LDK merr vendim për bojkotimin e mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit

Prishtinë, 3 korrik 2023 – Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK0, Arben Gashi, ka bërë të ditur se LDK-ja do t’i bojkotojë mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit, në shenjë pakënaqësie ndaj situatës së krijuar në vend.

LDK e akuzon Qeverinë e Kosovës dhe shumicën në parlament për masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“LDK-ja nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë (të hënën0, për shkak të situatës së krijuar lidhur me sanksionet e BE-së të vendosura ndaj Kosovës. Vlerësojmë që është e dëmshme për Kosovën. Prandaj nuk do të marrim pjesë në mbledhjet e Kryesisë as në të ardhmen”, ka deklaruar Gashi.

“Jemi në një situatë që është shumë e rrezikshme për vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se kryesia e partisë do të marrë shumë shpejt vendime për veprimet e më tutjeshme.

Mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka dështuar, për shkak të mungesës së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e LDK-së.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimosa Kusari – Lila, ka thënë se kryesia duhet të miratonte rendin e ditës të seancës së ardhme plenare të Kuvendit. Ajo ka thënë se në këtë seancë ishte planifikuar të votohej edhe për dy marrëveshje ndërkombëtare.

Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me partitë e komuniteteve joserbe, e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës, por nuk i kanë dy të tretat e votave, sa janë të nevojshme për miratimin e ligjeve sistemore dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare.

(r.m.)