Hill: Kosova do t’i bartë pasojat e veprimeve të qeverisë së saj në veri

Beograd, 31 maj 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Kosova do t’i bartë pasojat për veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit.

“Ne ia kemi bërë shumë të qartë Prishtinës se ne i kundërshtojmë veprimet e Qeverisë Kurti. Sekretari [amerikan i Shtetit, Antony] Blinken, ka qenë, po ashtu, shumë i qartë se do të ketë pasoja në marrëdhëniet me Prishtinën”, ka thënë Hill para gazetarëve në Beograd.

Ambasadori amerikan paralajmëroi se nuk duhet të humbet fokusi nga dialogu i Brukselit, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shtoi se Ballkani Perëndimor duhet të ecë drejt integrimit evropian.

Hill iu referua deklaratave të sekretari amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili i bëri thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.

Më 31 maj Blinken përsëriti se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet “në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”.

Të premten, në një deklaratë tjetër, sekretari Blinken ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, vendim ky që “i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.

Kurti, një interviste me Guardian, është shprehur i pakënaqur me deklaratën e Blinkenit.

“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, ka thënë Kurti për deklaratën e sekretarit Blinken.

“Ndoshta Sekretari Blinken do ta sqarojë këtë gjë më shumë një ditë, por definitivisht nuk ka qenë e dobishme”, ka shtuar ai.

Opozita në Kosovë e ka bërë Kurtin fajtor për tensionim të marrëdhënieve me aletatët e Kosovës, sidomos SHBA-të. Liderët e partive opozitare i kanë bërë thirrje Kurtit të tregojë maturi politike, ta ndryshojë qasjen dhe të zgjedhë të ardhmen dhe rrugën euro-atlantike të Kosovës.

(r.m.)