Në Shqipëri, humbjet në rrjetin e energjisë shkuan në 25.1 për qind

Tiranë, 23 maj 2023 – Në Shqipëri, humbjet në rrjetin e energjisë elektrike të vendit u rritën në 25.1% në tremujorin e parë të këtij viti, nga 27.7% që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2022, bëhet e ditur nga raporti statistikor periodik i Institutit të Statistikave. Humbjet totale u rritën si pasojë e përkeqësimit të situatës në sistemin e transmetimit ndërsa humbjet në sistemin e shpërndarjes pësuan një rënie të lehtë.

Sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria konsumoi pak më shumë se 2.1 milionë MW/h energji elektrike për periudhën janar-mars, nga të cilat, 533 mijë u humbën për shkaqe teknike ose për shkak të vjedhjeve. Humbjet teknike normale janë në nivelin 6% në sistemet energjetike të menaxhuara siç duhet. Humbjet anomalisht të larta si në rastin e Shqipërisë, vijnë si pasojë e mosmirëmbajtjes së duhur të pajisjeve të rrjetit. Aktualisht, humbjet totale teknike raportohen nga kompanitë e sistemit në masën 17.6%. Vjedhjet, të cilat pranohen si normale në nivelin e jo më shumë se sa 2%, janë aktualisht 7.5%.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama premtoi një reformë të madhe energjetike në vitin 2015, gjë që përfshinte rritjen e çmimit me qëllim krijimin e kushteve për investime në sistem dhe luftimin e vjedhjeve. Synimi final ishte që rreth vitit 2020, humbjet teknike të ishin 6% nga 17.6 që janë aktualisht dhe vjedhjet të ishin 2% nga 7.5% që janë aktualisht.

Në një vit normal, vlera monetare e humbjeve arrin në mbi 100 milionë euro. Qeveria nuk jep shpjegime se pse menaxhimi i sistemit energjetik prej saj nuk sjell efikasitetin normal ndërsa është akuzuar se ka politizuar të gjithë administratën publike, me shumë drejtorë të sistemit që merren me fushatë në vend që të merren me punën për të cilën paguhen dhe me disa drejtorë që kanë bërë karrierë duke u bërë këshilltarë apo kryetarë bashkish, pavarësisht se humbjet vijojnë të mbeten në nivele anormale.

(Reporter.al)