Dodik paralajmëron ndalimin e aktiviteteve të Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjës në Republiikën Sërpska

Banjallukë, 27 qershor 2023 – Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të këtij eniteti tha se pas Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës, ai do të ndalojë aktivitetet e Gjykatës dhe Zyrës së Prokurorit të Bosnjës, si dhe të Agjencisë për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) në territorin e këtij entiteti. Sipas tij, ndalesa do të bëhet sepse këto institucione “janë konstituuar në mënyrë jokushtetuese”.

Ai i bëri këto deklarata në Banja Llukë, në mbledhjen e trupit legjislativ, ku po shqyrtohet ligji që thotë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës nuk vlejnë në territorin e Republikës Sërpska.

Dodik, lideri i partisë më të madhe parlamentare, Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), paralajmëroi se kjo do të ndodhë nëse nuk ka marrëveshje politike në Bosnje e Hercegovinë për miratimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës.

Në mbledhjen e tetë të jashtëzakonshme të Asamblesë, deputetët po diskutojnë për draft-ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës dhe pas kësaj seance, pritet të mbahet seanca e re për veton e anëtares së Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, lidhur me ratifikimin e marrëveshjes që parasheh heqjen e vizave me Kosovën.

Në draft-ligj thuhet se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës nuk do të aplikohen dhe zbatohen në territorin e Republikës Sërpska derisa Asambleja Parlamentare e Bosnjës të miratojë Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

Në legjislacion thuhet po ashtu se “personat që janë të detyruar të veprojnë sipas dispozitave të këtij ligji lirohen nga përgjegjësia penale e përcaktuar në ligjet në Bosnje e Hercegovinë lidhur me veprat penale që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe ata do të mbrohen nga institucionet e Republikës Sërpska”.

Propozuesit e këtij ligji janë Millorad Dodik, deputetët dhe Qeveria e Republikës Sërpska.

Në seancën e 21 qershor, në Asamble u miratuan disa konkluzione, mes tjerash edhe ftesa për përfaqësuesit e entiteteve të tjera që të tërhiqen nga Parlamenti shtetëror derisa nuk miratohet Ligji për Gjykatën Kushtetuese.

Përpjekjet e Republikës Sërpska për të miratuar këtë ligj janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar. Këto përpjekje janë kritikuar nga Zyra e përfaqësuesit të lartë, Zyra e Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Ambasada amerikane në Bosnje e Hercegovinë.

(REL)