Vuçeviq: Serbia i ka përcaktuar vijat e kuqe, ushtria është e gatshme të kryejë detyrat e saj

Beograd, 31 maj 2023 – Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha të mërkurën se situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme.

Vuçeviq i përsëriti akuzat e Beogradit zyrtar se fajtore për këtë situatë janë autoritetet në Kosovë, ndërsa vendimet e Qeverisë së Kosovës i cilësoi si “të njëanshme, të paligjshme dhe jolegjitime” .

Ministri serb i Mbrojtjes tha se Serbia i ka përcaktuar vijat e kuqe të saj dhe ushtria e saj është e gatshme të përballet me çdo kërcënim të interesave shtetërore e kombëtare të serbëve .

“Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë çdo detyrë, ndërsa, nga aspekti politik, Serbia e ka përcaktuar se cilat janë vijat e kuqe kur ajo gjendet në një situatë, në të cilën i kërcënohen interesat jetike kombëtare dhe shtetërore. Po flasim për – Zoti na ruajt – skenarë ku dikush vret serbë”, tha Vuçeviq.

Ai tha se Forcat e Armatosura të Serbisë do të jenë në gjendje të lartë të gatishmërisë luftarake derisa të vlerësohet se interesat kombëtare dhe shtetërore të Serbisë janë të kërcënuara dhe derisa ka rrezik të lartë të sigurisë në Kosovë.

Vuçeviq tha se autoritetet serbe nuk janë të kënaqur me veprimet e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që ka marrë përsipër sigurinë në pjesën veriore të Kosovës.

“Kemi komunikim të vazhdueshëm dhe shkëmbejmë informacione, por vëmë në dukje edhe mosmarrëveshjet për disa çështje, sepse nuk jemi të kënaqur me veprimet e KFOR-it”, tha Vuçeviq.

Ai tha se KFOR-i duhet t’i largojë njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e Kosovës, duke theksuar se “ky është parakusht për qetësimin e situatës” atje.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të martën se presidenti Aleksandar Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë “duhet ta ulin niivelin gatishmërisë së Forcave të Armatosura dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë të sfidojnë KFOR-in dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”.

Të hënën, protestuesit serbë në Zveçan sulmuan me mjete të forta, me mjete të mprehta e koktej molotovi pjesëtarët e KFOR-it në hapësirën pranë ndërtesës së komunës. Gjatë sulmeve janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë plagë me armë zjarri.

(r.m.)