Prishtinë, 24 maj 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkuren se ceremonitë e betimit për kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës pritet të mbahen të enjten në ndërtesa publike në këto komuna.
“Kanë kaluar mbi 6 muaj prej kur këto katër komuna mbetën pa kryetarë. Dy prej tyre edhe pa kuvende. E banorët atje, pa shërbime komunale. Kjo nuk është normale”, tha kryeimistri Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë.
Kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, fituan mandatet e tyre në procesin zgjedhor të 23 prillit të këtij viti, i cili u zhvillua rreth pesë muaj pasi përfaqësuesit politik të serbëve dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës mes mospajtimeve mbi një vendim të qeverisë në Prishtinë për konvertim të targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Kosovës.
Partitë politike serbe, të cilat bojkotuan këtë proces zgjedhor, reaguan ashpër javën e kaluar pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovës së veriut, Erden Atiq nga radhët e lëvizjes Vetvendosje. Lista serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës e që mbështetet nga Beogradi, tha në një konferencë për media të premten e kaluar se me betimin e zotit Atiq “ka filluar zyrtarisht pushtimi i veriut”, ndërsa u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë të ndalojnë sic u tha shtypjen e popullit serb. “Në të kundërtën me një qershor do të vijë përgjigja vendimtare e popullit serb”, thanë zyrtarë të kësaj partie politike.
Kryeministri Kurti tha se refuzimi për pjesëmarrje në zgjedhje është rezultat i fushatës kërcënuese të Beogradit zyrtar.
“Vota e munguar, ishte mungesë e vullnetit të lirë, jo shprehje e vullnetit politik. Fushata të tilla kërcënuese të Beogradit zyrtar ndaj serbëve lokalë, veçanërisht në katër komunat tona në veri të vendit, janë të shpeshta dhe të vazhdueshme. Por, veç pse diçka ndodh shpesh dhe vazhdimisht, nuk do të thotë që është normale dhe e pranueshme”, tha ai.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha të mërkurën në një konferencë për media se pavarësisht trysnisë nën të cilën ndodhen pjestarët e komunitetit serb në Kosovë, ata janë të interesuar të jenë pjesë e kabineteve të krytarëve të rinj.
“Ju në Mitrovicën e veriut keni parë tashmë një nënkryetare, do të ketë nënkryetar edhe në komunat tjera nga radhët e komunitetit serb, do të ketë drejtor nga radhët e komunitetit serb. Qytetarët janë të interesuar të jenë pjesë e një normaliteti të qeverisjes lokale, ku kryetari është në shërbim të tyre dhe jo të grupeve kriminale. Kjo është një mundësi e mirë para neve dhe si qeveri jemi të përkushtuar që t’i mbështesim kryetarët e zgjedhur edhe në inkuadrimin e personave me përkatësi etnike serbe për shkak se nuk është qëllimi jonë të kemi një administratë lokale të përbërë vetëm nga shqitparët”, tha zoti Krasniqi.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në zgjedhjet e 23 prillit kanë hedhur votën një mijë e 567 qytetarë apo 3.47 për qind e rreth 45 mijë votuesve të regjistruar. Kandidatët e lëvizjes Vetëvendosje fituan në Leposaviq dhe Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata të Partisë Demokratike të Kosovës në Zveçan dhe Zubin Potok.
Diplomatët perëndimorë kanë ngritur shqetësimet për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës pas fillimit të zbatimit të rezultateve të zgjedhjeve të cilat nxorën për herë të parë kryetarë joserbë në këto komuna.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)