“Kosova – Hyland Peace Mass”: Koncert madhor për Kosovën në Vatikan

Panteon, Rome – Më 21 qershor 2023, në ditën më të gjatë të vitit në Romë, Kosova shkëlqeu me koncertin promovues të vendit.

Koncerti Historik i ekzekutuar nga Orkestra Simfonike Romake dhe nga Kori Ndërkombëtar i Operas u mbajt në kishën më të vjetër dhe objektin më të veçantë në botë, Panteoni i Romës, mrekulli arkitektinike e Perandorisë Romake ku kultura dhe besimi ndërthuren paqësisht, duke u shndërruar në një vend bashkimi mes popujve. Pasuria më e madhe dhe më e çmuar për një vend është kultura. Mbrëmë, në ditën më të gjatë të vitit, Roma shkëlqeu akoma më shumë nga magjia musikore e këtij eventi të përmasave madhështore. Koncerti, nën dirigjimin e Maestro Michele Manganelli u interpretua në mënyrë të përkryer.

Në këtë koncert morën pjesë dashamirës të muzikës, miq të Kosovës dhe të popullit shqiptar, personalitete të njohura në fushën e biznesit, artit dhe politikës. Një vend nderi në këtë eveniment e zuri padyshim Kryeministri i Kosovës Z. Albin Kurti dhe Kardinali Dominique Umbreti , që bashkë me ministra dhe ambasadorë të akredituar në Romë nga vende të ndryshme të botës, përcollën me emocion mbrëmjen muzikore e cila la mbresa të veçanta që do ruhen gjatë në mendjen dhe zemrën e secilit spektator.

Ky koncert është organizuar nga Z. Christopher Hyland i cili ka luajtur një rol themelor që në fillim të viteve ’90 në promovimin e kauzës së paqes dhe lirisë në Ballkan, Naim Dedushaj drejtues “RRBDSH – Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare” dhe Alessandro Biciocchio sekretar i Fondacioni Kardinal “Domenico Bartolucci” në Vatikan.

Një organizim i përmasave të tilla u mundësua falë sponsorizimit të sipërmarrësit dhe veprimtarit nga Venediku, shqiptarit nga Medvegja, Z. Muharrem Salihu, i cili së bashku me Z. Hazis Vardar sipërmarrës dhe kryetar i RRBDSH në Francë, Z. Mustaf Abazi sipërmarrës dhe kryetar i RRBDSH në Gjermani, Z.Naser Berisha sipërmarres dhe kryetar i RRBDSH në Kanada, z. Edmond Hajrizi Rektor i UBT-s, e shumë të tjerë, me zemërgjerësi dhe ndjenjë të thellë patriotizmi kanë bashkuar forcat për arritjen e këtij aktiviteti.

Gjatë tre ditëve u zhvilluan takime të shumta dhe intensive me personalitete të rangut të lartë në Romë dhe në Vatikan. Në fokus ishte promovimi i paqes për të gjithë rajonin tonë, posaçërisht në Jug të Serbisë dhe në Veri të Kosovës.