Njeriu e shkrimtari Naum Prifti gjithmonë i dashur e i nderuar te “Bijtë e shqipes”

Shoqata Mbarëshqiptare “Bijtë e shqipes” në Philadelphia organizoi një mbrëmje përkujtimore kushtuar shkrimtarit, humanistit e veprimtarit Naum Prifti

Nga dr. Sadik Elshani

Fotot: Eva Dori, gazetare

Hyrje

Ditën e shtunë, më 1 korrik, Shoqata Mbarëshqiptare “Bijtë e shqipes” në mjediset e saj organizoi një mbrëmje përkujtimore për të përkujtuar e nderuar shkrimtarin e humanistin me shpirt fisnik, veprimtarin e shquar të bashkësisë shqiptaro – amerikane, mikun e shoqates sonë, Naum Prifti, i cili më 17 qershor u nda fizikisht nga kjo botë. Naum Prifti është jo vetëm një shkrimtar i njohur i letërsisë shqipe, por ai është edhe një emër shumë i dashur për mijëra lexues që e kanë shijuar veprën e tij, si dhe për shoqatën tonë. Ishte një mik i sinqertë dhe mbështetës e përkrahës i fortë i shoqatës sonë. Disa herë e kishim në mesin tonë, në festat dhe veprimtaritë që organizonte shoqata jonë. Këto takime gjithmonë ishin të këndshme e të përzemërta, sepse kishim çka të dëgjonim nga goja e tij, nga përvoja e tij shumëvjecare jetësore e artistike. Mënyra e tij e të folurit me mjeshtëri artistike, i qetë e i drejtpërdrejtë, me humorin e tij karakteristik, menjëherë e bënte për vete bashkëbiseduesin. Këto takime do të mbesin gjithmonë në kujtesën tonë si çastet më të bukura të jetës sonë.

Këtë veprimtari e hapi kryetari i shoqatës, z. Dritan Matraku, i cili përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhjen mysafirëve të kësaj mbrëmje përkujtimore. Me pjesëmarrjen e tyre na nderuan: dy vajzat e z. Naum, Julika e Rafaela, si dhe kushërira, znj. Athina Dhimitri; z. Mhill Velaj, kryetar i Shoqatës së Shkimtarëve Shqiptaro – Amerikanë, i shoqëruar nga veprimtarët, z. Prend Qetta dhe z. Mark Qehaja; shkrimtari, poeti, studiusi e veprimtari, dr. Bexhet Asani i shoqëruar nga veprimtari, z. Neki Mena. Ishte i pranishëm edhe Hirësia e Tij, At Andrea, prift i Kishës Ortodokse Shqiptare në Philadelphia dhe mik i familjes Prifti. Pastaj z. Matraku i tha edhe disa fjalë vlerësuese për jetën dhe veprën e Naum Priftit dhe lidhjet e tij me shoqatën tonë. Z. Matraku i tha edhe disa fjalë për veprimtarin e shquar të bashkësisë shqiptaro – amerikane të Philadelphias dhe mbështetësin e madh të shoqatës sonë, z. Benjamin Risilia, i cili në fillim të qershorit u nda nga kjo botë. Për të nderuar kujtimin e tyre të pranishmit mbajtën një minutë heshtje.

Jeta dhe vepra e begatë e Naum Priftit

Fjalën e rastit e mbajti z. Sadik Elshani, ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”. Zoti Elshani e bëri një paraqitje më të detajuar për jetën dhe veprën e Naum Priftit, lidhjet e tij me qytetin e Philadelphias dhe shoqatën tonë. Ai që në fillim theksoi se në këtë mbrëmje përkujtimore nuk jemi mbledhur për ta vajtuar Z. Naum, por për ta festuar jetën dhe krijimtarinë e tij. Z. Naum e jetoi ciklin e plotë të jetës dhe gjatë këtyre viteve ai ishte mjaft prodhimtar në disa gjini të letërsisë dhe veprimtarive shoqërore në Shqipëri e diasporë. Pastaj z. Elshani i bëri një përmbledhje krijimtarisë së Naum Priftit: “Naum Prifti është një shkrimtar i gjithanshëm e mjaft prodhimtar. Në radhë të parë ai njihet si tregimtar, si njëri ndër më të mirët në letërsinë shqiptare. Por, ai shkroi edhe drama, novela, skenare filmash, fabula, ese, komedi, reportazhe, përkthime mjeshtërore nga gjuhët e huaja në gjuhën shqipe. Naum Prifti është mjeshtër i tregimt të shkurtër dhe në përgjithësi të tregimit si formë letrare. Ai me sukses e ka ndjekur, vazhduar e çuar përpara rrugën e trasuar nga Mitrush Kuteli e Ernest Koliqi. Rrjeti i lexuesve të veprës së Naum Priftit është i gjërë jo vetëm për faktin që ai shkroi në gjini të ndryshme letrare, por ai shkroi edhe për të gjitha moshat: fëmijët të rinjtë dhe të rriturit. Vepra e tij i ka shoqëruar lexuesit në të gjitha fazat e jetës së tyre, nga fëmijëria gjer në pleqëri. Këtë ai e bëri paralel gjatë gjithë krijimtarisë së tij. Tregimet popullore, përrallat, fabulat, ngjarjet nga historia e jeta e përditshme janë frymëzimet e Naum Priftit, të cilat në laboratorin e tij krijues, me penën e tij mjeshtërore u shndërruan në rrëfime mjaft tërheqëse për lexuesin, sidomos fëmijët e lexuesit e moshës së re. Janë pikërisht rrëfimet e tilla tërheqëse që e ngjallin kurreshtjen dhe e nxisin fantazinë e lexuesit të ri, ia shtojnë dëshirën për letërsinë, artin, të bukurën. Një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij e përshkon edhe tema e atdhedashurisë. Në krijimtarinë e tij ai me shumë sukses e ka përdorur humorin e satirën. Urtësia e mirësia e tij pasqyrohen qartë në tërë krijimtarinë e tij artistike”. Naum Prifti krijoi në dy periudha të historisë së Shqipërisë, gjatë periudhës komunista dhe asaj postkomuniste. Vepra e tij i qëndron kohës, sepse në shumicën e rasteve nuk karakterizohet me ngarkesat ideologjike të asaj periudhe.

Për të pranismit z. Elshani foli edhe për jetëshkrimin e z. Prifti, mirënjohjet, vlerësimet e çmimet e shumta që ai ka marrë gjatë jetës së tij. Këto ditë është shkruar mjaft për jetën dhe veprimtarinë e z. Prifti, prandaj nuk është nevoja që të përsëriten në këtë shkrim. Për të ilustrua krijimtarinë e tij të shumanëshmë, z. Elshani përmendi edhe disa tituj të veprave e skenareve. Duke folur për dramën “Mulliri i Kostë Bardhit, z. Elshani theksoi se drama ishte vënë në skenë nga disa grupe teatrore edhe në Kosovë. Në vitin 1974 këtë dramë e kishte vënë në skenë edhe grupi dramatiki gjimnazit “Jeta e re në Suharekë/Therandë. Për të pranishmit ngjalli mjaft emocione kur z. Elshani e paraqiti një foto nga kjo shfaqje ku ai e lunate rolin kryesor, atë të Kostë Bardhit.

Lidhjet e familjes Prifti me qytetine Philadelphias

Naum Prifti kishte një lidhje të vecantë me qytetin e Philadelphias. Në këtë qytet babai i tij, Rrapi (Rafael), ka jetuar e punuar në rtestorantin e tij. Pastaj i janë bashkuar edhe dy djemtë e tij, djali i madh, Pauli, dhe Peteri. Babai ishte riatdhesuar në vitin 1957, ndërsa dy djemtë kanë vazhduar të jetojnin në Amerikë. Edhe z. Naum kur ka emigruar në Amerike në vitin 1992, fillimisht është vendosur në Philadelphia, por pastaj ka kaluar në Nju Jork. Ndoshta kjo histori e familjes së tij dhe njohja e kahershme me disa pjesëtarë të shoqatës sonë (z. Llazar Vero) kanë ndikuar që ai të jetë i lidhur ngushtë me shoqatën tonë. Gjatë gjithë këtyre viteve ai ka qenë një mik dhe mbështetës i fortë i shoqatës. Prandaj, nuk është rastësi që ai një pjesë të korrespodencës së vëllait të tij, studiusit të cështjes shqiptare, Peter Prifti, ia ka dhuruar bibliotekës së shoqatës sonë. Në vitin 2007, me rastin e 75 vjetorit të lindjes, shoqata “Bijtë e shqipes” organizoi një veprimtari artistike dhe e nderoi Naum Priftin me titullin: “Nderi i Komunitetit”, nderimi më i lartë që shoqata e jep për një personalitet.

Rrëfime e vlerësime për jetën dhe veprën e Naum Priftit

Z. Llazar Vero në paraqitjen e tij e vlerësoi lart veprimtarinë krijuese të Naum Priftit, duke e cilësuar atë si një mjeshtër të tregimit shqiptar. Pastaj ai tregoi se në fakultet për temë diplome e kishte pasur veprimtarinë artistike të Naum Priftit. Gjithashtu ai tregoi edhe për njohjen e kahershme që kishte me z. Naum, lidhjen e tyre profesionale si gazetarë, natyrën e tij shumë njerëzore e shpirtin e tij fisnik. Vlerësimet e z. Vero dhe të diskutuesve të tjerë për jetën dhe veprën e Naum Priftit, portretin e tij njerëzor e intelektual, pak a shumë ishin të ngjashme me ato që u thanë pak më lart në këtë shkrim, prandaj nuk ëshë e nevojshme që të përsëriten edhe nje herë këtu.

Z. Mhill Velaj në fjalën e tij u përqëndrua në krijimtarinë e shumëllojshme e cilësore të Naum Priftit, duke e cilësuar atë nga shumë dashamirës si Çehovi i letërsisë shqipe. Z. Velaj pastaj u shpreh shumë mirënjohës për këshillat që z. Naum i kishte dhënë për procesin krijues të krijimtarisë letrare. Zoti Velaj e vlerësoi lart edhe angazhimin e z. Prifti në organizimin dhe funkcionimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë, kryetar i së cilës ishte për disa vite.”Shkrimtari Naum Prifti konsiderohet sot një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm, që i përket epokës së historisë moderne, që më shumë se çdo akt në jetën e tij të gjatë, ky njeri i madh dominoi intelektualisht dhe artistikisht, i dha aq shumë letërsisë shqipe, dhe letërsisë së Diasporës shqiptaro-amerikane, letërsisë bashkëkohore dhe kinematografisë shqiptare” – u shpreh ndër të tjera z. Velaj.

Poeti, studiusi e veprimtari, dr. Bexhet Asani, në fjalën e tij rrëfeu se edhe grupi dramatik i shkollës së Livadhisë (rrethi i Strugës) e kishte vënë në skenë dramën e Naum Priftit. Disa kujtime nga takimet, jeta e Naum Prifit i ndanë me të pranishmit edhe Athina Dhimitri, Vlashi Fili e At Andrea.

Kujtimet e vajzave të z. Naum

Në fund fjalën e morën edhe dy vajzat e z. Naum, Julika e Rafala, të cilat me pjesëmarrjen e tyre na nderuan shoqatën tonë dhe mbi të gjitha, babain e tyre. Prania e tyre e bëri këtë veprimtari përkujtimore edhe më të ngrohtë, më emocionale, bënë që të ndihej edhe prania e shkrimtarit e mikut tonë të shtrenjtë, Naum Prifti. Të dyja vajzat fillimisht shprehën falenderimet, mirënjohjen e respektin për shoqatën “Bijtë e shqipes” për organizimin e kësaj mbrëmjeje përkujtimore në nderim të babait të tyre. Pastaj ato për të pranishmit sollën kujtime për babain e tyre si prind e si krijues, procesin e tij krijues. Ato rrëfyen se babain kurrë nuk e kishin parë duke ndenjur kot, ai gjithmonë shkruante diçka.Tregimet që ai i shkruante në Bibliotekën Kombëtare, kur kthehej në shtëpi ua lexonte atyre me atë stilin, diksionin karakteristik, duke i bërë ato tregime edhe më të gjalla. Pastaj ato treguan edhe për jetën e përditshme familjare, shetitjet në Bulevard, ngrënja e akulloreve, etj. Një pjesë e rrëfimit të tyre ishte edhe për lidhjet familjare me qytetin e Philadelphias, ku janë edhe rrënjet e familjes së tyre këtu në Amerikë.

Veprimtaria vazhdon

Ppër ta bërë këtë veprimtari më të laremishme në vazhdim u shfaqën edhe disa video: një intervistë e z. Naum dhënë Zërit të Amerikës, një video – promo për një dokumentar për Naum Priftin dhe një tregim i shkurtër për shpatën e Skenderbeut. Sipas traditës së shoqatës sonë për të pranishmit u shtrua një koktel me pije e ushqime – një kafshatë buke për shpirtin e z. Naum. Edhe gjatë këtij kokteli vazhduan kujtimet, historitë e bisedat për jetën dhe veprën e Naum Priftit. Secili kishte për të thënë, për të kujtuar diçka të këndshme e të pharrueshme.

Lamtumirë Naum Prifti!

Familja dhe miqtë humbën njeriun e tyre më të dashur, letërsia shqipe humbi një mjeshtër të penës, të përkushtuar, mjaft prodhimtar e cilësor. Vajzat e z. Naum thanë se kanë mësuar shumë nga i ati, por kanë mësuar edhe nxënësit, lexuesit e tij. Prandaj, ai është edhe Mësuesi i Kombit. Naum Prifti u nda fizikisht nga kjo botë, por ai gjithmonë do të mbetet për ne një mik i dashur e i nderuar, njeri fisnik e shkrimtar me vlera të pdiskutueshme letrare e njerëzore. Largimi i tij na varfëron, vepra e tij na pasuron. Ishte kjo një mbrëmje përkujtimore e veçantë, mbresëlënëse e mjaft emocionuese.

I paharrueshëm qoftë kujtimi për Naum Priftin! Shpirti i tij u prehtë në paqe!

Philadelphia, më 3 korrik 2023