Nga Qerim Vrioni
Midis të huajve, të cilët gjatë qëndrimit në Shqipëri kanë lënë gjurmë me vlera, është edhe studiuesja skoceze, Margaret Hasluck. Ajo është lindur në Skoci (Aberdeen,1886) dhe ndarë nga jeta në Irlandë (Dublin,1948). Pas mbarimit të studimeve e larta në vendlindje, Hasluck udhëtoi në disa vende të Gadishullit të Ballkanit, dhe aty nga vitet 1925-26 erdhi në Shqipëri. Këtu, gjatë viteve 20-30, ajo ka jetuar kryesisht në Elbasan, vijimisht për rreth 13 vite. Madje, edhe në sajë të miqësisë dhe bashkëpunimit me eruditin e atdhetarin e njohur elbasanas Lef Nosi, ajo mësoi të fliste dhe të lexonte mirë në gjuhën shqipe. Hasluck ka lëvizur mjaft edhe në disa krahina të tjera të vendit duke grumbulluar materiale të rëndësishme studimore etnografike dhe gjuhësore. Nga shtegtimet dhe studimet e saj Hasluck, si mike e dashur e shqiptarëve, ka botuar edhe disa libra të vlefshëm (anglisht dhe shqip) me karakter etnografik, historik dhe gjuhësor. Këtu ja vlen të shënohet edhe se, në vizitat nëpër krahina dhe qytete shqiptare, ajo ka realizuar mbi 400 foto të cilat ndodhen në “Institutin Antropologjik Mbretëror të Britanisë së Madhe dhe Irlandës” (“Royal Anthropological Institute of Great Britain and Ireland”) në Londër. Pra, kështu ajo ka kryer kësisoj edhe punën e fotografit profesionist dhe pasionant.
Në opusin e madh fotografik të Margaret Hasluck, përfshihen imazhe me qytetarë në përditshmërinë e tyre, baresha me bagëti, nxënës shkollash, burra dhe gra fshatare në punët e ditës, pamje qytetesh dhe katundesh, kulte dhe rite fetare dhe shoqërore, mjedise mjeksore, personalitete të kohës, shqiptarë duke votuar, po ashtu edhe…muzikantë. Krijimtarija e saj përfshinë disa gjini të fotografisë si p.sh. atë antropologjike, dokumentare, historike, urbane, madje edhe atë të artit.
Fotoja që po shqyrtojmë paraqet një grup muzikantësh të një orkestrine popullore duke ekzekutuar me instrumentat e tyre para disa njerëzve, të rritur e të rinjë, të cilët i dëgjojnë me vëmendje. Në gjuhën e përditëshme të atyre kohëve (madje edhe më vonë), këto grupe muzikore quheshin, saze ose saze popullore çka përfshihej edhe në programacionin e hershëm të Radio Tiranës. Këto merrnin shpesh edhe emrin e qytetit, p.sh. sazet e Përmetit, sazet e Kolonjës etj. Pjestarët e sazeve rëndomë edhe këndonin njëkohësisht duke luajtur në instrumentat e tyre.
Nga ndriçimi i mjedisit nga veshjet e personazheve si dhe hijet, kuptohet se shkrepja është realizuar afër mesditës. Nuk ka ndonjë kumt pamor të shpërfaqur nga fotoja apo të dhënë shtesë deri tani që të tregojë se për çfarë rasti po bëjnë muzikë instrumentistët tanë. Natyrisht repertori i tyre përmbanë melodi popullore të zonës por edhe të krahinave fqinje. Ata janë ulur mbi rrogoz dhe kanë një fiasko (shishe) raki në mes dhe gotat e saj përpara. Në foto dallohen mirë vetëm tri të tilla, dy të zakonshme dhe të tretën të gjatë, ndërsa pas shishes duket cepi i një pjate, me shumë gjasë me pak meze, ndoshta djath, qepë e ndonjë turshi. Madje, nga këto imagjinohet edhe rrëkëllisja e gotës së rakisë pas mbarimit të ndonjë pjese, ose avazi, siç quhej atëherë një melodi e ekzekutuar nga një grup muzikor, shoqëruar me fjalë urimi të rastit. Fotos tonë i njihet viti i saktë i realizimit, 1930, pra më se 90 vjet përpara, veçse jo vendi dhe rasti. Spektatorët ndoshta janë banorë të ndonjë fshati të madh, ose të ndonjë qyteti të vogël. Nga lloji i qelesheve të bardha të tre fëmijëve dhe të dy-tre muzikantëve, mendohet se bëhet fjalë për Shqipërinë e Mesme ose për zona kufitare me të.
Shtatë muzikantët luajnë në instrumentat e tyre dhe që janë, duke filluar nga e djathta e shikuesit : llaudë, violinë, llaudë, gërnetë, darabuk, llaudë dhe fyell (sipas z.Behar Arllati). Nga veshjet e tyre ka të ngjarë që të jenë edhe prej ndonjë krahine me popullsi të përzierë me etni të tjera. Veçse nga ngjyra disi e zeshkët e fytyrave të shumicës së tyre, mund të mendohet se bëhet fjalë për një grup të komuntetit rom, aq të përmendur për grupet (sazet) e tyre që luanin muzikë nëpër dasma dhe gëzime të tjera familjare të shqiptarëve. Kështu, pesë nga muzikantët mbajnë mbi kokë feste të zeza, ndërsa dy të tjerë, qeleshe të bardha. Atë kohë, në vend ende nuk kishte dalë ligji i Mbretërisë Shqiptare (afër fundit të viteve ’30), që i ndalonte shtetasit e saj të vijonin të mbanin në kokë feste turke, por vetëm qeleshe (ose plis) të bardhë shqiptare.
Sidoqoftë ata janë të përqëndruar në ekzekutimin e tyre, kështu dora e përngrirë turbull në foto e muzikanit të parë djathtas shikuesit (me llaudë), tregon se në çastin e fotografimit ajo po lëvizte (koha e zgjatur e mbajtjes hapur të obturatorit). Më ndryshe janë dy duartë e gërnetaxhiut (klarinetisit) që gjatë shkrepjes së aparatit nuk kanë lëvizur fare dhe paraqiten në imazh shumë pastër. Ndoshta përqëndrimi i këtij të fundit tregon se ai është kryesori ndërmjet atyre që po luajne (përveçse ndodhet edhe në qëndrën optike të fotos). Pra fotografja jonë ndoshta ka kaluar aty pari dhe do të jetë tërhequr nga melodia popullore që dëgjohej. E ajo është afruar qetësisht dhe ka shkrepur aparatin për të realizuar një foto-çasti, ashtu si kishte vepruar gjithmonë në raste të tilla.
Duke vërejtur fytyrat e muzikantëve dallohet se ata nuk po shpërfaqin gëzim, hare jo e jo, madje duket edhe sikur melodia është nga ato që luheshin me nota të ulta, ose hiqeshin zvarrë, të cilat quheshin kabá. Këto pjesë vokalo-instrumentale, lëvroheshin kryesisht në Shqipërinë e Jugut. Në më të shumtën e rasteve kabátë shpërfaqnin gjendje të pikëlluara, çka vërehet disi edhe te fytyrat e sazexhinjëve të fotos tonë, ku nuk dallohet asgjë gazmore. Njihen, ndër të tjera kabá me violinë dhe kabá me klarinetë (gërnetë).
Ka të ngjarë që mjedisi i fotos të jetë edhe ndonjë obor shkolle, për këtë nisemi edhe nga një djalë, i cili duket në foto me një libër a fletore para duarve. Mund të jetë edhe ndryshe, djali është duke u kthyer nga shkolla dhe rrugës ka hasur sazet popullore e me kureshtje është ndaluar për të dëgjuar pak muzikë.
Sidoqoftë, duket se klarinetisti në ball të imazhit, e ndjen më shumë nga të gjithë interpretimin, të paktën sa kumtohet nga fotoja. Natyrisht edhe grupi i këtyre instrumentistëve të Hasluck-ut, ndonëse pa arsimim profesional, ka lëvruar muzikën burimore popullore shqiptare e bashkë me shumë të tjerë dhe me vegla të ndryshme tradicionale në të gjithë Shqipërinë. Kështu, të gjithë ata, kush më shumë e kush më pak, krijuan bazën, ose si quhet ndryshe tabanin popullor, mbi të cilin vite më pas, u mbështetën muzikantë të shkolluar që krijuan me sukses muzikën e kultivuar vokale dhe instrumentale të vendit, në të gjitha gjinitë e saj, që nga kënga e lehtë e deri tek opera shqiptare.
Imazhe me muzikë dhe muzikantë janë nëpërkaluar në objektivat e aparateve të fotografëve shqiptarë qysh herët. Shënojmë këtu p.sh. foton e njohur të Pjetër Marubit, të quajtur “Osoja i falltores”, që botohet thuajse në të gjitha albumet e Marubëve dhe daton nga fundi i shekullit XIX. Ajo është shkrepur brenda në studion “Marubi”. Pak ndryshe qëndron puna me këtë foto të Hasluck, ku grupi i muzikantëve ndodhet në një mjedis të hapur dhe është i përqëndruar në ekzekutim, pavarësisht se 3-4 prej tyre kanë drejtuar shikimin e tyre kah aparati.
Duke vërejtur fushat e shumta të përditshmërisë shqiptare të përngrirë në letrën fotografike nga Hasluck, mendojmë se ajo, ka përjetësuar mirë një pjesë të historisë së tyre. Kësisoj, ndoshta është koha për botimin në Shqipëri të një albumi përmbledhës të krijimtarisë së saj fotografike. Madje, pse jo edhe për ngritjen a themelimin e një “Galeria Fotografike Hasluck” ose “Muzeu Hasluck i Fotografisë“ në Elbasan, qyteti ku ajo, për rreth 13 vjet e ndjeu veten si vendase dhe ku në vitin 2010, është vlerësuar (pas vdekjes) me titullin e lartë “Qytetare Nderi”.