Marrja e Nënshtetësisë (Natyralizimi)

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Në të kaluarën kam pasur disa probleme me ligjin. Më kanë arrestuar, sepse më kapën duke i dhënë makinës pasi kisha pirë. A luan rol kjo gjë në mundësinë për t’u bërë nënshtetas amerikan?

Anonim

Bronx, NY

Duhet të takoheni me një avokat imigracioni përpara se të paraqisni kërkesën për nënshtetësi. Ligjet e imigracionit japin një përshkrim të akteve kriminale që janë me pasoja për çështjet e emigracionit, ku përfshihen dhe aktet që rezultojnë në ndëshkime penale. Një aplikant me një aktivitet të tillë kriminal mund të konsiderohet i “papranueshëm” ose i deportueshëm ose i papërshtatshëm për të marrë çfarë i ka kërkuar emigracionit. Për më tepër, për disa kërkesa që i paraqiten emigracionit, nevojitet që aplikanti të tregojë që ai ose ajo përmbushin kriterin e “karakterit të mirë moral” (Good Moral Character GMC) në mënyrë që të tregojë që kualifikohet për të marrë çfarë i ka kërkuar emigracionit. E kaluara penale mund të luajë rol për të përcaktuar nëse dikush ka ose jo karakter të mirë moral. Dikush që aplikon për nënshtetësi duhet të tregojë që ka karakter të mirë moral. Me karakter të mirë moral nuk nënkuptohet “përsosmëri morale”. Nëse ju kanë arrestuar tani ose në të kaluarën, gjasat janë që të mos i përmbushni kushtet për “karakter të mirë moral” dhe ka raste kur diçka e tillë mund t’ju pengojë të natyralizoheni dhe mund t’ju çojë deri në proçes dëbimi/deportimi.

Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur

Me termin “drejtim i automjetit nën ndikimin e alkoolit” (DUI) nënkuptohen të gjitha shkeljet, në nivel shtetëror dhe federal, që kanë të bëjnë me drejtimin e automjetit në gjendje aftësie jashtë normës si p.sh. “i jep makinës në gjendje të intoksikuar”, “nën ndikim alkooli apo substancash narkotike” si dhe shkelje të tjera që e bëjnë të paligjshmën drejtimin e automjetit kur personi nuk është i aftë për ta kryer diçka të tillë. Në termin e sipërpërmendur nuk përfshihen shkelje më pak serioze si p.sh. drejtimi i pakujdesshëm i automjetit, për të cilën nuk kërkohet dëshmia e paaftësisë.

Autoritet diskrecional në përcaktimin e karakterit të mirë moral — Ka incidente apo krime, madje dhe nga ato që nuk renditen në listën që ofrojnë ligjet e emigracionit, të cilat janë përdorur për të treguar që dikush nuk ka karakter të mirë moral – bëjnë përjashtim rastet kur aplikanti ka arritur të tregojë që janë kryer në rrethana të caktuara të cilat janë vlerësuar nga autoritetet përkatëse si rrethana lehtësuese. 

Dëshmia e dy ose më shumë dënimeve për DUI gjatë pesë (5) viteve që i paraprijnë aplikimit për natyralizim, çon në presupozimin që aplikanti në fjalë nuk ka karakter të mirë moral. Aplikanti mund ta kapërcejë këtë problem nëse ofron “dëshmi thelbësore të besueshme që provojnë të kundërtën” pra që ai ose ajo “ka patur karakter të mirë moral edhe në periudhën gjatë së cilës ai [ose ajo] ka kryer shkeljet (DUI)” dhe “dënimet ishin një përjashtim”. Përpjekjet që bën aplikanti për të reformuar ose rehabilituar veten pas dënimeve të shumta për shkak të DUI-së, nuk përbëjnë në vetvete dëshmi që aplikanti ka patur “karakter të mirë moral” gjatë periudhës kur ka marrë dënimet.

Shkeljet kur je duke drejtuar automjetin – Shkeljet që lidhen me parkimin dhe gjobat për shkelje të trafikut mund të ndikojnë negativisht kur aplikohet për natyralizim. Megjithatë, disa gjykata apeli e mendojnë ndryshe: Mosrespektimi, 23 herë me radhë, i ligjeve që kanë të bëjnë me parkimin nuk justifikon hedhjen poshtë të kërkesës për natyralizim; Mospagimi në kohën e duhur i gjobës prej $50 për shkelje trafiku nuk përbën pengesë për natyralizim; Mospagimi i i shumës së vendosur me gjyq gjatë një padie civile nuk mjafton për t’i mohuar natyralizimin personit që nuk ka paguar. Megjithatë, kur dikush nuk i tregon të gjitha shkeljet në fjalë si dhe nuk arrin të sjellë të gjithë dokumentat që përmbajnë të gjitha shkeljet e trafikut nga ana e tij ose e saj, atëherë diçka e tillë konsiderohet dëshmi e rreme dhe personi shihet si dikush me karakter jo të mirë moral.

Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur ose të intoksikuar — Në një rast kur një aplikant kishte vetëm një shkelje DUI gjatë periudhës 5 vjeçare përpara se të aplikonte [për natyralizim], por 5 shkelje të tilla gjatë 10 viteve të fundit, një dënim ligjor për marrëdhënie seksuale me dikë që sipas  ligjit konsiderohet i/e mitur, dënim ky që nuk ishte dhënë gjatë 5-vjeçarit të lartpërmendur si dhe tregoi mungesë sinqeriteti në përgjigjen e një numri pyetjesh që iu bënë, gjykata e New York-ut ra dakort me vendimin që ishte marrë për të mos ia aprovuar këtij personi kërkesën për natyralizim.

Çdo rast ka specifikat e veta. Nëse jeni arrestuar ndonjëherë, ju këshillojmë fort që të merrni një avokat me përvojë në fushën e emigracionit dhe të konsultoheni me të në mënyrë të ndershme dhe konfidenciale lidhur me të gjitha problemet që lidhen me rastin tuaj.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]