Si të përshpejtosh shqyrtimin e kërkesës për benefite nga emigracioni

Çështje të emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Në prill 2023, pasi mora statusin e azilantit nga një gjykatës emigracioni, paraqita formularin I-730 për bashkim familjar me bashkëshorten dhe fëmijën tim. Të dy kërkesat janë në pritje për t’u shqyrtuar nga Shërbimi i Emigracionit. Fëmija im është gjashtë (6) vjeç. Ajo është diagnostikuar si fëmijë me aftësi zhvillimi të kufizuara dhe ka nevojë për analiza të mëtejshme neurologjike. Kam frikë se pa trajtimin e duhur në kohë, paaftësitë e saj do të vijnë duke u përkeqësuar. Jam informuar dhe kam marrë vesh se kërkesa që kam paraqitur për të sjellë familjen time në SHBA mund të shkojë deri në dy vjet. A mund të bëj ndonjë gjë që të vijnë më shpejt?

Me mirënjohje, 

MZ

Yonkers, NY

Po. Ata persona që kanë paraqitur peticione për të marrë benefite emigracioni, mund t’i kërkojnë Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS-it) që të shqyrtojë në mënyrë të përshpejtuar peticionet në fjalë. USCIS-i i shqyrton të gjithë kërkesat për proçedurë të përshpejtuar në bazë të meritave që kanë secila prej tyre dhe mund të kërkojë dokumenta shtesë në mbështetje të kërkesës së paraqitur. USCIS-i ushtron pushtetin e tij diskrecional për të vendosur nëse duhet ta aprovojë apo ta hedhë poshtë kërkesën për përshpejtim. Duke qenë se përshpejtimi i një kërkese nënkupton që USCIS-i duhet të gjykojë çështjen në fjalë përpara çështjeve të tjera që janë paraqitur më herët, USCIS-i duhet të gjykojë me kujdes nëse çështja për të cilën është kërkuar proçedurë përshpejtimi, meriton ose jo vërtet të konsiderohet urgjente.

Arsyeja se pse po paraqisni kërkesë për përshpejtim duhet të shpjegohet në mënyrë të qartë dhe të thjeshtë, si dhe duhet të mbështetet me dokumentacionin e nevojshëm që keni në dispozicion. Ndodh që, edhe kur rrethanat janë bindëse dhe palët janë dashamirëse, USCIS-i të mos e përshpejtojë çështjen. Nëse USCIS-i është i mendimit se ekziston një opsion tjetër i mundshëm për aplikantin ose që një organizatë po paraqet shumë kërkesa të tilla, gjasat që këto kërkesa të aprovohen, bien. Kërkesat jo shumë të qarta ose kërkesat që bazohen në faktorë të rëndomtë dhe të parashikueshëm (si p.sh. humbja e të ardhurave), kanë më pak gjasa të aprovohen.

Aty ku e kërkon rasti, provat e paraqitura duhet të jenë zyrtare. Dokumentet duhet të jenë me letrën zyrtare të lëshuar nga spitali ose zyra përkatëse e mjekut, të jenë sa më të vonshme dhe të përmbajnë datën si dhe nënshkrimin aktual të mjekut dhe jo një vulë ose nënshkrim të bërë në emër të mjekut.

Zakonisht mund të bëni kërkesa për proçedura të përshpejtuara duke kontaktuar qendrën e kontaktit të USCIS-it në numrin 1-800-375-5283 (TTY 1-800-767-1833 për personat me probleme dëgjimi, apo për ata që kanë probleme me të folurin) ose, pasi të keni marrë njoftimin që kërkesa juaj është marrë nga emigracioni, duke pyetur Emma-n.  (Për këtë qëllim, në faqen përkatëse, në të djathtë lart mund të klikoni tek “Ask Emma”). Qendra e kontaktit e USCIS-it nuk do të jetë në gjendje t’ia kalojë kërkesën për proçedurë të përshpejtuar zyrës përkatëse nëse nuk ka atë që njihet si receipt number

Fatkeqësisht, në rastin e një përshpejtimi të shqyrtimit të një formulari I-730, kërkesa duhet t’i paraqitet me shkrim qendrës përkatëse të shërbimit të USCIS-it që po merret me shqyrtimin e çështjes. Nëse banoni në New York ose në afërsi të tij, vendi ku duhet të dërgohet letra është qendra e shërbimit Texas Service Center TSC në adresën: USCIS, P.O. Box 851488 Dept A, Mesquite, TX 75185-1488. Kur telefononi për të kërkuar proçedurë të përshpejtuar, qendra e kontaktit të USCIS-it krijon dhe më pas ia kalon kërkesën zyrës që ka juridiksion mbi aplikimin apo peticionin tuaj. 

Pasi të ketë marrë kërkesën për kryerjen e shërbimit, zyra që merret me shqyrtimin e kërkesës mund të kërkojë dokumentacion shtesë në mbështetje të proçedurës së përshpejtuar. Një vendim mbi një kërkesë për përshpejtim nuk është as aprovim dhe as refuzim i kërkesës për benefitin që keni kërkuar fillimisht. Vendimi lidhur me kërkesën për përshpejtim thjesht i bën të ditur personit që ka paraqitur kërkesën nëse USCIS-i do ta nxjerrë kërkesën për benefitin në fjalë nga radha e zakonshme dhe do të marrë një vendim lidhur me këtë kërkesë (aprovim ose refuzim) më shpejt se sa po të ndiqej proçedura normale.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]