Nga Keze Kozeta Zylo
Me hidhërim e morëm lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të shquar të Kombit Naum Priftit. Natyrshëm kur ke një jetë që i ke lexuar veprat e tij dhimbja bëhet dhe më e ndjeshme, ashtu si për çdo lexues dhe dashamirës të rrëfimtarit plot sqimë Naum Priftit.
E pamundur të përmbledhësh jetën dhe veprën e tij ne një homazh lamtumire, por ajo që e them me shumë dashuri është se vepra e tij do të rrojë sa ulliri.
Në këtë ditë po ndaj me ju takimet e shumta që kemi bërë si TV “Alba Life” inervista, biseda, por ajo që do të ngelet gjatë sa pema e ullirit është ardhja e Tij pranë Shkollave Shqipe “Alba Life” e më konkretisht e në një nga degët e saj në Brooklyn. Naum Prifti si me urdhër prej Perëndie ka lindur në Ditën e Shenjtë të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit që e donte aq shumë. Në vitin 2012 Naum Prifti së bashku me bashkëshorten e tij Rinën, një dashuri e përjetshme dhe e suksesshme qysh në bangat e shkollës erdhën dhe puthën kokë më kokë nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit.
Z. Qemal Zylo themelues dhe drejtor i shkollave shqipe pasi i falëndeoi përzemërsisht mësuesit tha se dita e sivjetshme e 7 Marsit të vitit 2012-të për nxënësit dhe mësuesit e shkollës sonë ka surprizën e këndshme, sepse do të festojmë së bashku 80 vjetorin e ditëlindjes së shkrimtarit të shquar z.Naum Prifti. Z.Naum Prifti ka 60 vjet që shkruan dhe boton libra, ku një kontribut të veçantë ka dhe për ju të dashur fëmijë që jeni njohur herë pas here me tregimet dhe përrallat e tij aq të dashura.
Shkolla Shqipe është krenare që sot në këtë ditë të shenjtë feston ditëlindjen e tij dhe i uron jetë të gjatë dhe krijimtari të pashterrshme. Fjala e tij u ndërpre nga duartrokitjet dhe ndërkohë iu dhurua nga një buqetë me lule të freskëta z.Naum dhe bashkëshortes së tij fisnike znj.Rina.
Në ekran ishte shfaqur portreti i shkrimtarit dhe fragmente të ndryshme nga krijimtaria e tij.
Dea Bejleri prezantuesja e talentuar e programit tha se këtë 7 Mars sivjet e kemi shumë të veçantë, nga se midis nesh kemi shkrimtarin e shquar zotin Naum Prifti ndaj nga zemrat tona të vogla edhe pse larg Atdheut i urojmë në gjuhën shqipe, që ai aq ëmbëlsisht shkruajti tërë jetën: “Gëzuar ditëlindjen e 80-të dhe të rroni sa malet”!
Pas gjithë kësaj feste kaq të këndshme dhe patriotike fjalën e ka marrë shkrimtari i shquar z.Naum Prifti i cili ka falënderuar themeluesit e shkollës dhe gjithë mësuesit për këtë punë të shkëlqyer dhe njëkohësisht foli dhe për krijimin e shkollës së parë shqipe në Korçe për të cilën Kombi ynë përulet me respektin më të madh në çdo 7 Mars.
Ai tha se Martirët e Gjuhës Shqipe luftuan deri në pikën e fundit të gjakut të tyre për të mbajtur gjallë atë. Ndonëse ka pretendime që shkollat shqipe rezultojnë më herët, por me dekret dhe të dokumentuar është vetëm shkolla shqipe e themeleuar në Korçë në vitin 1887.
Fjala e tij frymëzoi gjithë nxënësit dhe mësuesit që ta vazhdojnë këtë punë të bukur, pasi vetëm kështu ruhen dhe mbahen në zemër traditat e shkëlqyera të popullit tonë të lashtë.
Me emocion u mirëprit dhe falënderimi i zonjës Rina, bashkëshortetes fisnike të shkrimtarit e cila foli me dashuri nëne për nxënësit, mësuesit si dhe me po aq delikatesë foli fjalë zemre për z.Naum. Dashuria e tyre e pastër ka filluar qysh në bangot e shkollës dhe qëndroi e pastër si ujët e bjeshkëve. Ajo foli me krenari që në krah të saj kishte një bashkëshort shembullor si dhe një shkrimtar shumë të dashur për femijë dhe të rritur.
Pas fjalës së tyre nxënësit mundoheshin kush e kush të merrte fotografi me shkrimtarin Prifti dhe të kishin një kujtim të bukur me të. Z.Prifti ishte i shoqëruar nga bashkeshortja dhe vajza e tij simpatike Rafaela.
Festa e sivjetshme e 7 Marsit do të mbahet gjatë në kujtesën e nxënësve, ngase ata me krenari dhe dashuri festuan së bashku ditëlindjen e 80-të të shkrimtarit të shquar Naum Prifti, të cilit i uruan nga zemrat e tyre të vogla: “Jetë të gjatë”!
Ne kujtesen time si shkrimtare e paharruar do të mbetet përshëndetja e z. Naum Prifti në 5 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës organizuar aq bukur nga Gazeta “Illyria” me botues të saj z. Vehbi Bajrami.
Midis shumë folësve në podium u ngjit dhe shkrimtari Naum Prifti ku përshëndeti në emër të familjes për vëllain e tij prof. Peter Prifti i cili u përkujtua me nderime në këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës. Pasi ka falënderuar me mirënjohje të pakufishme gazetën e dashur të shqiptarëve “Illyria” Z.Naum tha se vëllai i tij kishte shkruajtur për Kosovën që nga viti 1968 dhe deri me 1999 për 30 vjet rresht. Të gjitha materialet i mblodhi në anglisht dhe u botuan në Columbia “University” ku sensibilizoi mjaft akademikë dhe rrethe shkencore. Ai kujtoi me nderim dhe prof. Safete Jukën, prof.Sami Repishtin, prof.Arshi Pipën per të cilët kishte nderim të veçantë për kontributin e tyre aq të vyer në çështjen e Kosovës.
Naum Prifti (1932) lindi ne Rehove te Kolonjes. U dallua si një ndër shkrimtarët e shquar regjizor bashkëkohor “Mjeshtër i Madh”, sidomos për vëllimit e tij me tregime për fëmije dhe për te rritur. Ai ishte nje humanist i madh sepse siç thoshte:
“We are only as good as the humanism we have inspired onto others because art is not its own purpose.”
Shkrimtari penartë Naum Prifti jo vetem që ishte nje shkrimtar tejet cilësor, por dhe nje aktivist i mirënjohur. Ai ka qenë sekretar për Federatën PanShqiptare “Vatra”për 15 vjet, por edhe Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikane në fillimet e saj ku me vite jemi anëtarë të rregullt.
Ai vërtetë është ndarë nga jeta këto ditë, por “Good men must die, but death cannot kill their names.”
Lutemi që shpirti i Tij te këtë paqe në Parajsë dhe ashtu do të ndodhe sepse i besoj poetit të famshëm irlandez Oscar Wilde i cili ka thënë:
Vdekja duhet të jetë kaq e bukur! Të shtrihesh në tokën e butë kafe, me barërat që valëviten mbi kokë dhe të dëgjosh heshtjen, sepse s’do të ketë të djeshme dhe po aq të nesërme. Të harrosh kohën, të falësh jetën dhe të jesh në paqe.
Lamtumire Naum Prifti, shkrimtar i shquar i Kombi tim!
17 Qershor, 2023
Staten Island, New York