“Absolut Vodka” ndal eksportet në Rusi, pas kritikave në shtëpi

Stokholm, 18 prill 2023 – “Absolut Vodka” nuk do t’i eksportojë produktet e saj në Rusi, pas kritikave që ka marrë në shtetin e origjinës, Suedi.

Kompania i kishte ndalur eksportet në Rusi në mars të vitit 2022, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Mirëpo kompania e saj amë, “Pernod Ricard”, ka konfirmuar se disa produkte po eksportohen sërish.

Ky njoftim është përcjellë me zemërim.

“Pernod Ricard’ më pas ka njoftuar se i ka ndaluar sërish të gjitha eksportet e pijes “Absolut Vodka”, ashtu që të mbrojë stafin dhe partnerët nga kritikat.

Në deklaratë është thënë se kompania po e shfrytëzon të drejtën “për të mbrojtur stafin dhe partnerët, pasi ne nuk mund t’i ekspozojmë ata ndaj kritikave masive dhe në të gjitha format”.

Javën e kaluar, shumë restorante dhe bare të njohura në Suedi e kanë hequr këtë pije nga raftet e tyre dhe politikanët e kanë dënuar eksportimin e saj.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka thënë se është “shumë i befasuar” që kompania kishte rinisur eksportet në Rusi.

Para luftës, “Pernod Ricard” ka siguruar 3 për qind të fitimit vjetor në tregjet ruse dhe, pavarësisht se nuk do ta shesë më pijen “Absolut Vodka”, ajo do të vazhdojë shitjen e disa produkteve tjera në Rusi.

(REL)