Suboticë (Serbi), 20 qershor 2023 – Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i është lutur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të dëgjojë rekomandimin e Budapestit zyrtar dhe t’i kthejë policët e arrestuar të Kosovës në vendin e tyre.
“Me respekt, ju lus i dashur Aleksandar që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë që mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, tha Obran në Suboticë, gjatë takimit me zyrtarët e lartë të Serbisë.
“Kjo do ta ndihmonte Serbinë në kauzën e saj. Prandaj, po ju kërkoj që ta mendoni këtë”, tha Orban.
Aleksandar Vuçiq tha se ai është duke disktuar me “autoritetet kompetente” lidhur me rastin e tre policëve kosovarë dhe premtoi se ai do të shqyrtojë “çdo kërkesë” të Hungarisë.
Ai tha se policët shqiptarë të arrestuar “po pijnë koka kolë dhe po hanë torta, pjeshkë, rrush dhe çka të duash, ndërsa gjysma e medieve evropiane shkruan se autoritetet serbe nuk po lejojnë që të vizitohen sepse ata janë rrahur”.
Orban e fajësoi komunitetin ndërkombëtar për tensionet në pjesën veriore të Kosovës. Ai e cilësoi të papranueshme që SHBA-të dhe BE-ja i kanë pranuar rezultatet e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të Kosovës.
“Mendoj se është e papranueshme që komuniteti ndërkombëtar të pranojë zgjedhje ku kanë marrë pjesë rreth 4 për qind e votuesve dhe t’i konsiderojë ato të ligjshme dhe t’i njohë rezultatet. Kjo është ajo që ne shohim dhe është e qartë për ne”, shtoi Orban.
(r.m.)