Tetë senatorë i kërkojnë presidentit Biden të ushtrojë presion diplomatik ndaj Kosovës e Serbisë për t’i dhënë fund krizës

Uashington, 26 qershor 2023 – Tetë senatorë amerikanë i kanë bërë thirrje Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, të ushtrojë presion të fuqishëm diplomatik ndaj Kosovës dhe ndaj Serbisë për t’i dhënë fund krizës aktuale midis dy vendeve.

Në një letër të përbashkët drejtuar Presidentit Biden, senatorët shprehin shqetësimin për vendimet e qeverive të Kosovës dhe të Serbisë, të cilat, siç thuhet, ”vazhdojnë të shtojnë tensionet, në vend t’i ulin ato”.

Senatorët thonë se e mbështesin propozimin e Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve mes Kosovës e Serbisë, si edhe vazhdimin e dialogut pwr zbatimin e marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

“Ne ju bëjmë thirrje që të ushtroni gjithë presionin diplomatik për t’i dhënë fund kësaj krize aktuale dhe për të bërë progres në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ne e mbështesim propozimin e Bashkimit Evropian për Serbinë dhe për Kosovën, i cili përfshin: tërheqjen e kryetarëve nga ndërtesat e komunave në veri të Kosovës; pezullimin e operacioneve policore në afërsi të objekteve komunale njëkohësisht me përfundimin e protestave publike, shpalljen e zgjedhjeve të reja komunale me zotimin për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës nëto; dhe kthimin në dialogun për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës”, thuhet në letër.

“Ne ishim krenarë që Shtetet e Bashkuara luajtën një rol në pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Gjithashtu jemi të lumtur që Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë hapa konkretë për të ndërtuar marrëdhëniet me Serbinë. Ekziston një angazhim dypartiak për të ruajtur lidershipin e fortë të SHBA-së në rajon, por edhe për të siguruar që kapitali ynë diplomatik të mund të përdoret në mënyrë efektive për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura midis dy vendeve”, thuhet në letrën e tetë senatorëve drejtuar Presidentit Biden.

Letra është nënshkruar nga senatorët; Jeanne Sheheen, Chris Van Hollen, Pete Ricketts, Peter Welch, Christopher S. Murphy, Benjamin L. Cardin, Thom Tillis dhe Richard J. Dubin

Letra e plotë:

I nderuari President Biden,

Ne po ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë të sinqertë lidhur me situatën e rënduar në veri të Kosovës, ku nga dhuna e fundit e serbëve kundër Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) në veri të Kosovës mbetën të lënduar afër 40 paqeruajtës të NATO-s. Pas këtyre sulmeve, jemi të shqetësuar për vendimet e dy qeverive, të Kosovës dhe të Serbisë, të cilat vazhdojnë të eskalojnë tensionet, në vend t’i ulin ato. Jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e vazhdueshme të afër 600 trupave amerikanë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Ne i vlerësojmë përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara për de-eskalimin e krizës, por këto përpjekje nuk kanë qenë reciproke, veçanërisht nga Kosova. Rrjedhimisht, jemi të gatshëm të konsiderojmë ndryshimin e mbështetjes së Kongresit.

Shtetet e Bashkuara kanë një histori të gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne ishim krenarë që Shtetet e Bashkuara luajtën një rol në pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Gjithashtu jemi të lumtur që Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë hapa konkretë për të ndërtuar marrëdhëniet me Serbinë. Ekziston një angazhim dypartiak për të ruajtur lidershipin e fortë të SHBA-së në rajon, por edhe për të siguruar që kapitali ynë diplomatik të mund të përdoret në mënyrë efektive për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura midis dy vendeve.

Ne jemi të tronditur nga veprimet aktuale të ndërmarra nga qeveritë e Serbisë dhe Kosovës që rrezikojnë perspektivën për normalizim me vendimet provocative që minojnë perspektivën e përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe. Këtu përfshihen arrestimet e fundit të tre oficerëve të Policisë së Kosovës nga autoritetet serbe më 14 qershor. Vendimi i serbëve të Kosovës për të refuzuar pjesëmarrjen në zgjedhjet komunale dhe veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale ka rezultuar në një përshkallëzim dramatik të tensioneve dhe të dhunës që tani kërcënojnë paqen e brishtë në rajon.

Ne ju bëjmë thirrje që të ushtroni gjithë presionin diplomatik për t’i dhënë fund kësaj krize aktuale dhe për të bërë progres në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ne e mbështesim propozimin e Bashkimit Evropian për Serbinë dhe për Kosovën, i cili përfshin: tërheqjen e kryetarëve nga ndërtesat e komunave në veri të Kosovës; pezullimin e operacioneve policore në afërsi të objekteve komunale njëkohësisht me përfundimin e protestave publike, shpalljen e zgjedhjeve të reja komunale me zotimin për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës nëto; dhe kthimin në dialogun për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ne ju bëjmë thirrje të shtyni të gjitha shitjet e parealizuara të prodhimeve të huaja ushtarake dhe çfarëdo thellimi të marrëdhënieve dypalëshe të sigurisë me cilindo vend. Ne kërkojmë që administrata t’i raportojë Senatit të Shteteve të Bashkuara për të konfirmuar se të dy qeveritë po përmbahen nga çfarëdo veprimi që cenon sigurinë e forcave amerikane që janë pjesë e KFOR-it. Gjithashtu, jemi të gatshëm që, sipas nevojës, të rishikojmë ndarjet buxhetore dypalëshe dhe autorizimet vjetore për të dy vendet .

Zoti President, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur prej shumë kohësh rol konstruktiv në rajon dhe ne duam që kjo përfshirje të vazhdojë. Por këto marrëdhënie duhet të ndërtohen mbi vullnetin e mirë, bashkëpunimin kuptimplotë dhe vlerat e përbashkëta. Ne nuk e shohim episodin aktual të tensioneve si një ngërç të përkohshëm në marrëdhëniet dypalëshe; ne e shohim këtë si moment përcaktues në trajektoren e marrëdhënieve tona me të dyja vendet. Në qoftë se blloqet themelore të ndërtimit të marrëdhënieve nuk janë reciproke, ne ju inkurajojmë të konsideroni edhe hapa të mëtejshëm për të reduktuar marrëdhëniet siç theksuam më sipër.

Sinqerisht

Jeanne Sheheen

Chris Van Hollen

Pete Ricketts

Peter Welch

Christopher S. Murphy

Benjamin L. Cardin

Thom Tillis

Richard J. Dubin

 (r.m.)