Sulmohet një pikë kontrolli e policisë në Mitrovicën Veriore

Prishtinë, 29 qershor 2023 – Një kioskë që përdorej si pikë kontrolli nga Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut është sulmuar me mjete plasëse, të enjten, herët në mëngjes.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se në momentin e sulmit nuk ka pasur policë në atë pikë.

“Rreth 03:00 në mëngjesin e sotëm ka ndodhur një shpërthim që besohet të jetë shkaktuar prej një mjeti pirotektik, të kombinuar me material ndezës”, ka thënë Elshani për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka treguar se kioska që përdorej nga policia është dëmtuar nga sulmi.

Kohëve të fundit janë shpeshtuar sulmet me mjete shpërthyese në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Më 26 qershor, ndërtesa e komunës në Mitrovicën Veriore u sulmua me granatë dore. Shpërthimi shkaktoi dëme materiale. Prokuroria ka hapur rast për “vepër terroriste”.

Në afërsi të stacioneve të Policisë së Kosovës në Zveçan dhe në Mitrovicë të Veriut janëkkryer disa sulme me shok-bomba.

Javën e kaluar, në një veturë me targa të Beogradit, policia e Kosovës zbuloie sekuestroi sasi të konsiderueshme të armëve luftarake, përfshirë predha të minahedhësve të dorës, tromblon mina, granata dore,  armë automatike të gjata e të shkurtëra, municione tëkalibrave të ndryshme,  etj.

Ekspertët e fornzikës konstatuan se shumica e armëve ishin prodhime të Serbisë.

(r.m.)