë.
Gjatë fushatës zgjedhore, Kurti ka thënë se synon të shuajë AKP-në dhe se asetet që administrohen nga AKP-ja të kalojnë në pronësi të Fondit Sovran që pritet të krijohet nga qeveria e Kosovës.