Dr. Tomor Çela
Dr. Hivzi Islami
Dr. Qerim Kastrati
Nga fillimi i vitit 2015 e deri më 21 mars 2018, kur u miratua Marrëveshja ndërkombëtare për demarkacioin me Malin e Zi (me 80 vota), pa e hequr asnjë presje, u zhvillua një diskurs shterp, pa asnjë argument, në luftë për pushtet të disa grupacioneve politike të opozitës. Këtë agjendë e ndihmuan edhe disa deputetë të pozitës së mëparshme. Opozita e atëhershme (AAK, LVV, NISMA) nuk e kishte shumicën për ta penguar miratimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, por fallanga e LDK-së me afër gjysmën nga 30 deputetë gjithsej dhe 2 nga gjithsej 37 deputetë të PDK-së si pozitë përfundimisht e blokuan Marrëveshjen dhe Kosova mbeti e izoluar për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj në hapësirën e BE-së. Kjo fallangë, me V. Osmanin në krye, edhe atëherë ndiqte një rrugë krejtësisht irracionale, në kundërshtim të plotë me qëndrimet e subjektit që i përkiste, të kryetarit të tij, që ishte njëherit edhe kryetar i Qeverisë, por edhe të faktorit ndërkombëtar euroatlantik dhe interesit të Kosovës. Votat e kësaj fallange të LDK-së ishin vendimtare për dështimin e Marrëveshjes, për rrëzimin e Qeverisë Mustafa dhe rrjedhimisht për mosliberalizimin e vizave!
Jetën politike dhe parlamentare opozita e atëhershme, me Kurtin në krye, e shndërroi në një cirk dhe arenë gladiatorësh, ndërsa opinionin shqiptar e ndau në “patriotë” dhe “tradhtarë“ (!), duke i keqpërdorur edhe emocionet e njerëzve, ngase territori është edhe çështje emocionale. Komponenti i posesizmit moral (i kemi varrezat andej kufirit, kemi bërë luftëra për kufij, krejt andej janë shqiptarë!) nuk zgjidhte asgjë, përveç që ndezte emocionet e njerëzve! Opozita ushtroi dhunë të pashembullt kundër institucioneve të vendit, duke i përdorur vezët, gazin lotsjellës, sprejin, zjarrin, gurët, tullat, shishet e ujit, shishet e molotovit, etj. Kundër institucioneve të shtetit mbetën pa u hedhur vetëm ”Napalm-bombat”! Me veprimet e saj u izolua vendi dhe u krijua imazh i keq në botë. Kryetari i atëhershëm (anëtar i kreut të VV-së) i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, gëzohej, dilte dhe shikonte a po digjej mirë qyteti, diçka që nuk ka ndodhur në rruzullin tokësor! Fatkeqësisht, edhe një pjesë e medieve dhe e shoqërisë civile në përgjithësi ishte rreshtuar në anën e së keqes!
A kishte mëkat më të madh që në emër të mbrojtjes së interesave shtetërore ta përdhosnin shtetin dhe qytetarët e tij t’i lënin të izoluar?! Anash hilet e BE-së që deri sot shkonin deri në shkallën raciste, faji kryesor ishte i brendshëm. Gënjenin, mashtronin, zhvatnin, digjnin, shkatërronin dhe në fund, përsëri në emër të “interesit shtetëror”, e lëpinin atë që e kishin pështyrë me vite, duke e votuar të njëjtin dokument pa ia hequr asnjë shkronjë. Si mbulesë i kishin nga fillimi gënjeshtrat e dy diletantëve, F. Isufi dhe Sh. Bulliqi, që e lëshuan rrenën se Kosova po humb 8.200 ha (!), ndërsa Kryeministri Haradinaj, në luftë për pushtet, me para dhe kërcënim, i futi në agjendën e vet. Në fund, “hauz-eksperti” Isufi e braktisi Komisionin e Kryeministrit, ndërsa “Kallakunxhi” tjetër e braktisi edhe partinë për të gjetur strehë dhe mbrojtje në një parti tjetër dhe vazhdonte të gënjente se kinse po punonte për kufirin Kosovë-Serbi, madje edhe për kufirin Kosovë-Maqedoni, si proces moti i përmbyllur!
Komisioni në krye me këta mashtrues, që u pagua mirë nga Qeveria e atëhershme, kurrë nuk i prezantoi në harta sipërfaqet e humbura në hektarë dhe metra në zonat dhe sektorët e caktuar në kufi me Malin e Zi, siç i prezantoi Komisioni Shtetëror për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës (KSHMTRK) sipërfaqet e humbura me Maqedoninë konform kërkesave të faktorit ndërkombëtar (Plani i Ahtisarit) deri në hektarë e metra katrorë. Kosova në raport me Maqedoninë rezultoi të kishte bilanc të përgjithshëm negativ prej 191 ha ose 1.91 km² (komunat kadastrale Debëllde dhe Restelicë minus, ndërsa Dimcë plus), ndërkaq me Malin e Zi nuk humbej asnjë hektar e metër katror. KSHMTRK bëri matjen e territorit të vendit të vet, ndërsa “ekspertët“ e ish-Kryeministrit bënë matjen e “arave“ të huaja (të Malit të Zi)! Mali i Zi nga 1945 e deri më sot e ka të njëjtën sipërfaqe: 13.812 km², të referuar në ish-Entin Federativ të Statistikës nga 1945 e deri më 2006 dhe pas pavarësisë (2006) edhe në EUROSTAT dhe në OKB.
Ambasadori i atëhershëm amerikan në Kosovë, G. Delawie, në bazë të gjetjeve profesionale të State Departamentit, të mbështetura në rezultatet e analizave të materialeve përkatëse nga viti 1940 deri atëherë, disa herë kishte theksuar se “8.200 ha janë të rremë”! Konstatimin se vija kufitare e Kosovës me Malin e Zi është pa ndryshime e nxorën edhe komisionet e tjera, vendore dhe ndërkombëtare (çfarë ishte Komisioni ad hoc i ftuar nga Presidentja Jahjaga, i përbërë nga ekspertët Fletcher M. Burton nga SHBA, Dr. Ing. Herbert Wilmes nga Gjermania dhe Fred Newton nga Anglia). Ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare për kufirin në relacion Kosovë˗Mal i Zi e kërkuan edhe ish-presidenti i SHBA-së B. Obama dhe ish-nënkryetari J. Biden, zyrtarët e NATO-s, të BE-së, etj. Ta kundërshtosh Amerikën dhe NATO-n, që na çliruan e pavarësuan, ishte absurd i paparë! SHBA na i siguroi edhe njohjet ndërkombëtare në kufijtë ekzistues (10.905 km²), të mbështetur në Kushtetutën e KSAK-së të vitit 1974, në Komisionin e Badinterit (1991-1993), në Planin e Ahtisarit (2007), në Kushtetutën e RK të vitit 2008, në Deklaratën e Pavarësisë 2008, në vendimin e GJND-së (2010) dhe në Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës të dt. 25 qershor 2015. Por, grupet e interesit e kishin objektiv vetëm pushtetin!
Në faqen zyrtare të Qeverisë Mustafa ishte i publikuar Raporti i hollësishëm i KSHMTRK, i përbërë nga gjetjet e 12 përfaqësuesve të organizatave dhe agjencive profesionale, shkencore e menaxheriale dhe të shoqërisë civile, me pjesëmarrjen e disa përfaqësuesve të instancave ndërkombëtare në cilësi të vëzhguesve (NATO, BE, SHBA). Aty gjendet gjithë faktografia, në qindra faqe (gjeoinformacioni, hartat e kadastrit të tokave, hartat topografike, skicat, të dhënat statistikore, planet zhvillimore e mjedisore, baza ligjore, faktet shkencore etj., që lidhen me madhësinë territoriale të Kosovës dhe të njësive më të vogla territoriale-administrative). U dëshmua se kufijtë e sotëm të Kosovës shtrihen deri atje sa mund të mbulohen me dokumentacion administrativ, kadastral e menaxherial dhe nga mekanizmat operacionalë në terren nga viti 1945.
Ish-shefi i pseudoekspertëve, Haradinaj, pasi erdhi në krye të Qeverisë, pa hezitim dha urdhrin, duke e caktuar edhe rezultatin: ”Komisioni ka me thënë se kufiri është në Çakorr, në Kullë e në Maje të Larta. Pra, keni parasysh, kështu ka me thënë komisioni” (16. 10. 2017). I thënçin komision ”i pavarur profesional-shkencor”, në krye me Bulliqët, i cili nuk pati asfarë kurajo për t’i thënë jo diktatit pushtetor! Ndërkaq, Kryeministri Kurti, pas zgjedhjeve të 6.10.2019, dha deklarata shallvaregjera: “Nuk do të lë guralec pa lëvizur deri në kthimin e 8 mijë e 200 hektarëve që iu dhanë Malit të Zi” (11.11.2019)! Më 23 maj 2020 kryeministri në detyrë, Kurti, zhvilloi një bisedë me presidentin e Malit të Zi M. Gjukanoviq, në të cilën u trajtuan vetëm dy çështja: pandemia dhe dialogu me Serbinë, ndërkaq asnjë fjalë nuk pati për problemin e kufirit dhe rishkimin e tij.
Dofarë ”dokër-raportesh” të gënjeshtarëve (2018) dhe një “letër-deklaratë” e dy presidentëve (2018), përfshirë edhe tentimin për ta futur njëfarë ”rishikimi” të demarkacionit në programin e Qeverisë Hoti (2020), nuk ishin gjë tjetër pos mashtrime të radhës. Me agjenda të rrejshme gjithë jetën duanin të mbesnin në politikë dhe në pushtet! Por, krejt çka nuk ratifikohej në Parlamentin e Malit të Zi nuk kishte asnjë vlerë juridike! Mali i Zi e kishte përfunduar punën me ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare në Parlamentin e tij më 28 dhjetor 2015, të nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015.
Sipas kundërshtarëve të demarkacionit, vija kufitare duhej të fuste brenda kornizës territoriale të Kosovës Çakorrin, Zhlebin e Bjelluhën dhe Kosova ta zgjeronte territorin nga 10.905.25 km² në 10.987.25 km²! Por, kur erdhën në pushtet, nuk ia kthyen Kosovës hektarët ”e humbur”?! Të gjithë e dinin, nga popullata vendore e rripit kufitar me Malin e Zi, pushteti lokal dhe pushteti qendror dhe grupet politike sentencën e moçme se ”Shelgu nuk bën rrush”! Në mars 2009 kryefamiljarët e rripit kufitar, me nënshkrimet e tyre, kërkonin leje nga autoritetet e komunave të Malit të Zi që t’i shfrytëzonin pronat e tyre të ligjshme (kullosat, stanet dhe bjeshkët), të cilat shtatë dekada e gjysmë gjendeshin në territorin e këtij shteti dhe atje i kishin paguar edhe taksat. Për këtë kryefamiljarët i kishin vënë në dijeni edhe strukturat pushtetore të Republikës së Kosovës, komunat dhe ministritë përkatëse.
Tema e demarkacionit nisi dhe mbeti një kauzë e rrejshme. Liderët partiakë dhe grupet kryengritëse ndoqën rrugën e maksimës së ”babait” të kombit serb (Qosiq): gënje, gënje, gënje me mijëra herë, atëherë gënjeshtra bëhet e vërtetë! ”Ekspertët” thoshin se më të besueshme dhe më kredibile janë hartat e APJ-së të Beogradit se sa të tjerat. Ja një hartë e tillë, ku shihet ku janë Ҫakorri, Kulla e Zhlebit dhe Bjelluha (në Mal të Zi)!
Ishte i kotë ”urdhri” i një kryeministri dhe ”lëvizja e guralecit” nga kryeministri tjetër, i cili pas 50 ditë qeverisjeje u rrëzua në Kuvend! Iku koha! Më 21 mars 2020 u bënë dy vjet nga ratifikimi i Marrëveshjes ndërkombëtare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por për shënimin e vijës kufitare midis dy shteteve mbeti edhe një afat deri më 4 qershor të këtij viti, derisa marrëveshja u procedua përmes rrugëve diplomatike. Në përputhje me nenin 4 të Marrëveshjes, deri më 4 qershor të vitit 2020 është dashur që trupat punuese të të dy vendeve ta përfundonin demarkimin, por komisioni ynë punues as që pati guxim profesional të takohej, së paku një here, me komisionin e Malit të Zi, ndonëse pala malazeze qysh më 9 korrik 2018 i kërkoi Qeverisë së Kosovës që komisionet përkatëse të kufijve të takoheshin dhe të fillonin punën për vënien e gurëve të sionorëve shtetërorë midis Kosovës dhe Malit të Zi (demarkimi) në afatin obligativ ligjor, por Komisioni dhe Qeveria Haradinaj më as që u dëgjuan të gjallë!
Nuk bëri zë as Qeveria Kurti dhe kufiri mbeti atje ku ishte shtatë dekada e gjysmë! Deri më 4 qershor të vitit 2020 gjatë demarkimit kishte mundësi bile për ndonjë korrigjim të vijës së kufirit sipas parimeve profesionale ”metër për metër” dhe “cilësi për cilësi”, në rast të ndonjë rruge apo burimi të ujit në terrenet komplekse gjeohapësinore! Nga pala malazeze gjithnjë ka ekzistuar kjo mundësi dhe gatishmëri, por, mjerisht, nga ana jonë as kjo nuk është shfrytëzuar dhe prandaj ikën të gjitha afatet e ligjshme dhe gënjeshtra e madhe prej 8.200 ha imagjinarë u shua përfundimisht. Fajtorët nga opozita (Haradinaj, Kurti dhe Limaj me grupet e tyre politike) dhe fallanga e LDK-së e prirë nga V. Osmani mbajnë përgjegjësi qytetare dhe institucionale për mosliberalizimin e vizave, kurse pseudo-ekspertët do t’i rëndojë përgjithmonë së paku përgjegjësia profesionale dhe akademike!
Në fund, duhet të theksuar se Kurti në cilësi të Kryeministrit në prag të zgjedhjes së Driton Abazoviqit Kryeministër i Malit të Zi (u zgjodh më 28 prill 2022), deklaroi se do të flas me të për çështjen e kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Abazoviqi, ndërkaq, më 10.05.2022 në një intervistë për Klan Kosovën deklaroi se “çështja e demarkacionit mes të Kosovës dhe Malit të Zi ka marrë fund”! Ndërsa më 25 Mars 2022 Kabineti i Presidentit Gjukanoviq tha se çështja e kufirit të Malit të Zi me Kosovën ka përfunduar më 2015 dhe përfundimisht më 2018, kur e ratifikoi Marrëveshjen edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës me 80 vota! Edhe në vizitën që pati më 18 maj 2022 në Prishtinë e deklaroi të njëjtën gjë. Lidhur me kufirin Kosovë-Mal i Zi, ai deklaroi se “ne nuk dëshirojmë të krijojmë probleme dhe jam më se i sigurt se do t’i përmbahemi dokumenteve që i kemi nënshkruar (më 2015 dhe 2018) dhe nëpërmjet punës së komisioneve të përbashkëta për demarkacionin do të krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjime për të cilat pajtohemi”, për të vijuar se “kufiri është problematik vetëm për dikend që synon të krijojë probleme”. Të gjitha mediat kosovare e dhanë këtë lajm, ndërkaq vetëm gazeta pro presidentit Gjukanoviq, “Pobjeda” e Podgoricës, nuk e tha asnjë fjalë për demarkacionin!
Ndërkaq, më 19.07.2022, ish-Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, nënshkrues i një Letër-deklarate me presdentin Hashim Thaçi më 16. 02. 2018 për mundësinë e korrigjimit eventual të kufirit Kosovë-Mal i Zi në sektorë të caktuar, theksoi “se në Kosovë u keqprezantua dhe u keqkuptua procesi i demarkacionit. Nuk u dhanë shpjegime të sakëta rreth problemit të kufirit. Për mendimin tim, një keqkuptim erdhi si pasojë e statusit të pashpjeguar sa duhet të njerëzve që jetojnë pranë kufirit shtetëror. Nuk ka asnjë shembull të krijimit të një shënjimi të kufirit shtetëror për ta sinkronizuar atë me pronën private të disa personave. Ata që jetojnë pranë kufirit nuk duhet të kenë ndonjë vështirësi në përdorimin e pronës së tyre në vendet fqinje. Përkundrazi, njerëzit që jetojnë afër kufirit duhet të përdorin pa probleme pronën e tyre dhe të kenë njëfarë stimulimi nga të dy shtetet në zhvillimin e aktiviteteve të tyre bujqësore…Do ritheksoj se komisionet shtetërore kanë arritur një marrëveshje për kufirin dhe dy qeveritë e kanë ratifikuar. Ajo u nënshkrua në Vjenë në vitin 2015 dhe dy parlamentet kombëtare e kanë ratifikuar marrëveshjen dhe tani duhet ta zbatojnë përmes punës së përbashkët të Komisionit Kombëtar të ekspertëve të demarkacionit”. Mjerisht, nga ana e Kosovës ky komision as që u formua ndonjëherë!
Më 7.02.2023 Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte në vizitë zyrtare në Podgoricë, ku u prit nga Presidenti i Malit të Zi, M. Gjukanoviq. Kur u pyet për çështjen e kufijve (demarkacionit) midis Kosovës dhe Malit të Zi, ajo deklaroi: “Konkretisht, sa i përket kufijve, për mua ajo çështje ka përfunduar në Parlament para disa vitesh, kur ajo marrëveshje është ratifikuar mes Malit të Zi dhe Kosovës”. Edhe Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Driton Abazoviq, në një vizitë që i bëri Kosovës këto ditë, në RTK më 15 prill 2023 deklaroi përsëri se çështja e kufirit Kosovë-Serbi është problem i mbyllur. Në pyetjen e gazetarit se a e shtruan udhëheqësit e Kosovës në këtë vizitë ndonjë korrigjim të mundshëm atje ku ka dakordim në frymën e Deklaratës së dy ish-Presidentëve Thaçi-Vujanoviq, Abazoviqi pati përgjigje negative: “Jo, askush nga udhëheqja e Kosovës nuk e shtroi këtë çështje”!
Urime qytetarëve të Republikës së Kosovës që nga Viti i Ri do të mund të lëvizin lirshëm në hapësirën e BE-së! Urime dhe për durimin dhe sakrificat!