Beograd, 25 prill 2023 – Beograd, 25 prill 2023 – Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit për normalizim raportesh me Kosovën, duke kërcënuar shtetet që përkrahin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës (KE).
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë të martën se derisa nuk krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, “nuk është valide asnjë pikë e Marrëveshjes së Ohrit”.
Ai ka thënë se raportet e Serbisë me shtetet tjera do të varen nga votat e tyre për çështjen e Kosovës.
Serbia ka kërcënuar Malin e Zi pasi votoi pro aplikimit të Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës të hënën. Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se tash Mali i Zi nuk mund të llogarisë në votat e Serbisë kur do t’i duhen. Mali i Zi ishte ndër 33 shtetet e Këshillit të Evropës që votuan pro aplikimit të Kosovës. Kundër ishin shtatë, ndërsa abstenuan pesë shtete.
“Mali i Zi ka mundur të paktën të përmbahej. Duhet të veprojmë me reciprocitet. Mali i Zi ka votuar për pranimin e Kosovës. Edhe atyre do t’u duhet ndonjëherë vota jonë, në të cilën sigurisht që s’mund të llogarisin”, ka thënë Daçiqi të martën për RTS-në, citon “N1”.
Ai është shprehur i befasuar edhe me votën abstenuese të Ukrainës. Sa i përket abstenimit të Bosnjës, Daçiqi ka kaluar te çështja e “integritetit territorial”.
“Sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, a ka pasur ndonjëherë në fjalimin tim rast që të mos përmendim integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës? Tash kur dikush të na pyes, ne do të përmbahemi. Pra, pse ne do të ishim për integritetin territorial të Bosnjës dhe ata të abstenojnë”, ka deklaruar më tej Daçiq.
Daçiq është shprehur i befasuar edhe me abstenimin e Greqisë dhe Sllovakisë.
Ai ka falënderuar shtet që votuan kundër aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës; Qipron, Spanjën, Rumaninë, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë dhe, veçanërisht Hungarinë, si shtet që e ka njohur shtetin e Kosovës.
Neni katër i Marrëveshjes bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Sebisë thotë se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
(r.m.)