Blinken: Kurti të tërheqë forcat policore, Vuçiq të ulë nivelin e gatishmërisë së ushtrisë

Uashington, 31 maj 2023 – Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, u bëri thirrje të gjitha palëve në Kosovë, të punojnë për të ulur tensionet në veri të vendit.

Në një deklaratë të Sekretarit Blinken, të publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit, thuhet se “Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia”, ndërsa “Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”.

Blinken ka thënë se Kosova dhe Serbia “duhet menjëherë të angazhohen në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga BE-ja”. 

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet. Shtetet e Bashkuara e dënojnë dhunën e djeshme të papranueshme kundër trupave të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të rendit dhe gazetarëve.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për hyrjen me forcë në ndërtesat komunale i përshkallëzoi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative, jashtë ndërtesave komunale, dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia. Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë të sfidojnë KFOR-in dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.

Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet menjëherë të angazhohen në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antny Blinken.

Edhe nga profili i tij në Twitter, z. Blinken u ka bërë thirrje të dyja palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për uljen e tensioneve midis tyre.

Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmet e djeshme kundër forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe u kërkojnë të dyja palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet dhe që t’u rikthehen bisedimeve për normalizim, të udhëhequra nga BE”, shkruan Blinken.

Kjo është hera e dytë brenda tri ditësh që Sekretari amerikan  i Shtetit u bën thirrje autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë që të ndërmarrin veprime për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

(r.m.)