Mbresa, kujtime dhe një këngë e bukur kënduar nga Anne-Marie David
Nga dr. Sadik Elshani
Javën e kaluar u mbajt Festivali i Këngës së Evrovizionit dhe kjo ngjarje më solli shumë kujtime nga rinia ime. Por, ky festival i sivjetëm dhe disa të tjerë para tij nuk janë më si ato festivalet e viteve të mëparshme. Gara (konkursi) i Këngës së Evrovizionit, bazuar në festivalin e Sanremos, është një ngjarje muzikore e përvjetshme, organizuar nga Unioni Evropian i Transmetimit (Europian Broadcasting Union), në të cilin secili vend pjesëmarrës paraqitet me një këngë përfaqësuse. Wshtë ky një rast i mirë për secilin vend për t’i paraqitur para botës vlerat e tyre muzikore. Ky festival ka shërbyer edhe si platformë për shumë këngëtarë e grupe muzikore për të arritur famën e tyre ndërkombëtare. Vlen të përmenden këtu sukseset e grupit suedez, ABBA, këngëtarëve Julio Iglesias, Celine Dion e shumë të tjerë. Festivali i parë është organizuar në vitin 1956 dhe është mbajtur në Zvicër, ku fituese e parë ishte këngëtarja Lys Assia, e cila përfaqësonte Zvicrën. Në festivalin e parë kanë marrë pjesë 7 vende, ndërsa sot marrin pjesë 52 vende. Nga viti 2004 pjesëmarrëse është edhe Shqipëria. Ndër vite shumë këngë të bukura janë kënduar në këtë festival nga: Jacqueline Boyer, Isabelle, Aubert, Gigliola Cinquetti, Severine, Vicky Leandros Anne-Marie David, Celine Dion, Julio Iglesias, grupi ABBA e shumë të tjerë. Gjer më tani më së shumti kanë fituar Irlanda e Suedia, nga 7 herë, ndërsa Franca, Luxemburgu, Anglia e holanda, nga 5 herë. Deri vonë në këtë festival më së shpeshti janë kënduar këngë të lehta tradicionale të tipit të baladave, shansonave.
Këtë festival e kam përcjellur rregullisht që nga fillimi i viteve të 70-ta të shekullit të kaluar e deri në vitin 1988 kur e kam kaluar oqeanin dhe për një kohë të gjatë nuk kisha mëmundësi që ta përcillja si dikur. Në rininë time ky festival dhe ai i Sanremos ishin festa të mëdha muzikore, sepse paraqiteshin këngë me vlera të larta artistike, tekste e muzikë të zgjedhur, këngëtarë që interpretonin me shumë mjeshtëri artistike. Tani nga ajo që po shoh e që po lexoj, vlera e këtij festivali ka rënë dukshëm, mbizotëron ekstravaganca mbi elegancën, piroteknika, shfaqja e ngjyrave, britma e vallëzime vetëm për ta maskuar cilësinë e dobët të këngëve. Nuk është më ai festival që ishte përpara. Ndoshta është çështje moshe, nostalgjie, apo ndoshta secila kohë i ka ritmet, muzikalitetin e vet. Por, duke dëgjuar në Youtube muzikë të viteve të mëhershme has në komente nga shumë të rinj, të cilët me shumë adhurim shprehen për cilësinë e atyre këngëve që tani janë bërë klasike. Disa madje edhe shprehen se paskan lindur në një kohë të gabuar.
Në këtë festival, siç u cek më lart, janë kënduar shumë këngë të bukura, por për mua dhe shumë të tjerë, njëra ndër këngët më të bukura është kënga “Tu te reconnaitras” (“Do ta njohësh veten”), kënga fituese kënduar nga Anne – Marie David në vitin 1973 e që e përfaqësonte Luxemburgun. Këngë shumë e këndshme, e rrjedhshme, me tekst të Vine Buggy-t, kompozuar nga Claude Morgan. Më poshtë po e japim tekstin të përkthyer nga unë dhe këngën të kënduar nga Anne-Marie David.
Do ta njohësh veten
Teksti nga Vine Buggy
Në ëndrrat e fëmijërisë
Në nxënësin që mësuesi e ka ndëshkuar
Në stacionin ku fillon
Avantura e parë e jetës
Në atë që dyshon
Na atë që beson
Ti do të shohësh, do ta njohësh veten
Në çdo çast, në çdo gëzim, në çdo lot
Ti do të shohësh, do ta njohësh veten
Në këtë fëmijë, në mes të këtyre njerëzve, të gjithë si ti
Në ëndrrat e artistit
Që lavdia kurrë s’e ka kurorëzuar
Në këtë botë egoiste
Që mohon atë që ka dashur
Në ata që frikësohen
Në ata që kanë të ftohtë
Ti do të shohësh, do ta njohësh veten
Në çdo çast, në çdo gëzim, në çdo lot
Ti do të shohësh, do ta njohësh veten
Në këtë fëmijë, në mes të këtyre njerëzve, të gjithë si ti
Ti do të shohësh, do ta njohësh veten
Në këtë dashuri që kam për ty
Po, ti do të shohësh, do ta njohësh veten.
(Përktheu nga frëngjishtja: Sadik Elshani)
Philadelphia, më 21 maj 2023
Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.