Wallace në Kiev diskuton për dërgesat e armëve dhe trajnimin e forcave ukrainase

Kiev, 24 maj 2023 – Ministri i Mbrojtjes i Britanisë, Ben Wallace, është takuar në Kiev me homologun e tij ukrainas, Oleksiy Reznikov, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës.

Vizita në Kiev e Wallace më 24 maj ishte e paparalajmëruar.

Kjo vizitë e zyrtarit të lartë britanik vjen një ditë para takimit virtual të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që përbëhet prej dhjetëra shtete që kanë mbështetur Kievin në luftën kundër pushtimit rus, që ka nisur në shkurt të vitit të kaluar.

“Biseduam për trajnimin që po vazhdon të ushtarëve tanë në territorin britanik, për prioritetet kryesore dhe për rëndësinë e këtyre trajnimeve. Patëm mundësinë që të takoheshim me pilotët që janë trajnuar në Britani dhe veçse janë treguar të suksesshëm në operimin me Storm Shadow”, tha Reznikov përmes një deklarate të publikuar në ueb-faqen e ministrisë.

Wallace theksoi se raketat me rreze të gjatë veprimi, Storm Shadow, që Britania i ka dhënë Ukrainës, ishin armët e para të këtij lloji që Kievi ka pranuar.

“Ne u kemi ofruar këto lloje armësh për shkak të përdorimit të vazhdueshëm të raketave me rreze të gjatë veprimi nga ana e Rusisë. Moska përdor këto armë për të shënjestruar civilët dhe infrastrukturën kritike civile”, citohet të ketë thënë Wallace.

Më 23 maj, Reznikov kishte zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, i cili i ofroi homologut të tij ukrainas informacionet e fundit lidhur me përpjekjet e Uashingtonit për ta ndihmuar Ukrainën.

Ndërkaq, në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës pritet të diskutohet për mënyrat se si të vazhdohet ndihma për Ukrainën dhe për të forcuar mbrojtjen ajrore, tha Pentagoni.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, shtetet perëndimore i kanë ofruar armë dhe municione Ukrainës që të përballet më mirë me forcat ruse. Së fundmi, Uashingtoni është pajtuar që pilotët ukrainas të trajnohen për përdorimin e avionëve luftarakë F-16, por ende nuk është bërë e ditur nëse SHBA-ja do të dërgojë avionë të tillë në Kiev.

Ukraina vazhdimisht ka kërkuar avionë modernë luftarakë për t’iu kundërvënë dominimit në qiell që ka Rusia.

(REL)