Bruksel, 1 korrik 2023 – Një zëdhënës i Bashkimit Evropian, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka konfirmuar gjatë mbrëmjes së 1 korrikut se Qeverisë së Kosovës i ishin komunikuar masat ndëshkuese qysh më 28 qershor, si pasojë e vlerësimit të BE-së se Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.
“Kosova, për keqardhje, akoma nuk i ka bërë hapat e domosdoshëm. Prandaj BE-ja, siç kishte paralajmëruar në deklaratën e tij në emër të shteteve anëtare më 3 qershor përfaqësuesi i Lartë [Josep Borrell], ka marrë vendim për implementimin e disa masave”, thuhet në këtë përgjigje.
Në përgjigjen për REL-in, më pas numërohen masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës.
Ato përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.
“Komisioni Evropian i ka njoftuar autoritetet e Kosovës më 28 qershor [për këto masa]. Këto masa janë të përkohshme dhe krejtësisht të kthyeshme varësisht nga zhvillimet në terren dhe vendimet për shtensionim të situatës nga ana e kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti”, thuhet në përgjigje.
Nga BE-ja rikujtojnë porositë që janë dhënë vazhdimisht gjatë ditëve të fundit për hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve.
Ata përsërisin kërkesat drejt Kosovës që menjëherë të suspendojë operacionet e policisë në afërsi të ndërtesave të komunave në veri të Kosovës, që kryetarët e komunave të ushtrojnë detyrat e tyre nga ndërtesa të tjera, të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme në të katër komunat dhe të marrin pjesë serbët që jetojnë në ato komuna.
Për këto masa ishte paralajmëruar publikisht më 27 qershor. Ndërsa, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 29 qershor, Kurti tha se Kosova në disa raste ka qenë kritike ndaj BE-së, por “asnjëherë cinike dhe as e hidhëruar”, duke shtuar se autoritetet nuk janë të hidhëruara as pas prezantimit të masave ndëshkuese.
Tashmë janë anuluar disa takime të komisioneve të përbashkëta mes Kosovës dhe Serbisë të krijuara sipas MSA-së dhe Kosova nuk është ftuar edhe në disa takime tjera.
Nga BE-ja thonë se “po e monitorojnë edhe sjelljen e Serbisë dhe ekziston mundësia që edhe ndaj asaj të merren masa nëse nuk sillet sipas pritjeve për shtensionim të situatës”.
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.
Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.
Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre, ai ka thënë se nevojitet shtet ligjor.
(REL)