Ulqinit, i cili është një nga destinacionet kryesore turistike në Ballkan, do t’i shtohet së shpejti edhe një hotel super-luksoz. Në vend të hotelit “Jadran”, në siujdhesën shkëmbore, pranë Plazhit të Vogël të qytetit, përballë Kalasë, do të ndërtohet një hotel i ri super luksoz.
Hoteli i ri, i cili do të ndërtohet në një vend me pamje të magjishme të detit dhe të qytetit të lashtë të Ulqinit, do të jetë një nga hotelet më luksoze në bregdetin malazez.
Kompania nga Kosova “Royal Company” do të investojë mbi 40 milionë euro për ndërtimin e hotelit të ri.
Për realizimin e këtij projekti, të premten e kaluar, në Podgoricë, u nënshkrua Aneksi i IV i kontratës, i cili i mundësoninvestitorit të fillojë punimet përgatitore.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit tha se shteti që ai drejton është i hapur për investime.
“Jemi shumë të gëzuar që edhe rajoni e ka vullnetin që e ka Qeveria e Malit të Zi për t’u integruar përmes investimeve të ndryshme. Shpresoj që ndërtimi i këtij hoteli do të jetë një vlerë e shruar për qytetin”, u shpreh ai.
Pronari i kompanisë “Royal Company”, Arbër Kryeziu, tha se hoteli i ri do të jetë pjesë e njërit nga brendet më ekskluzive në botë.
“Nënshkruam Aneksin 4 të kontratës për t’i hapur rrugë investimeve në turizëm në Detin Adriatik, në Ulqin, në vendin e ish-hotelit ‘Jadran’. Investimi do të jetë së paku 40 milionë euro dhe do të jetë një nga brendet më ekskluzive në botë. Falënderoj kryeministrin dhe gjithë qeverinë e Malit të Zi për besimin”, deklaroi Kryeziu.
Kryetari i komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, tha se ndërtimi i hotelit të ri në vend të hotelit “Jadran“ do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të komunës.
“Kjo është ditë historike për Ulqinin. Me ketë investim do të kemi një kthesë historike në zhvillimin e komunës tonë”, tha Bajraktari.
Projekti pritet të finalizohet brenda tri ose katër vjetësh.
(r.m.)