Janjiq: BE-ja nuk ka kapacitet ta zgjidhë krizën në Kosovë

Beograd, 29 qershor 2023 – Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Serbi, vlerëson se Bashkimi Evropian nuk ka kapacitet apo autoritet mjaftueshëm të fortë për ta udhëhequr procesin e shtensionimit të krizës midis Kosovës e Serbisë.

“Bashkimi Evropian nuk ka kapacitet ta zgjidhë i vetëm krizën në Kosovë dhe këtë problem duhet t’ua kalojë vendeve të QUINT-it – SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë – si dhe aleancës së NATO-s”, ka thënë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

“Në rastin konkret është shumë më e rëndësishme ajo që ndodh në linjën Beograd-Prishtinë-Uashington dhe NATO, se sa ajo që ndodh në Parlamentin Evropian dhe në Komisionin Evropian, sepse të dyja palët do ta dëgjojnë NATO-n”, ka shtuar ai.

Sipas Janjiqit, shtensionimi urgjent i situatës është i domosdoshëm, që aktualisht nënkupton “shuarjen e zjarrit”, që ka nisur qysh me çshtjen e targave të automjeteve, vitin e kaluar. Ai ka thënë se BE-ja nuk ka arritur ta menaxhojë krizën, siç kishte paralajmëruar vitin e kaluar.

“Vitin e kaluar Borrell e Lajçak kanë thënë se po hyhej në një fazë të menaxhimit të konfliktit, por nuk kanë ndërmarrë asnjë masë. Ata kanë vazhduar të merren me politikën e normalizimit”, ka thënë Janjiq.

Por, sipas tij, përgjegjëse për këtë janë edhe vendet e QUINT-it, të cilat i kanë njohur si të ligjshme zgjedhjet lokale të 23 prillit në pjesën veriore të Kosovës, ndonëse ato janë bojkotuar plotësisht nga komuniteti serb.

Janjiq ka thënë gjithashtu se faktori ndërkombëtar nuk e ka vënë në pah sa duhet përgjegjësinë e Beogradit për rritjen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

“Në vitin 2022, Beogradi ka filluar ta ngrisë nivelin e gatishmërisë luftarake të ushtrisë. Vendosja e barrikadave tashmë është bërë traditë. Nga viti 2017, Beogradi e mban një sistem të tërë të institucioneve paralele atje (në veri të Kosovës), siç është ‘Mbrojtja Civile’. Këtë nuk do ta gjeni në asnjë raport të zyrtarëve evropianë”, ka theksuar ai.

Janjiq ka thënë se beson që korniza për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është krijuar në takimin e Ohrit, në muajin mars, është rruga e duhur politikisht. Por, ai ka theksuar se kjo kornizë erdhi në kohë të keqe.

“Edhe një ide e mirë mund të dështojë, kur vjen në një kohë të keqe”, ka theksuar Janjiq.

(r.m.)