Në Shqipëri, çmimet e banesave bien për herë të parë pas 6 vjetësh

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se çmimet e banesave gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit të kaluar ranë me 9%, por rënia erdhi pas një rritjeje dramatike në gjashtëmujorin e parë, ndërsa nuk është e mundur të thuhet nëse kjo është tendencë apo korrektim.

Për herë të parë që nga viti 2015, indeksi Fischer në tregun e banesave në Shqipëri pësoi një rënie me 9% gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit të kaluar, bëhet e ditur nga Raporti i Stabilitetit Financiar të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë vërejti se rënia e këtij tremujorit mund të jetë një fazë normalizimi pas rritjes dramatike me 28% në gjashtëmujorin e parë. Në terma vjetorë, çmimet e banesave mbeten më të lartat në histori dhe në krahasim me gjashtë vjet më parë, janë sërish gati dy herë më të shtrenjta.

Matja e çmimit të banesave është një problem kompleks i ekonomiksit dhe vetë treguesi i raportuar nga Banka e Shqipërisë mund të mbartë të dhëna çorientuese. Banka vëren se rritja prej 28% në gjashtëmujorin e parë dhe rënia prej 9% në gjashtëmujorin e dytë ka prodhuar gjithsesi një rritje vjetore prej 17% ndërsa luhatja brenda vitit mund të jetë më shumë pasojë e llojit të informacionit statistikor të grumbulluar për të llogaritur indeksin se sa luhatshmërisë reale.

“Duhet theksuar se çmimet e vlerësuara në gjashtëmujorin e kaluar u diktuan ndjeshëm nga numri i lartë i raportimeve për shitje në zona me çmime relativisht më të larta, ndërkohë që për gjysmën e dytë të vitit shpërndarja e shitjeve sipas zonave, llojit dhe vlerës së banesave është disi më heterogjene,” shkruhet në raport.

Indeksi krijohet në bazë të një anketimi të kryer nga BSH me rreth 230 shoqëri ndërtimi dhe agjenci ndërmjetësimi.

Çmimet e pronave të patundshme në Shqipëri janë rritur më mënyrë dramatike duke filluar nga gjashtëmujori i parë i vitit 2018. Para kësaj, çmimet kanë qenë në përgjithësi stabël, duke filluar nga viti 2013, kur Indeksi Fischer filloi të ndërtohet nga ekspertët e BSH.

Çmimi i banesave sipas indeksit Fischer

Çmimi i banesave sipas indeksit Fischer

Përgjatë periudhës në të cilën çmimet janë rritur, Shqipëria nuk ka pasur ndonjë rritje ekonomike në të njëtin ritëm për të sugjeruar se rritja në tregun e pronave të patundshme të jetë produkt i ecurisë së përgjithshme të ekonomisë. Përkundrazi, çmimi i banesave është dyfishuar ndërsa ekonomia është rritur me vetëm 21% në terma nominalë mes viteve 2017 dhe 2022. Për rrjedhojë, dyfishimi i çmimit të banesave përkundrejt rritjes me 21% të ekonomisë së gjerë, sugjeron se çmimi i banesave ndikohet nga faktorë të tjerë, të tillë si paratë e krimit apo të korrupsionit, të cilat kanë shkaktuar pabarazi, ku ekonomia e disave është forcuar aq shumë sa të shkaktojë dyfishimin e çmimeve të pronave ndërsa ekonomia e të shumtëve nuk është rritur.

(Reporter.al)