Banka e Shqipërisë e mbylli vitin e kaluar me 278 milionë euro humbje

Tiranë, 14 prill 2023 – Banka e Shqipërisë e mbylli vitin 2022 me humbje rekord prej 31.2 miliardë lekësh, përkundrejt humbjeve prej 1.9 miliardë lekësh të regjistruara në vitin 2021. Humbjet erdhën si pasojë e rritjes së shpejtë të interesave në tregun vendës dhe atë ndërkombëtar, gjë që ul vlerën aktuale të titujve të borxhit të mbajtura nga ky institucion financiar, si dhe nga ndryshimet në kursin e këmbimit, konkretisht, forcimit të konsiderueshëm të lekut përkundrejt euros dhe dollarit, monedhat në të cilat mbahet një pjesë e aseteve të bankës qendrore të vendit.

Bankat qendrore në të gjithë botën kanë pësuar një ecuri të ngjashme gjatë vitit të kaluar duke u prekur nga të njëjtat fenomene. Banka Qendrore Evropiane mbylli vitin e kaluar me 1.6 miliardë euro humbje dhe bankat e tjera qendrore të vendeve anëtare kanë të njëjtën ecuri. Banka Qendrore e Zvicrës humbi 143 miliardë lekë, njoftoi NCBC.

Humbjet e bankës qendrore nuk janë domethënëse për ekonominë e gjerë pasi qëllimi i ekzistencës së këtyre bankave është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe jo nxjerrja e fitimeve. Në situata të zakonshme, bankat qendrore nxjerrin fitime, të cilat i transferojnë te buxheti i qeverisë në formën e dividentit. Gjithsesi, fakti që humbjet janë kaq të mëdha, do të thotë se dividentë të tillë në financat publike ka gjasa nuk do të derdhen për ca vite.

Humbjet nga titujt

Banka e Shqipërisë ka një total asetesh prej 732 miliardë lekësh nga të cilat, 485 miliardë janë të investuara në tituj borxhi, përfshirë borxhe të qeverisë shqiptare. Ndërsa interesat e titujve të borxhit u rritën me shpejtësi vitin e kaluar, vlera aktuale e titujve të borxhit të mbajtura nga BSH nga blerjet e viteve të mëparshme, ra. Kjo bëri që vlera e instrumenteve të borxhit të mbajtura nga BSH të ulej me 13.5 miliardë lekë, një tendencë që vijon që nga viti i kaluar. Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë humbi nga tregtimi i titujve të borxhit 4.2 miliardë lekë.

Por humbjet më të mëdha u shënuan nga ndryshimet në kursin e këmbimit. Një pjesë e aseteve të bankës qendrore mbahen në monedha të ndryshme nga leku, apo janë në formën e arit monetar. Forcimi i lekut kundrejt monedhave të huaja bën që vlera e aseteve të mbajtura në monedha të huaja të bjerë.

Bilanci i Bankës së Shqipërisë shënon humbje nga kursi i këmbimit në masën 14.5 miliardë lekë.

Si pasojë e humbjeve, rezervat dhe kapitali i Bankës së Shqipërisë ranë nga 30 miliardë lekë në vitin 2021, në pak më shumë se 5 miliardë lekë në vitin 2022.

Situata mund të ndryshojë financiarisht këtë vit në rast se interesat e titujve të borxhit të mbajtura nga BSH ulen dhe rrjedhimisht, vlera aktuale e këtyre titujve rritet. Gjithashtu, rritja e përgjithshme e interesave pas një dekade me interesa shumë të ulëta pritet normalisht të sjellë rritje të të ardhurave të bankës qendrore. Për shembull, gjatë vitit 2022, të ardhurat neto nga interesi u rritën me mbi tre herë, nga 1.2 miliardë lekë në 3.6 miliardë. Gjithsesi, këto të ardhura ishin asgjë në krahasim me humbjet e pësuara nga tregtimi i aktiveve financiare apo nga kursi i këmbimit.

(Reporter.al)