Rafaela Prifti
E them me ndershmëri se ndoshta nuk do të kisha rast ta lexoja librin nëse nuk do të isha pjesëmarrëse në takimin përurues për librin. Natyrisht nuk arrijmë të lexojmë çdo monografi por pasi e njeh se kush ishte Abdulla Rami atëherë e çmon më shumë rëndësinë e librit. Në jetë mund të takojë të mos njohësh shumë njerëz dhe mos kesh humbur asgjë, por mund të shpëtoj rasti për të njohur dikë dhe ke humbur shumë. Këtë ndjesi më dha libri. Unë po them njohur sepse autorja vërtet të njeh jo vetëm me data e të dhëna biografike por më së shumti me intelektin mendor dhe brendinë shpirtërore të Ramit. Këtë e arrin një autore që ka dhunti rrëfimi, ka kulturë të gjerë dhe e ka hulumtuar imtësisht subjektin por edhe një autore të cilës i rrjedh në damarë trashëgimia atdhetare dhe mjeshtëria gjuhësore e Abdulla Ramit. Pra si mbesë, Ermira ka shkruar historinë e gjyshit te saj. Si autore, Xhomaqi ka shkruar një monografi për Abdulla Ramin; i lindur në Tatzat të Labërisë, i shkolluar nga Egjypti në Liceun e Korçës, diplomuar nga katedra e jurisprudencës së Universitetit të Montpellier, gjykatës paqtues në Gjilan 1942-1944, Përmet, Konispol, i arrestuar menjëherë pas çlirimit – i dënuar me 30 vjet burgim, prej të cilave vuajti 18 në burgje famëkeqe si ai i Burrelit, dhe pas tyre, kur doli bëri punë të detyruar në internim.
Siç thotë Jozef Radi në parathënie, libri është takim me krejt gjeneratën e artë të rinisë shqiptare të viteve ‘30. Historia dhe fati i tij janë edhe ato të një brezi të tërë sepse Rami ishte pjesë e intelektualëve që ishin elita shqiptare. Sikur historia e Luftës së Dytë Botërore të mos përfundonte me rënien e vendeve të Evropës lindore në duart e regjimeve komuniste, Abdullai Rami dhe bashkëkohësit e tij do kishin qenë shtetas të një vendi të lirë e të begatë ashtu siç e kishin ëndërruar ata Shqipërinë. Kjo nuk ndodhi atëherë. Ç’është më e keqja, historia edhe sot e kësaj dite ka prirje për përsëritje.
Përtej Harrimit qëmton fakte historike dheparaqitet momente jetësore të Ramit herë pas here në paralele me jetët e bashkëliceistëve dhe diplomantëve të tjerë shqiptarë, por edhe të ndërthurura me figura të Revolucionit Francez apo figura letrare si Invictus te poezitë e përkthyera prej tij, duke dhënë atë që është thelbësore. Ai thotë ndër të tjera se njerëzit vijnë e shkojnë nga kjo jetë, se qytetërimet lulëzojnë e shuhen, se mbretëritë madje edhe perandoritë janë të përkohshme por librat janë të përjetshëm. Dhe Abdulla Rami lindi për të jetuar në libra. Ai erdhi në jetë në Tatzat të Labërisë, u shkollua në shumë qytete e shkolla prestigjioze, u martua e krijoi familje, u dënua me privim lirie dhe kur doli prej andej në moshën 54 vjeçare kishte qenë një të tretën e jetës së tij në burg dhe pjesën tjetër ishte i detyruar të bënte punë të rëndë fizike që nga hekurthyes, ndërtimtari dhe bujqësi. Në secilin prej atyre momenteve jeta në një regjim të egër komunist mund të merrte një kthesë të parashikueshme, por jo librat, ato ishin e qëndrueshmja konstante. Kujtoj rrëfimin e familjares që ka sjell Ermira në libër. Pasi ai ndërroi jetë, familja i mori librat e tij me karrocë dhe të frikësuar prej arrestimeve e bastisjeve që mund të ndodhnin papritmas dhe në cdo kohë, i fshehën në një sënduk poshtë jorganeve. Dhe vërtet kur erdhën forcat e rendit të arrestonin një anëtar të familjes, librat dhe dorëshkrimet e Ramit shpëtuan ngaqë operativët nuk hynë në dhomën e gjumit. Jeta e tij ishte përkohshmëria, librat ishin përjetësia.
Ky është përurmi i parë i librit Përtej Harrimit në Amerikë. Prej këtej mund të nisë një cikël i prezantimit të librit në bashkësitë shqiptare nga një cep i Amerikës në tjetrin, madje edhe në shkolla dhe komunitete frankofone. E them këtë sepse libri i Ermirës i bie një këmbane alarmi për të tatëpjetën që ka marrë Shqipëria, është një sinjal se koha që krijoi Enver Hoxhën nuk ka perënduar, dhe sesa kohë që ka diktatorë dhe grabitës të lirisë si Enver Hoxha, do ketë edhe antikomunistë dhe viganë të mendimit si Abdulla Rami.