SI DEGRADOI POZITA E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI GJATË KOHËS SË PUSHTETIT TË MILO GJUKANOVIQIT ?

Xheladin Zeneli, aktivist i njohur shqiptaro-amerikan, i autor librit “Diaspora dhe Vendlindja”.

Me 20 Maj 2023 u bë inaugurimi i presidentit të ri të Malit të Zi i dalur nga zgjedhjet e 2 Prillit 2023, ku fitoi kandidati i subjektit “ Evropa tani”, Jakov Millatoviq dhe humbi Millo Gjukanoviq, politikani me jetën më të gjatë politike jo vetëm në vendin e tij por edhe në rajon.Që nga ajo ditë (20 Maj 2023) M.Gjukanoviq për herë të parë në karrierën e tij 35 vjeçare politike, nuk do të mbajnë asnjë funksion politik apo shtetëror.

Lidhur me pushtetin e më shumë se tre dekadave të M.Gjukanoviq-it dhe partisë së tij dhe efektet e këtij pushteti në raport me shqiptarët në Mal të Zi, unë kam shkruar vazhdimisht, shkrime këto të cilat i kam përmbledhur në dy librat e mi autorial, me titull“ Diaspora dhe Vendlindja” (2011)dhe “Shqiptarët në Mal të Zi-Popull i rrezikuar”(2019).

Megjithate, me këtë rast do mundohem të bëj një përmbledhje të ngjarjeve dhe fakteve që dëshmojnë se pse pozita e shqiptarëve në Mal të Zi psoi një degradim të dukshëm gjatë kohës së pushtetit të M. Gjukanoviq-it dhe partisë së tij (PDS-së).

Protestat e Diasporës Shqiptare në Amerikë

Fillimisht ,dëshiroj të bëj një reflektim të shkurtë të së kaluarës ku përfshihen disa aktiviteteve të Diasporës Shqiptare në SHBA , përkatësisht të Diasporës me prejardhje nga trojet e tyre etnike në Mal të Zi , e cila sidomos gjatë dy dekadave të fundit, ka shpenzuar kohë dhe energji të mëdha në protesta e demonstrata para përfaqësive diplomatike të Malit të Zi ,në Washington DC dhe në New York, ku ka ngritur zërin e saj sa herë që janë cenuar dhe mohuar të drejtat e bashkëkombasve tanë në Mal të Zi nga ana e pushtetit të Millo Gjukanoviqit dhe partisë së tij (PDS-së).

Në kuadër të këtyre altiviteteve, kemi marrë pjesë në seanca dëgjimore në Kongresin Amerikan dhe kemi lobuar për kërkesat legjitime të shqiptarëve dhe realizimin e të drejtave të tyre kombëtare, duke përfshirë të drejtën e përdorimin e simboleve tona kombëtare, të drejtën e themelimit të komunës së Malësisë me qendër në Tuzi, të drejtën e përfaqësimit të shqiptarëve në organet e administratës shtetërore, të drejtën e kthimit të pronave (Valdanosit në Ulqin,  Bjeshkëve të Nemuna  në Plavë etj.) Në ndërgjegjësimin e çështjes kombëtare shqiptare në Mal të Zi, një rol të veçant dhe shumë të rëndësishëm ka luajtur Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane me në krye ish kongresistin me prejardhje  shqiptare, Joseph DioGuardi-n dhe bashkëshorten e tij, Shirley Cloyes DioGuardi.

Poashtu, gjatë këtyre dy dekadave të fundit ka pasur reagime të shumta të shoqatave dhe organizatave shqiptare me prejardhje nga trojet e tyre etnike në Mal të  Zi, kundër ligjeve diskriminuese  ndaj shqiptarëve të qeverisë malazeze, kundër politikës asimiluese e shpopuluese  ndaj shqiptarëve etj.

Këtu nuk mund të lihet pa u përmendur protestat e Diasporës Shqiptare të Malësisë në Michigan me rastin e arrestimit, dënimit dhe burgosjes së bashkëvendasëve të tyre në aksionin e njohur famëkeq ‘ Fluturimi i Shqiponjës’ në Malësi, në shtator të vitit 2006, disa muaj pasi që Mali i Zi u shpall shtet i pavarur.

Pra gjithë ky aktivitet me vite të tëra në shërbim të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, është bërë gjatë kohës kur Millo Gjukanoviq ushtronte detyrën e kryeminstrit apo të presidentit dhe kur partia e tij (PDS) udhëhiqte me pushtetin në Mal të Zi.

M. Gjukanoviq, përgjegjës për shpopullimin e trevave shqiptare   

Mendimi im është se Millo Gjukanoviqin duhet gjykuar në bazë të asaj se sa çfarë ka bërë në aspektin e përmirësimit të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi gjatë tre dekadave të fundit dhe jo në bazë të asaj se çfarë ka bërë ai për shtetin e tij në aspektin gjeo-strategjik . Argumentin që unë e kam ndigjuar vite me radhë nga përkrahësit shqiptarë të  Gjukanoviqit është se ai eshtë një ‘politikan pro-përendimor’ i cili ‘shpalli pavarësinë e Malit të Zi dhe anëtarësoi vendin e tij në NATO’, etj.

Unë gjithnjë vazhdoj të mendoj se pavarësia e Mali Zi   në vitin 2006, si dhe më pas  anatarësimi i tij në NATO, ishin projekte amerikane , kurse politika e jashtme e këtij shteti në një masë të konsiderueshme vendoset në Washington dhe Bruksel.

Për këtë është i vetëdijshëm secili president apo kryeministër që vjen në pushtet në Mal të Zi.

Është për tu habitur fakti se si votuesit shqiptarë të Gjukanoviq-it dhe partisë së tij, e kanë mohuar krejtësisht politikën e brendshme të tij, përkëtësisht politikën e tij në raport me pozitën e  shqiptarëve në këte shtet.Derisa M. Gjukanoviq, në njërën anë integroi shtetin e tij në strukturat euro-atlantike, ai në anën tjetër i dezintegroi shqiptarët dhe faktorin e tyre politik dhe është përgjegjësi kryesor  për zbrazjen dhe shpopullimin e vendbanimeve shqitare.

Duhet përmendur edhe ate se  një pjesë e përgjegjësisë për pozitën e pavolitshme të shqiptarëve si dhe për mos realizimin e shumë kërkesave të tyre legjitime e mbajnë edhe disa parti politike shqiptare që kohë pas kohe për interesa personale, karrieriste apo partiake bënin kualicione qeverisëse, me PDS-në e Gjukanoviqit.

Gjatë më shumë se tre dekada të pushtetit të M. Gjukanoviq-it dhe partisë së tij, viset shqiptare vazhduan të mbetën viset më të pazhvilluara ekonomike në Mal të Zi, në rend të parë si rezulltat i mos investimit të atij pushteti por njëherit edhe shkatërrimin e ndërmarrjeve egzistuese të këtyre vendbanimeve. Mu për këtë arsy edhe përqindja më e madhe e numrit të emigruarëve ka rrjedh nga trevat me popullsi shqiptare gjatë këtyre tre dekadave , pra gjatë kohës kur M. Gjukanoviq dhe partia e tij mbanin pushtetin.Emigrimi i shqiptarëve në Mal të Zi ka qenë dukuri edhe para viteve ‘90-ta, por gjatë tre dekadave të fundit ka arritur përmasa alarmante sa që sot rreth gjysmës së numrit të shqiptarëve në këtë vend, jetojnë  në botën e jashtme.

Nga ky prizëm dhe sipas kësaj vije logjike, këtu duhet të përmendet një paradoks i veçantë që ka të bëj me disa pjesëtarë të Diasporës Shqiptare, pra me ata të cilët vazhdojnë gjithnjë ta përkrahin M. Gjukanoviq-in. Kjo përkrahje u shfaq edhe në rastin e zgjedhjeve të fundit  presidenciale të 2 Prillit 2023 ku disa pjesëtarë të Diasporës Shqiptare bën  thirrje publike që të votohet M. Gjukanoviq në këto zgjedhje.

Paradoksi qëndron në ate se të njëjtit pjesëtarë të Diasporës janë detyruar të largohen nga vendlindja e tyre dhe të emigrojnë në botën e jashtme pas viteve “90-ta e, mu për shkak të politikës së diskriminimit ekonomik por edhe politik, për shkak të mos zhvillimit e mos investimit apo për shkak të papunësisë dhe të pa përspektivës që pushteti i M. Gjukanoviq-it dhe partia e tij (PDS) kanë udhëhequr vite me radhë ndaj vendbanimeve shqiptare.

Shqiptarët në Mal të Zi gjatë pushtetit të Gjukanoviqit, ishin lypsarë të të drejtave të tyre në vendin e vet 

Që nga viti 1990 e deri në vitin 2020, gjatë periudhës kur Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) ka udhëhequr me pushtetin në Mal të Zi ( bashkë në koalicion edhe me parti të tjera), shumica e kërkesave e shqiptarëve në Mal të Zi, pra kërkesat që kanë të bëjnë me statusin politik dhe shoqëror të tyre në këtë shtet, nuk kanë hasur asnjëherë në mirëkuptim nga ana e këtij pushteti. Në fakt, kërkesat e shqiptarëve nuk ishin gjë tjetër veçse të drejta legjitime të tyre të garantuara me kushtetutën e dhe me ligjet në fuqi në Mal të Zi. Shpeshëherë këto të drejta janë (keq)përdorur në mënyrë perfide nga Podgorica si karrem për të tërhequr shqiptarët që ata të jenë pjesë e pushtetit  dhe të qeverisjes qendrore.

Të marrim për shembull të drejtën e përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në organet e administratës dhe qeverisjes shtetërore,si e drejtë e cila është e garantuar me Kushtetutën e Malit të Zi,por që çdo herë, sidomos para zgjedhjeve parlamentare bëhej objekt negocimi i PDS-së me subjekte të caktuara politike shqiptare që pretendonin të ishin pjesë e pushtetit. Pyetja që shtrohet është se pse bëhej marrëveshje për diçka që automatikisht duhet të jetë e drejtë ligjore dhe kushtetuese e shqiptarëve?!.

Pra, gjatë kohës së qeverisjes së PDS-së, të drejtat legjitime të shqiptarëve kanë qenë gjithëmonë në mëshirën e pushtetit qendror,realizimi i të cilave mvarej nga vullneti politik i tij, duke i kthyer shqiptarët në lypsarë i të drejtave të tyre që iu takojnë.

Shembulli më tipik i kësaj ishte Komuna e Malësisë me ç’rast realizimi i rikthimit të statusit të plotë dhe me të drejta të barabarta të saj me komunat e tjera në Mal të Zi, u refuzua nga pushteti i M. Gjukanoviq-it për 27 vite me radhë, për llogaritjet politike të partisë së tij.

Të drejtat e një populli autokton i cili jeton në trojet e veta stërgjyshore, siç janë pra shqiptarët në Mal të Zi, nuk do të duheshin asnjëherë të jenë pjesë e diskursit politik  por të drejta të garantuara ligjore dhe kushtetuese.Përveç kësaj,Mali i Zi ka nënshkruar shumë marrëveshje e konventa ndërkombëtare të cilat garantojnë dhe sigurojnë të drejtat e popujvë pakicë ku bëjnë pjesë shqiptarët.

Millo Gjukanoviq, ishte personifikim i korrupcionit ekonomik dhe politik

Kur  përkrahet një politikan si M. Gjukanoviq, atëherë përkrahet një politikan mbi të cilin rëndojnë shumë akuza për korrupcion.Sipas burimeve të shumta të mediumeve të pavaruara dhe organizatave jo qeveritare ndërkombëtare që merren me aktivitetet e liderëve politik, kanë raportuar vazhdimisht për krimin e organizuar,për korrupcionin politik dhe ekonomik që e ka përcjellë dhe e ka karakterizuar Malin e Zi gjatë gjithë kohës që me pushtetin e tij ka udhëhequr M. Gjukanoviq.Në vitin 1915 M.Gjukanoviq u shpall “Person i vitit për krim të organizuar dhe për korrupcion” nga OCCRP(Orginized Crime and Corruption Reporting Project),një organizatë e njohur e cila merret me hetimin dhe zbulimin e korrupcionit të udhëheqësve qeveritar në vendet e ndryshme të botës.Revista britanike “Indepedent” e datës 19 Maj 2010 e vendosi Millo Gjukanoviq-in në një ndër 20 liderët më të pasur botëror, me vlerë prej 10 milion funta ku shfaq dyshime lidhur me prejardhjen e pasurisë së tij,duke pasur parasysh se si kryeministër qeverie,ai kishte pagën prej 1300- 1700 euro dhe ishte pushtetar i një ndër shteteve më të varfëra në rajon. Kurse sipas revistës “Forbes”,familja e Millo Gjukanoviq është një ndër familjet më të pasura në Mal të Zi me vlerë prej $167 milion dollarë ,por për pasurinë e vertetë të tij nuk egzistojnë të dhëna transparente. Një ndër mënyrat e pasurimit të Millo Gjukanoviq-it ka qenë edhe përmes shfrytëzimit të konfliktit të interesit, keqpërdorimit të pozitës (pozitave) të tia udhëheqëse shtetërore ,përmes korrupcionit, përmes pastrimit të parave etj.

Si përfundim,

Mali i Zi tani ka presidentin e ri dhe pas zgjedhjeve parlematare të muajit të ardhshëm do të këte edhe kryeministrin e ri.

Por pa marrë parasysh se kush është president si dhe kush do të jetë kryeministër i ri, aspiratat dhe sfidat e shqiptarëve në Mal të Zi për më shumë të drejta dhe për një status më të avancuar shoqëror dhe politik, do të vazhdojnë të jenë temë edhe në të ardhmen.

Është për keqardhje që në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen me 11 Qershor 2023 faktori politik shqiptar garon i ndarë, pjesa më e madhe e tyre dalin me dy lista zgjedhore, kurse një parti tjetër politike shqiptare garon në kualicion parazgjedhor me PDS-në. 

Derisa faktori dhe përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Mal të Zi, vazhdojnë të jenë të përçarë, 

derisa mungon një unitet, kohezion dhe angaxhim i përbashkët i tyre në shërbim të interesit të përgjithëshëm, e që është përmirësimi i statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, shqetësohem dhe brengosem se ashtu si gjatë pushtetit 30-vjeçarë të M. Gjukanoviq-it ,ata do të vazhdojnë edhe më tutje të jenë lypsarë  i të drejtave të tyre në vendin e vet.

Xheladin Zeneli

Maj 2023