Qëllimi i Fondit është që ta ndërtojë një urë lidhëse midis ekonomisë së Kosovës dhe tregjeve ndërkombëtare financiare

Intervistë me Profesorin e Asociuar të Virginia Tech, Besnik Pula

Kam shumë shpresë që Fondi do të nxisë interesim nga profesionistë shqiptaro-amerikanë nga fusha e financave, meqë ata do të mund të sjellin një përvojë tepër të vyer për Fondin nga puna e investitorëve institucionalë, që është modeli që ne po synojnë të ndërtojmë më Fondin.

Nga Ruben Avxhiu

Ngjarja më madhore e ditëve të fundit në plan afatgjatë për historinë e re të Kosovës nuk do të jetë kriza në veri por nisja e rrugës së Fondit Sovran të Kosovës.

Në qoftë se do të kurorëzohet me sukses, Fondi ka potencialin që të shndërrojë ekonominë e Kosovës duke e shkundur nga status-quoja. Do të ketë mundësi serioze që shumë prej ndërmarrjeve publike në Kosovë, në vend që të jenë barrë për shtetin dhe faktor plogështimi ekonomik, të kthehen në burime fitimprurëse dhe tërheqje për investime nga jashtë.

Kosova mund të vendoset me guxim në tregjet ndërkombëtare financiare. Shqiptarët e Amerikës mund të shohin një kthesë të rëndësishme në klimën e ekonomike të vendit duke u dhënë mundësi që njëkohësisht të ndihmojnë atdheun duke fituar edhe vetë financiarisht, në mënyra që deri më sot kanë qenë të pamundura.

Për të kuptuar më mirë procesin që çoi në krijimin e Fondit Sovran dhe mundësive të mëdha që vijnë me të, gazeta “Illyria” bisedoi me profesorin Besnik Pula, që luajti një rol kyç në hartimin e Koncept Dokumentit që shërben si bazë për realizimin e Fondit.

INTERVISTA

Së pari, urime për pozitën e re të Drejtorit të Studimeve Ndërkombëtare në Departamentin e Shkencave Politiken ë Universitetin Teknik të Virxhinias (Virginia Tech) dhe për kontratën me shtëpinë e njohur botuese Routledge për librin tuaj të ardhshëm.

Ka qenë një periudhë arritjesh për ju, ku një vend të veçantë zë padyshim hapja e rrugës për Fondin Sovran të Kosovës, për të cilin shërbyet si kryetar i grupit të punës që prodhoi dokumentin konceptual për këtë Fond.

Si u kristalizua kjo si ide dhe si ndodhi që u angazhuat personalisht në këtë projekt?

Faleminderit Ruben dhe e çmoj këtë mundësi për të diskutuar këtë temë me ty për lexuesit e gazetës “Illyria”. Ideja e Fondit Sovran u përfshi për herë të parë në fushatën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje të vitit 2017. Ajo ishte një artikulim institucional i konceptit të Lëvizjës Vetëvendosje për shtetin zhvillimor si një nga alternativat ekonomike që ofronte Lëvizja. Meqë kisha qenë pjesë e ndërtimit të këtij koncepti, në shtator 2021 u ftova nga kryeministri Albin Kurti për të udhëhequr një grup punues i cili do të hartonte koncept dokumentin për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës. Me mandat nga qeveria e Kosovës, në tetor 2021 nisi puna e grupit punues të përbërë nga unë dhe ekspertët Emanuel Bajra, Dr. Arta Hoxha, Tea Blakaj dhe Edison Jakurti. Ky ekip më janar 2022 dorëzoi Koncept Dokumentin në fjalë i cili u miratua nga qeveria më prill 2022. Koncept dokumenti prezanton nevojën, objektivat dhe arkitekturën bazë të Fondit dhe shërbeu si bazë për hartimin e projekt-ligjit për Fondin Sovran. Hartimi i projekt-ligjit, një punë mjaft komplekse për shkak të kompleksitetit të vetë institucionit, tashmë ka përfunduar në saje të punës së koordinatorës nacionale për Fondin Sovran, znj. Rrezarta Pllana, e emëruar nga qeveria në qershor 2022.

Mbase e keni përsëritur shumë shpesh këto ditë gjatë qendrimit që sapo përfunduat në Kosovë, por nëse mund të përmblidhni me pak fjalë edhe për lexuesit tanë, çfarë është Fond Sovran, çfarë ndryshimi thelbësor do të sjellë ai në ekonominë e Kosovës?

Fondi Sovran do të jetë korporatë investive dhe financiare në pronësi të Republikës së Kosovës. Mandati i tij kryesor do të shtrihet mbi ato që sot janë ndërmarrje publike të Kosovës, veçanërisht ato që kanë karakter komercial siç janë ato në fushat e energjisë, telekomunikacionit dhe minierave. Siç dihet, këto ndërmarrje, pas një periudhe mjaft të vështirë në aspekte komerciale, teknike e menaxheriale, kanë nisur një ringjallje gjatë dy viteve të fundit duke shënuar performancë të shtuar financiare. Fondi Sovran do të jetë një shtytës për ristrukturimin e mëtejmë të këtyre ndërmarrjeve duke siguruar investime, mbështetje profesionale dhe teknike për ristrukturim dhe ndërtim të strategjive komerciale, si dhe qasje në tregjet financiare ndërkombëtare. Fondi Sovran gjithashtu do të trashëgojë një numër asetesh që aktualisht menaxhohen nga Agjensia Kosovare e Privatizimit (AKP). Të gjitha këto do të përbëjnë bazën asetore të Fondit Sovran, me qëllim të funksionalizimit dhe komercializimit sa më të suksesshëm të aseteve dhe vendosjen e tyre mbi një bazë profitabile që do të gjenerojë si investime të reja strategjike ashtu dhe një fond rezervë për nevojat e vendit.

Çfarë mund të realizojë Fondi Sovran që format e tjera të administrimit e pronësisë nuk e bëjnë apo nuk e kanë bërë dot? Cilat janë disa nga avantazhet më të lehta e më të qarta për t’u kuptuar nga lexuesi ynë?

Sektori i ndërmarrjeve publike sot menaxhohet nga një strukturë thuaja disfunksionale institucionale. Qeveria përzgjedh bordet e ndërmarrjeve por pas kësaj nuk ka asnjë ndërveprim domethënës midis aksionarit (qeverisë) dhe ndërmarrjeve, përveç kur këto të fundit shkojnë për të kërkuar mbështetje financiare nga qeveria. Ky sistem ka krijuar joefiçiencë të madhe, humbje financiare për shtetin, por edhe keqpërdorime me pasurinë dhe asetet publike përmes ndërhyrjeve politike në ndërmarrje dhe klientelizmit partiak që janë të njohura nga e kaluara. Ministria e Ekonomisë ka një njësi që merret me monitorimin e ndërmarrjeve por kjo njësi asnjëherë nuk ka qenë efikase sepse nuk është dezajnuar të jetë e tillë.

Me Fondin Sovran kjo situatë ndryshon radikalisht. Aksionari më nuk do të jetë i fjetur dhe pasiv por i zgjuar dhe aktiv në menaxhimin e aseteve që janë pronë e publikut. Ai rrit eksponencialisht llogaridhëniën, në të njëjtën kohë siguron mbështetje për ndërmarrjet në aktivitetet e tyre primare, por edhe në mirëmbajtjen e tyre në baza të shëndosha financiare. Kjo sepse Fondi do të udhëhiqet nga një logjikë financiare dhe jo të asaj administrative e as politike, dhe këtë parim do të instalojë edhe tek ndërmarrjet.

Ngjashëm me asetet që janë nën AKP-në, aty ka asete me vlerë por të cilat AKP-ja nuk ka mandat t’i komercializojë, të paktën jo në forma të qëndrueshme sepse ky nuk është mandati i AKP-së. Dihet se edhe procesi i privatizimit në Kosovë ka qenë shumë problematik në shumë aspekte. Fondi Sovran sjell një frymë të re edhe për këto asete që tani gjejnë mundësi rigjenerimi me investime nga Fondi por edhe me bashkëinvestime nga investitorë të brendshëm e të jashtëm.

Nga një anë Kosova është e vonuar në krijimin e një fondi sovran, nga ana tjetër ka avantazhin që të përfitojë nga përvoja e të vendeve të tjera, që të përshtasë metodat që kanë pasur sukses. Sa ju ka vlejtur juve vetë shembujt nga bota dhe si do të bëhet e mundur që edhe në të ardhmen kur Fondi të fillojë funksionimin?

Fondet sovrane për Kosovën dhe botën shqiptare në përgjithësi janë koncept jo shumë i njohur, por në botë sot ekzistojnë mbi 170 fonde të ngjashme në të gjitha kontinentet dhe nga shtetet më të pasura deri ato që janë në zhvillim të hovshëm. Në natyrisht jemi mbështetur në modelet e fondeve që veprojnë në shtetet demokratike, duke ndërtuar një linjë të qartë të transparencës dhe llogaridhënies nga Fondi tek Kuvendi dhe një model orientues por jokomandues Qeveri-Fond. Modeli i Fondit tonë është ai i fondit aset-menaxhues dhe investues strategjik. Si i tillë, Fondi dallon nga fondet sovrane që ekzistojnë në vendet eksportuese të naftës dhe mineraleve të tjera, të cilat merren me menaxhimin e rezervës së krijuar nga shitja e tyre e me të cilat shpesh ngatërrohet koncepti ynë. Pra, ne kemi shikuar më shumë kah Irlanda, Sllovenia e Greqia si modele fondesh se sa kah Norvegjia, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në dua të hyj në politikë këtu, por në fund, shumë gjëra varen edhe nga vullneti politik. Projektligji duhet të kalojë në Kuvend. Për fat të mirë, Vetëvendosja dhe kryeministri Albin Kurti mbeten forcë e rëndësishme shtytëse në përparimin e këtij procesi, por rëndësia e këtij Fondi duhet të kuptohet nga shoqëria e gjerë që të mos pengohet thjesht për hir të politikës së ditës. Sa jeni optimist se Kuvendi do të dijë të tregojë përgjegjësi, jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen si përzgjedhës i Bordit Mbikqyrës të Fondit?

Unë jam optimist se përkrahja do të jetë e gjerë për Fondin, për dy arsye. E para, ky Fond nuk vjen si diçka e papritur duke qenë se ka qenë pjesë e programit zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje dhe është gjithashtu pjesë e Programit qeveritar. Pra, qytetarët e presin realizimin e këtij premtimi. E dyta, alternativë e Fondit është status quo-ja, e kjo është që ndërmarrjet publike të lihen nën mëshirën e fatit siç janë lënë deri tani, që domethënë ato të vazhdojnë të shkojnë drejt degradimit e zhvleftësimit brenda një periudhe jo të gjatë. Modeli aktual i qeverisjes së tyre është thjesht i paqëndrueshëm kurse nuk kam parë të jetë propozuar ndonjë alternativë tjetër.

Synimi ynë është që Fondi të vihet në baza të shëndosha profesionale qysh në start. Mendoj se nëse Fondi fillon me një këmbë të mbarë dhe me një menaxhim profesional, do të krijohet një frymë që do të jetë vështirë të cenohet në të ardhmen.

Gjithashtu, në projekt-ligj janë caktuar kritere rigoroze për profilin profesional e etik të figurave që emërohen në Bordin Mbikëqyrës të ndërmarrjes dhe për përzgjedhjen e tyre mbi baza të meritës akademike e profesionale. Me këtë ne minimizojmë hapësirën për abuzime në të ardhmen, por edhe jemi të frymëzuar nga përvoja e agjensioneve të ngjashme të pavarura në Kosovë të cilat janë menaxhuar relativisht mirë, siç janë Trusti Pensional i Kosovës ose Fondi për Garanci Kreditore.

Në komunitetin shqiptar është promovuar herë pas here në dy dekadat e kaluara, AKP-ja, mundësia e investimit në Kosovë etj. Megjithë entuziazmin dhe dëshirën, me pak përjashtime të dalluara, investimet kanë qenë të pakta, por edhe përvoja e privatizimit në Kosovë ka lënë shumë pakënaqësi e debate.

A do të sjellë dalja në skenë e Fondit një interes të ri për biznesmenë dhe investitorë shqiptaro-amerikanët, për ata që punojnë në banka e financë, në firma investimi e korporata amerikane?

Kam shumë shpresë që Fondi do të nxis interesim nga profesionistë shqiptaro-amerikanë nga fusha e financave, meqë ata do të mund të sjellin një përvojë tepër të vyer për Fondin nga puna e investitorëve institucionalë, që është modeli që ne po synojnë të ndërtojmë më Fondin. Gjithashtu, ne synojmë që Fondi qysh në start të ketë një profil global. Lidhjet e financierëve me investitorë dhe institucione simotra do të jenë tepër të vlefshme që Fondi të vendoset në hartën globale të investitorëve kurse Kosova të shndërrohet në destinacion të investimeve. Qëllimi i Fondit është që ta ndërtojë një urë lidhëse midis ekonomisë së Kosovës dhe tregjeve ndërkombëtare financiare. E dyta, tek Fondi parashohim mekanizma që do të mundësojnë investime në asetet e Fondit, qoftë përmes bonove korporative, qoftë përmes shitjes së ekuiteteve, qoftë përmes bashkinvestimeve të projekteve të reja me Fondin si partner. Këto hapin një mundësi të rë për investitorë nga diaspora. Natyrisht, pjesa e tregtimit të këtyre instrumenteve e kërkon një infrastrukturë institucionale që duhet të zhvillohet me kohë, por ne i kemi paraparë këto mundësi në koncept-dokument. P.sh., ne shpresojmë se qeveria shumë shpejt pas Fondit do të merret me ligjin për tregjet e kapitalit, me të cilin do t’i hapet rruga tregtimit të rregulluar të letrave me vlerë.

Jam i sigurtë se e keni kalendarin të mbingarkuar me punën në universitet dhe përfundimin e librit për fenomenologjinë e Albertit Shucit, por a do të vijojë puna juaj me procesin e Fondit Sovran në Kosovë, apo e quani të përfunduar në momentin që paraqitët Koncept Dokumentin?

E vërtetë se angazhimi im kryesor është në universitet dhe siç e thatë më pret edhe puna në përfundimin e monografisë që ka të bëjë me fenomenologjinë dhe metodat e interpretimit në shkencat shoqërore si dhe projektet tjera nga fusha e ekonomisë politike. Megjithatë, meqë kam qenë i angazhuar që nga fillimi në projektin e Fondit, e ndjej obligim që ta mbështes projektin deri në përfundim. Kemi pasur shumë fat që në këtë projekt kanë punuar njerëz tepër vullnetmirë, njerëz që kanë besuar dhe besojnë në projektin dhe për këtë arsye kemi pasë një bashkëpunim të jashtëzakonshëm ekipor që nga fillimi i punës deri tek grupi i cili ka hartuar projekt-ligjin. Koordinatorja Rrezarta Pllana ka qenë person kyç në shtyrjen përpara të punëve për Fondit. Unë do të vazhdoj të angazhohem në çfarëdo forme që mundem deri në ndërtimin e bërthamës së institucionit, pra në momentin kur ai do të merret përsipër nga një bord dhe shef ekzekutiv i rregullt.

Me çfarë përshtypjesh e larguat nga Kosova këtë radhë?

Kosova gjendet në një udhëkryq. Mazhoranca e Lëvizjës Vetëvendosje ka sjell një shpresë të re, por edhe ka ngritur pritshmëritë nga qytetarët. Dhe me të drejtë, meqë Kosova e meriton të jetë vend prosperues, dinamik e i mirëqeverisur. Unë ruaj një optimizëm të matur për vitet e ardhshme. Fondi është vetëm një element për një vend i cili ka nevojë për shumë nisma e reforma të tjera, sidomos ato që do të adresojnë të ardhmen e të rinjëve por edhe të profesionistëve që lehtësisht mund të joshën nga mundësitë për të punuar jashtë vendit e që janë humbje që do t’i kushtojnë shumë ekonomisë së vendit.