Bruksel, 24 maj 2023 – Bashkimi Evropian ka kritikuar vizitën e liderit të serbëve të Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, në Moskë dhe takimin që ka zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin.
Dodik u takua më 23 maj me Putinin në Moskë dhe i tha se entiteti i Republikës Sërpska vazhdon të jetë pro-ruse.
BE-ja tha se mbajtja e lidhjeve me Rusinë sot shihet si veprim që është në kundërshtim me vlerat evropiane dhe me aspiratat strategjike për integrim në bllokun evropian.
“BE-ja ka rikujtuar në disa raste, dhe së fundmi edhe nga përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell] në takimin e fundit të ministrave të Jashtëm, që u mbajt të hënën me ministrat e Ballkanit Perëndimor, se mbajtja e lidhjeve të afërta me Rusinë është në kundërshtim me rrugën drejt BE-së”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Stano shtoi se blloku evropian dëshiron të “llogarisë në të gjitha vendet kandidate si partnere të besueshme për parimet e përbashkëta, vlerat, sigurinë dhe prosperitetin”.
Në dhjetorin e vitit 2022, Bosnja ka marrë statusin e vendit kandidat. Ky shtet ka pranuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, por zbatimi i tyre është bllokuar nga entiteti serb, Republika Sërpska.
Dodik i tha Putinit në Moskë se Republika Sërpska kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe për këtë, ai tha se entiteti i është ekspozuar “formave të ndryshme të presionit nga partnerët tanë perëndimorë, në formë të sanksioneve dhe suspendimeve nga projekte dhe programe të caktuara”.
“Bashkimi Evropian ka qenë krejtësisht i qartë me partnerët tanë: raportet me Rusinë nuk mund të jenë si punë e zakonshme pas pushtimit të pajustifikuar dhe të paprovokuar të Putinit dhe Rusisë. Të mos harrohet se Putin është ai që ka urdhëruar dhe mbikëqyrur shkeljet masive të Kartës së OKB-së dhe të drejtat e njeriut në Ukrainë, ku Rusia po kryen krime duke sulmuar në formë jodiskriminuese caqet civile, infrastrukturën civile, po vjedh pronën e Ukrainës, territoret e saj dhe po rrëmben fëmijë”, tha Stano.
Ndryshe, Dodik gëzon mbështetjen e Moskës në minimin e institucioneve të Bosnje e Hercegovinës dhe për deklaratat e tij të shpeshta lidhur me shkëputjen e entitetit të Republikës Sërpska nga Bosnje e Hercegovina.
Për shkak të minimit të Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnje e Hercegovinë më 1995, por edhe minimit të stabilitetit të shtetit dhe rajonit dhe mbështetjes së veprimeve korruptive, Dodik është në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Takimi i 23 majit, ishte i treti mes Dodikut dhe Putinit që nga nisja e pushtimit të Ukrainës dhe biseda e nëntë që këta zyrtarë kanë zhvilluar që nga viti 2014.
(REL)