Aty ku ngrihet zëri kundër zyrtarëve të korruptuar të qeverisë egziston edhe frika nga persekutimi politik

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Kur jetoja në vendin tim, i tregova një gazetari për një zyrtar të qeverisë që merrte ryshfete. Si pasojë filluan të më vijnë telefonata kërcënuese për veten dhe familjen time. Kjo më bëri që të vendosja të vija këtu, në Amerikë. A do të më mbrojë qeveria amerikane? A do ta mbajë qeveria e SHBA-së sekret nga qeveria e vendit tim, aplikimin që kam paraqitur për strehim politik,?

Anonim

Qeveria e SHBA-së mund t’ju mbrojë nëse ju jepet strehim politik. Disa njerëz kanë frikë se mos persekutohen, për shkak se kanë sfiduar qeverinë duke e bërë publik korrupsionin. Të tjerë kanë frikë që individë që nuk janë pjesë e qeverisë mund të hakmerren kundër tyre dhe qeveria vetë nuk do të tregojë gatishmëri për t’u dalë në mbrojtje ose thjesht nuk dëshiron t’i mbrojë. Dikush që informon apo ngre zërin kundër një personi ose organizate të caktuar që konsiderohet se është marrë me veprimtari të paligjshme, këtu quhet “whistleblower” (ai që i “fryn bilbilit”). Ky akt i “fryrjes së bilbilit” mund të jetë shprehje e një opinioni politik ose mund t’i japë njeriut apo njerëzve në pushtet një arsye apo shkak për t’i veshur personit në fjalë një përkatësi politike. Nëse personi që ngre zërin (the whistleblower) keqtrajtohet nga pushteti ose ka frikë se në të ardhmen do të persekutohet, ai mund të përmbushë kriteret për strehim politik në SHBA. Korrupsioni është një veprimtari e pandershme ose mashtruese nga njerëzit që janë në pushtet. Korrupsioni zakonisht përfshin marrjen e ryshfeteve në një formë apo një tjetër. Korrupsioni lidhet me një sjellje të pandershme, kurse whistleblowing lidhet me raportimin e këtyre sjelljeve të këqija (megjithëse jo domosdoshmërisht të pandershme). 

Gjykatat amerikane të emigracionit kanë arritur në përfundimin se të tregosh që janë hakmarrë kundër teje sepse ke kundërshtuar korrupsionin qeveritar nuk mjafton për të marrë azil politik. Aplikanti për strehim politik duhet të tregojë që bindjet e tij të vërteta kundër korrupsionit qeveritar janë një nga arsyet kryesore pse ka frikë se do të persekutohet nga qeveria. Një personi mund t’i jepet azil nëse ai mund të tregojë në mënyrë bindëse se persekutuesi është i mendimit se personi në fjalë ka bindje që bien në kundërshtim me sjelljen e korruptuar, edhe pse ai vetë nuk i ka këto bindje. Personi që aplikon për strehim politik duhet të tregojë gjithashtu se do të persekutohet nga qeveria, ose që qeveria nuk është në gjendje ose nuk ka dëshirë ta mbrojë këtë person. Zyrtarët e korruptuar ndonjëherë hakmerren ndaj sinjalizuesve jo vetë, por duke përdorur banditë apo kriminelë të gatshëm për të përlyer duart. Kundërshtimi ndaj korrupsionit të qeverisë mund të konsiderohet si një opinion politik i individit, nëse korrupsioni është bërë diçka e zakonshme ose ka të bëjë me regjimin qeveritar. Kundërshtimi që i bëhet korrupsionit gjithashtu nënkupton një sfidë ndaj pushtetit qeverisës.

Aplikantit për strehim politik do t’i duhet të tregojë se veprimtaria e tij perceptohet si shprehje e bindjeve antikorrupsion si dhe të tregojë prova që përndjekësi ka marrë shkas nga bindjet e vërteta ose të perceptuara si të tilla të personit që po përndiqet. Ai gjithashtu duhet të tregojë me prova se brenda regjimit qeverisës, ka shumë korrupsion. Lajmet dhe shkrimet e mediave të ndryshme janë të vlefshme si dëshmi që korrupsioni është i përhapur në vend.

Lufta kundër korrupsionit shtetëror përmes veprimtarive tipike politike të tilla si të qënit aktiv në një parti politike që e kundërshton korrupsionin shtetëror, pjesëmarrja ose mbajtja e fjalimeve në tubime politike për çrrënjosjen e korrupsionit shtetëror, shkrimi apo shpërndarja e materialeve politike që kritikojnë korrupsionin shtetëror, sipas të gjitha gjasave do të përbënin një shprehje të mendimit politik. Gjithashtu nxjerrja në pah ose kërcënimi për të nxjerr në pah apo sinjalizuat për korrupsion qeveritar, në autoritetet shtetërore, në media apo organizatat mbikqyrëse joqeveritare, mund të përbëjnë shprehje të një opinioni politik. Kjo e fundit duket se ngjan me situatën e lexuesit tonë, sepse ai informoi media-n. 

Secili aplikant për azil politik është i ndryshëm dhe çdo kërkesë për azil shqyrtohet në bazë të rastit konkret. Gjëja e parë që shihet në çdo aplikim për strehim politik është nëse aplikanti është persekutuar në të kaluarën, dhe nëse po, a është ky persekutim për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror, ose për shkak të bindjes politike. Nëse një person nuk është persekutuar në të kaluarën, por ka frikë, me baza të forta, se do të persekutohet për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror, ose bindjeve politike, atij gjithashtu mund t’i jepet strehim politik.

Frika nga persekutimi mund të ketë arsye të ndryshme. Është mirë që këto arsye t’i diskutoni me një avokat me përvojë në çështjet e emigracionit. Ndonjëherë, aplikantët as nuk i kuptojnë arsyet se përse janë persekutuar dhe një avokat me përvojë mund të jetë në gjendje t’i artikulojë përvojat e kaluara të personit në fjalë dhe t’i paraqesë në mënyrën e duhur për të fituar azilin. Ndryshimi i qeverisë në një vend të caktuar nënkupton nganjëherë që gjendja në vend ka ndryshuar gjithashtu, por USCIS-i duhet të shqyrtojë faktet konkrete specifike të paraqitura në aplikim nga secili aplikant. Ndryshimi i gjendjes në vend luan rol në mënyra të ndryshme tek  individë të ndryshëm dhe një person mund të ketë frikë për t’u kthyer në vendin e vet.

Azili është një formë mbrojtjeje që i lejon individëve që janë në Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë këtu. Azilkërkuesit duhet të aplikojnë për azil brenda një viti nga data e herës së fundit që kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara, perveç rasteve kur ata mund të tregojnë se ka patur ndryshim të rrethanave të cilat i bëjnë kandidatë për të kërkuar azil politik ose ka patur rrethana të jashtëzakonshme që kanë shkaktuar vonesë në paraqitjen e kërkesës dhe ata kanë paraqitur kërkesën brenda kohës së duhur, duke patur parasysh rrethanat në fjalë.

Disa individë mund të kenë frikë se qeveria në vendin e tyre do të zbulojë se ata kanë dhënë informacion në SHBA. Aplikantët për strehim politik duhet jenë të qetë pasi ka rregullore në fuqi që mbrojnë konfidencialitetin e informacionit që aplikanti i jep zyrtarit që merret me çështjet e strehimit politik. 

Nëse USCIS-i vendos që aplikanti për strehim politik nuk i përmbush kriteret për strehim politik, çështja e këtij të fundit i kalon Gjykatës së Emigracionit ose aplikanti do të marrë njoftimin (Notice of Intent) ku i thuhet se kanë ndërmend të mos ia aprovojnë kërkesën për azil. Kjo varet  shumë nëse aplikanti është ose jo në SHBA në mënyrë të paligjshme. Nëse aplikanti nuk është me status të ligjshëm, ose viza e tij ka skaduar, atëhere zyrtari i emigracionit hap procedurat për dëbimin e aplikantit nga Amerika, dmth nis proçesin e deportimit.

Aplikanti ka mundësinë, që gjatë këtij proçesi gjyqësor deportimi, t’i kërkojë Gjykatësit të Emigracionit të marrë vendim lidhur me aplikimin për azil. Ekziston gjithnjë rreziku i dëbimit (largimit) për çdo azilkërkues dhe është e pamundur të parashikohet rezultati përfundimtar. Askush, asnjëherë, nuk mund të garantojë që një kërkesë për azil do të aprovohet.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]