Kiev, 3 korrik 2023 – Luftime intensive po vazhdojnë në pjesët lindore dhe jugore të Ukrainës. Kievi ka raportuar se ka shënuar fitore të vogla në fushëbetejë, ku kundërofensiva ukrainase po përballet me rezistencë të fortë nga forcat ruse.
Në një postim më 3 korrik në Twitter, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shkroi se “java e kaluar në vijën e frontit ka qenë e vështirë, por ne po bëjmë përparim”.
“Ne po ecim përpara, hap pas hapi”, shtoi ai.
Ky postim i Zelenskyt erdhi pasi zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Malyar, shkroi në platformën Telegram më 2 korrik se nëntë kilometra katrorë ishin çliruar nga forcat ruse në rajonin e Donjeckut gjatë javës së kaluar, një ndryshim që tha se ishte “rezultat i përmirësimit të pozicionit taktik”.
Në pjesën jugore të vendit, shkroi Malyar, mbi 28 kilometra katrorë ishin rimarrë gjatë së njëjtës periudhë.
Ajo shtoi se “si operacionet sulmuese, ashtu edhe ato mbrojtëse janë duke vazhduar në lindje”, ku tha se “luftime të ashpra po zhvillohen atje tani”.
Ushtria ruse raportoi gjithashtu luftime intensive në zonat përreth qyteteve të rajonit Donjeck, Bahmut, Lyman, Maryinka dhe Avdijivka.
Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të konfirmojë pretendimet e palëve për zhvillimet në fushëbetejë, në zonat e luftimeve të rënda.
Zyrtari më i lartë ushtarak i NATO-s, admirali holandez Rob Bauer, u tha gazetarëve në Bruksel më 3 korrik se kundërofensiva e Kievit, e nisur muajin e kaluar, është “e vështirë” dhe jo “një lojë fëmijësh”.
Bauer e krahasoi kundërofensivën ukrainase me zbarkimet e Aleatëve në Francë më 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Ne e pamë në Normandi, në Luftën e Dytë Botërore, që u deshën shtatë, tetë, nëntë javë që të gjithë aleatët të depërtonin me të vërtetë linjat mbrojtëse të gjermanëve”, tha Bauer. “Pra, nuk është për t’u habitur që [kundërofensiva] nuk po shkon shpejt”.
Në konferencën e tij ditore më 3 korrik, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi 57 sulme ajrore dhe rreth 60 sulme me raketa kundër pozicioneve të Ukrainës gjatë 24 orëve të mëparshme. U raportuan gjithashtu rreth 39 beteja.
Tre raketa lundrimi dhe 13 dronë Shahed u tha se ishin rrëzuar.
Guvernatori i Dnipropetrovsk, Serhiy Lysak, raportoi se sulmet ruse kishin goditur qytetet Marhanets dhe Nikopol gjatë natës së 2 dhe 3 korrikut, duke plagosur një civil dhe duke dëmtuar disa ndërtesa dhe automjete.
Më 2 korrik, klubi PEN i Ukrainës njoftoi se shkrimtarja dhe aktivistja Viktoria Amelina, 37 vjeçe, kishte vdekur një ditë më parë nga plagët e marra më 27 qershor gjatë një sulmi me raketa ruse në një restorant në Kramatorsk.
Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, Amelina kishte dokumentuar krime të supozuara nga forcat ruse për organizatën joqeveritare të të drejtave të njeriut, Truth Hounds.
Trembëdhjetë persona, përfshirë tre fëmijë, u vranë në sulmin në Kramatorsk, ndërsa rreth 60 persona u plagosën.
(REL)