Në Kosovë, besimtarët muslimanë e bëjnë me shtëpi të re një familje katolike

Prishtinë, 28 qershor 2023 – Ditën e parë të Kurban Bajramit, një imam kosovar bëri një befasi për një familje katolike. Imami Abdurrahman Bejtullahu e dërgoi familjen 6 anëtarëshe të Prenk Ndrecës në fshatin e tyre, në Pjetërshan të Gjakovës, për të parë shtëpinë e tyre të re, në të cilën pritet të vendosen së shpejti.

Prenk Nreca 41-vjeçar, bashkë me pesë fëmijët e tij, të moshave prej 6 deri në 11 vjet, jeton në një banesë me qira në Gjakovë, derisa të pëfundojë ndërtimi i shtëpisë së re, në Pjetërshan.

Nreca përkujdeset i vetëm për fëmijët. Ai është i papunë dhe nevojat elementare për jetesë për familjen  i siguron duke bërë ndonjë punë herë pas here ose nga solidariteti i njerëzve.

Shtëpia e re e kësaj familjeje po ndërtohet me iniciativë të imamit Bejtullahu.

Imami tregon se, në Krishtlindjen e fundit, kishte parë në lajme se familja Nreca jetonte në kushte të rënda, prandaj kishte vendosur të mblidhte fonde për të ndërtuar një shtëpi të re për këtë familje.

Një organizatë joqeveritare grumbulloi afro 25 mijë euro nga familjet muslimane, nga bizneset lokale dhe nga diaspora. Komuna e përkrahu organizatën me 5000 euro, siç e përkrah për çdo shtëpi që ndërtohet për të varfrit. Një kompani ndërtimore vendosi ta ndërtojë falas shtëpinë e familjes Nreca.

Imami Bejtullahu shpreh kënaqësinë që thirrjes së tij iu bashkuan muslimanët, pavarësisht prej përkatësisë fetare të familjes Nreca.

“Kur dikush është në nevojë, njerëzit solidarë nuk e shikojnë fare përkatësinë fetare”, thotë ai.

Ndërtimi i shtëpisë së re të familjes Nreca është pothuajse e përfunduar. Imami Bejtullahu thotë se familjes do t’i dorëzohen çelësat së shpejti.

“Zoti deshi që të vinte Kurban Bajrami, për ta bërë këtë befasi për këta fëmijë”, thotë ai.

Prenk Nreca thotë se ndërtimi i shtëpisë do të kishte përfunduar tashmë, sikur punët ndërtimore të mos vonoheshin për shkak të motit me shi.

“Është gati e përfunduar. Dua ta falënderoj imamin”, thotë ai.

Nreca tregon se Imami Bejtullahu e ka ndihmuar familjen e tij gjatë dimri të kaluar, duke ia paguar gjashtë muaj qiranë e apartamenti në qytet, ku do të jetojë derisa të përfundojë shtëpia e re.

Lajmi për gjestin solidar të Imamit Bejtullahu dhe të besimtarëve muslimanë bëri jehonë edhe në mediet e huaja. Ai cilësohet si shembull i solidaritetit, por edhe i bashkëjetesës fetare në Kosovë.

(r.m.)