R. A. Si vijon puna juaj profesionale dhe sociale në kushtet e pandemisë?
Ferid Selimi: U bënë thuaja një vit nga shpallja e pandemisë botërore për shkak të virusit COVID 19, dhe po aq kohë që nuk po takohemi me studentë ballaballas. Është një ndjenjë jo e mirë që leksionet e ushtrimet t’i mbajmë në distancë, e aq më tepër as për provime. Por ç’e do, nuk është në dorë tonën që të vendosim e as që po ndodhë vetëm te ne. Universitetet më të mëdha botërore po ballafaqohen po ashtu me këtë problem. Sidoqoftë, edhe në këtë mënyrë, mësimi nuk ndalet në UBT dhe sipas një sondazhi të bërë me studentë, ata janë të kënaqur me ligjërimet dhe me informacionet që po marrin. Komunikojmë me studentët çdo ditë me emaila dhe shumë shpesh kemi takime virtuale nëpërmjet një programi softwerik të quajtur Moodle dhe nëpërmjet Google meet. Kështu që jemi në dispozicion për të ndihmuar studentët gjatë tërë ditës, në mënyrë që të mos humbin në hap gjatë studimeve të filluara në këtë kohë jo të mirë që ka kapur tërë globin. Tek e fundit, ne jemi këtu për ata dhe po të mos ishin ata, nuk do të ishim as ne këtu ku jemi – në UBT. Jemi të vendosur që t’u japim dije për aq sa na lejon dija dhe njohuritë tona për shkencën dhe edukimin.
R. A. A jeni aktualisht në Prishtinë apo në Preshevë?
Ferid Selimi: Unë me origjinë jam nga Presheva, por që i ri kam ardhur të jetoj në Prishtinë. Së pari në studime e pastaj i punësuar. Aktualisht jetoj në Prishtinë. Këtu edhe punoj ligjërues në UBT. Ndërsa në Preshevë shkoj për të kaluar fundjavat.
R. A. A keni pasur mundësi të udhëtoni përtej kufirit në këtë situatë?
Ferid Selimi: Gjatë muajve të parë të vitit që lamë, u mbyllën kufijtë dhe nuk mundja të shkoja në Preshevë. Përndryshe shkoj thuaja çdo fundjavë. Zakonisht, fundjavave udhëtoj për Preshevë ose Tiranë. Presheva nga Prishtina ka një largësi prej 78 kilometrash, por me makinë bën një orë e gjysmë për të arritur atje, me kusht që në kufi në mes të Kosovës dhe Serbisë të mos ketë kalimtarë të shumtë, e që do të detyrohemi të presim edhe me orë të tëra. Kjo ndodhë sidomos kur nga Diaspora vijnë preshevarët, e që shpesh udhëtojnë për Gjilan e Prishtinë.. e që pastaj në kthim e sipër grumbullohen shumë makina që presin të kalojnë kufirin. Por, ama, pavarësisht kësaj, shpesh shkoj në Preshevë, sepse atje e kam pjesën më të madhe të familjes së gjerë si dhe të gjithë miqtë e fëmijërisë e të rinisë sime, që nuk i harroj asnjëherë.
R. A. Kosova po përjeton fushatën e radhës zgjedhore. Si vëzhgues dhe studiues i medias si e gjykoni pasqyrimin e fushatës në median e Kosovës?
Ferid Selimi: Kosova si shtet i ri që është nuk e ka luksin që të shkojë në zgjedhje çdo dy vjet, sepse nuk ka buxhet të duhur për zhvillim e lëre më të shpenzojë mjete për zgjedhje të shpeshta. Megjithatë jemi në një kohë fushate për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Thuaja i shëtis të gjitha mediat dhe i përcjell debatet që i organizojnë me të ftuar politolog, analistë, e kandidatë për deputetë në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Zakonisht kur i analizoj çështjet që kanë të bëjnë me mediat, nisem nga financimi. Sepse financimi është baza e mbajtjes gjallë të një mediumi. Prandaj edhe financimi ndikon që një media të jetë ose të mos jetë e pavarur politikisht ose ideologjikisht. Meqë mediat tona e kanë këtë problem, sepse të kuptohemi Kosova është e vogël për të kapërdirë gjithë këtë numër të madh të mediave, prandaj ato janë të detyruara ta mbajnë veten disi. Dhe këtu hasim në problemet e para që mediat ballafaqohen shpesh ose pse të mos them gjithnjë. Financat ndikojnë që mediat pastaj, deshën ose jo të anojnë dhe të ikin nga objektiviteti i kërkuar. Nuk do të doja të komentoja shumë rreth kësaj çështjeje, sepse vërtet as mediat nuk e kanë lehtë, edhe pse unë do të doja t’i shihja të pavarura dhe të kenë një politikë redaksionale të pavarur krejtësisht nga politika. Gjë që është e pamundur në këto rrethana e kushte që gjenden mediat në Kosovë.
R. A. Çfarë duhet pritur nga media kur vendi përgatitet për zgjedhje?
Ferid Selimi: Ajo çfarë duhet të presim ne dhe çfarë paraqesin mediat, ndryshojnë. Sepse vetë shprehja: “duhet” e mundëson këtë. Ato njëmend do të duhej të ishin objektive dhe të përcillnin ngjarjet e të paraqitnin ato ashtu siç janë, e jo ashtu si duan pronarët a redaktorët e mediave t’i paraqesin. Por a e paraqesin një objektivitet dhe realitet të tillë: sa e paraqesin realitetin dhe sa ka vërtetësi në atë lajm që paraqesin a publikojnë? Pra dallon ajo që është nga ajo që do të duhej të ishte. Unë shpesh u them studentëve të gazetarisë dhe i sugjeroj, që kur ulen të shkruajnë për një temë a një ngjarje t’i shohin të gjitha faktet dhe t’i argumentojnë ato. Dhe u bëj pyetjen: “Doni ju të shihni ato që shkruani?” apo “doni të shkruani atë që shihni?”. Pse ua bëj këtë pyetje. Sepse dua t’ua bëj të qartë se ka dallim nga ajo që shohin çfarë shkruajnë nga ajo që shkruajnë çfarë shohin. Hajde tani ta zbërthej me një fjali këtë sugjerim timin. Të shohin çfarë shkruajnë nënkupton që të kenë kujdes e të ruhen nga redaktorët a pronarët e mediave mos po u prishin punë me klientët që janë financues të mediave, e që mund pastaj të humbin vendin e tyre të punës. Ndërsa të shkruajnë çfarë shohin, nënkupton të paraqesin realitetin e krijuar, që nënkupton objektivitet i tyre e i medias.
R. A. Ju keni punuar edhe vetë gazetar në vite, në shumë organe të shtypit dhe në media elektronike. Çfarë mbresash keni nga ajo punë?
Ferid Selimi: Kam punuar gazetar për një kohë të gjatë. Nga fillim vitet e tetëdhjeta të shekullit njëzet e deri diku në vitin 2004. Kam punuar bashkëpunëtor, korrespondent e gazetar redaksie në disa media të shkruara e elektronike audiovizuele. Por tanimë është ajo kohë e shkuar. Ishte ndjenjë e veçantë atëherë të ishe gazetar. Çmohej profesion i gazetarit. Kishin vlerë edhe shkrimet që shkruheshin asaj kohe. Lexohej thuaja çdo artikull i botuar. Përcilleshin lajmet në TV e Radio. Por, pas vitit 2000 ndryshoi gjithçka. Edhe pse numri i të përditshmeve shtohej thuaja çdo muaj, ato nuk lexoheshin, prandaj, u detyruan të mbylleshin. Tani nuk ka asnjë gazetë të shtypur në Kosovë. Të gjitha kaluan në platformën elektronike. Por më duhet të them që, nga viti 2004, as unë më nuk punoja gazetar sime parë. Kam punuar tek-tuk për ndonjë media audiovizuele (televizion) në ndonjë projekt, ku kam moderuar disa emisione e debate politike gjatë fushatave të ndryshme. Tani punoj për qejf, kur dua të shkruaj ndonjë opinion timin a analizë. Asgjë më shumë. Ajo që do të doja të ndaja me lexuesit tuaj, janë dy momente: E para ka të bëjë me ditët e para të karrierës sime si gazetar dhe e dyta në vitin 2000, kur hulumtoja krimet e luftës në Kosovë. Do ta shpalos të parën: Ishte viti 1983, isha në shërbim ushtarak në ish sistemin e ish Jugosllavisë. Pata ardhur në pushim vjetor (njëzet ditësh) dhe rastësisht takoj në mësues (tani i ndjerë) i cili nxjerr nga xhepi një libër në gjuhën frënge dhe më thotë: “Ja vajza e vëllait tim ka botuar libër në Belgjikë. Bëhej fjalë për Nerimane Kamberin, e cila aso kohe me familje jetonte në Namyr të Belgjikës e që kish botuar një roman në moshën 16 vjeçare. Ishte diçka e veçantë, prandaj vendosa të shkruaja për të (një intervistë me të). E bëra intervistën dhe të nesërmen me autobus shkova në Prishtinë e drejt e te redaksia e Zërit të Rinisë që botohej një herë në javë. Aty takova redaktorin Qani Mehmedi (tashmë i ndjerë) pasi lexoi intervistën, për të mos më thënë që nuk e kisha bërë si duhet, më tha: “A do që nesër të vij unë në Preshevë dhe bisedën ta zhvillojmë bashkë?” Unë pranova. Dhe të nesërmen, e prita deri në orën 13:00 të ditës, e meqë nuk erdhi, shkova me vëllezërit në fushë (atëherë te ne kultivohej duhani si bimë industriale) për të vjelë gjethet e duhanit. Me të shkuar në fushë, pas një ore, erdhi një fqinj imi, e më tha që më kërkonin ca gazetarë. Unë i kisha bërë jo vetëm duart pis, por edhe rrobat. Mu desh të shkoja në shtëpi, të pastrohesha, e pastaj të shkoja me ta për të zhvilluar bisedën me Nerimanen. Ajo intervistë ishte shkrimi i parë imi në bashkautorësi që më hapi rrugën për t’u bërë gazetar. Dhe rasti i dytë. Derisa hulumtoja krimet e luftës në Kosovë, hasa në një familje, ku kishin jetonin dy vajza, të cilave paramilitarët serb u kishin vrarë babanë. E veçanta është se babai i tyre kish qenë shurdhmemec, e paramilitarët e kishin pyetur për UÇK, dhe meqë ai nuk ishte përgjigjur, ata e kishin vrarë. E si të përgjigje ai kur ishte shurdhmemec???? Ishte një rast kur derisa vajzat e tij rrëfenin atë ngjarje, ndjenjat dhe emocionet më kishin mbuluar të tërin e që e mbaj në mend edhe sot.
R. A. Ndonëse nuk është kohë shumë e largët, sa ka ndryshuar gazetaria në këto vite? Ka ndryshuar shumë. Është përshpejtuar publikimi i lajmeve.
Ferid Selimi: Në kohën kur nisa të punoja gazetar ishte një kohë tjetër. Nuk ishin këto rrjetet sociale. Përcilleshin ngjarjet, pastaj shkruheshin dhe tek më vonë kur siguronim ndonjë faks, e dërgonim lajmin në gazetë. Shkrimet për ngjarjet që përcillnim sot, botoheshin të nesërmen ose të pasnesërmen dhe nuk bëhej vonë. Ndërsa pas vitit 2000 nisën të shfaqeshin disa, por nuk përdoreshin si media. Tani ka ndryshuar çdo gjë. I ka “humbur” efekti gazetarit dhe gazetës. Tani jo vetëm që kanë dalë MOJO gazetarët, por siç thoshte edhe Eko, rrjetet sociale u kanë mundësuar të gjithëve të shprehin mendimet e veta dhe të paraqesin ngjarje e ngjarje, e që gazetarinë e shtypur sidomos po e mbysin. Ky zhvillim i madh elektronik, bëri që interneti të shpërndahet kudo, e me të edhe rrjetet sociale dhe tani çdo qytetar e ka mundësinë e publikimit të ngjarjeve të ndryshme nga vendi ku ndodhin ato. Pra nisi një epokë e gazetarisë qytetare dhe e plasimit të shpejt të lajmit. Përderisa më herët ishte kush po e jep lajmin më të saktë e më të thiktë, tani është koha e lajmit të shpejt: Kush e publikon i pari. Dhe e dyta, që lajmi po ka mundësi të përditësohet disa herë brenda ditës.
R. A. Ju jeni i lindur dhe rritur në Preshevë. Sa i lidhur jeni me vendlindjen dhe çfarë përfaqëson për ju?
Ferid Selimi: Unë jam i lindur në Preshevë, por kohën më të madhe të jetës sime e kam kaluar jashtë Preshevës. Qysh nga shkollimi i mesëm kam dalë nga Presheva dhe më pas gjatë studimeve në Prishtinë, jam punësuar dhe në Preshevë kam shkuar vetëm ditëve të fundjavave. Mirëpo, kur në vitin 1990 na larguan nga puna, u ktheva dhe jetova dhjetë vite në Preshevë. Pastaj, me t’u kryer lufta e Kosovës, në vitin 2000 sërish u ktheva në Prishtinë dhe nisa të punoja së pari gazetar në “Zeri” e pastaj një profesion tjetër që e kisha nga shkollimi i mesëm. E kur përfundova edhe shkollimin pasuniversitar (doktoratë) nisa të punoja ligjërues në UBT. Që nënkupton jetoj dhe punoj në Prishtinë. E thënë të drejtën jam shumë i lidhur për Preshevën, s’di pse, por është një mall që më mban të lidhur për vendlindjen time të çmuar. Një mall që nuk shuhet kurrë.
R. A. Nuk e di sa e keni ndjekur problemin e adresave por jam i sigurt që e njihni më mirë se unë punën e zbrazjes së hapësirave shqiptare për shkak të mungesës së mundësive ekonomike dhe trajtimit të pabarabartë.
Ferid Selimi: Çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës është akt politik që pushteti në serbi po e shfrytëzon si luftë kundër pranimit të Kosovës shtet. Duke u përpjekur që të mos e pranojë si shtet Kosovën, Serbia po bën pasivizimin e adresave, duke rrudhur numrin e shqiptarëve në Serbi. Mirëpo duhet theksuar që pasivizimi u bëhet vetëm shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, e jo edhe të atyre që jetojnë e veprojnë nëpër shtetet tjera evropiane. Dhe kjo ka një përgjigje: Serbia pretendon që Kosova është pjesë e saj dhe një qytetar i Serbisë nuk mund të ketë dy adresa njëkohësisht. Por, kurdo që të zgjidhet çështja e pranimit si shtet Kosovën nga Serbia, qytetarëve që u është pasivizuar adresa do të kenë problem me aktivizimin e atyre adresave që kanë pasur. Unë kujtoj që Bashkësia Evropiane do të duhej të bënte më tepë trysni në Serbinë që të ndalë pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Kosovë e të riaktivizojë ato adresa që i ka pasivizuar.
R. A. A ka një të ardhme komuniteti shqiptar i Luginës?
Ferid Selimi: Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e të Medvegjës jetojnë në një territor që në vazhdimësi ishte e lidhur ngushtë me Kosovën. Derisa ishin në një shtet (ish Jugosllavi) nuk kishin ndonjë problem të madh, problemet ekzistonin por, edhe pse as atëherë mundësitë e zhvillimit ekonomik, kulturor, artistik, e të arsimit nuk ishin aq të mira, megjithatë kishin mundësi që të ndihmoheshin nga Kosova. Tani, kur Kosova ka shpallur pavarësinë dhe është pranuar shtet i pavarur nga mbi 100 shtete botërore, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e të Medvegjës janë rrezikuar më shumë. Nuk ka investime thuaja në asnjë fushë jetësore. Ata jetojnë sot për nesër. I mban shpresa që një ditë do të bëhet mirë kur mbase do të bashkohen me Kosovën e Shqipërinë ose që do të bashkohen në Evropën e bashkuar.
R. A, Për çfarë ka më shumë nevojë ai sot?
Ferid Selimi: Për çfarë nuk ka se. Ka nevojë për investime kapitale. Sepse, mundësitë e punësimit janë shumë të vogla për të rinjtë e të rejat e asaj ane. Mundësia e punësimit janë të vogla sepse të rinjtë e të rejat që kryejnë fakultete, të vetmet mundësi të punësimit kanë shkollat fillore e të mesme, administratën e Komunës, Bibliotekën, Shtëpinë e Kulturës dhe Shtëpinë e Shëndetit. S’ka tjetër infrastrukturë industriale të zhvilluar. Ato pak reparte prodhuese që ishin u privatizuan dhe ndryshuan veprimtarinë. Kështu që të rinjtë e të rejat e asaj ane deshën ose jo duhet të marrin Botën në sy. Siç thotë populli “Kah sytë, këmbët”. Prandaj duhet urgjentisht të punohet në hapjen e vendeve të reja të punës. Ma merr mendja që është e domosdoshme hapja e një Fakulteti publik a shtetërore në gjuhën shqipe, si dhe të investohet në hapjen e reparteve prodhuese, që do të mbanin gjallë atë anë.
R. A. Ju keni botuar jo vetëm studime por edhe poezi e letërsi. Çfarë ju shtyn të shkruani?
Ferid Selimi: po. Në vitin 1997 për herë të parë botova një përmbledhje poezish. Më parë botoja nëpër gazeta e revista. Është ndjenjë e veçantë, sidomos kur sheh botimin e parë. Pastaj radhiten të tjerat. Në vitin 2004 pas më se dymbëdhjetë vjetësh të krijimeve të mia (satirave të botuara në revista e gazeta të kohës) botova përmbledhjen me satira “Mizëkapuçët”. Ndërsa romanin e parë “Kujtime të thinjura” e botova në vitin 2007 e që u ribotua (botim i dytë me plotësime në vitin 2016) Përditshmëria jonë bëri që unë të mos rrija duarkryq, por të shënoja atë çfarë shihja dhe njëzet vjet më vonë doli një roman nga jeta sociale e provincës. Ky roman është caktuar si lektyrë shkollore për klasat e teta në shkollat shqipe në Preshevë, Bujanoc e Medegjë, por se a i përmbahen kësaj, nuk e di. Di që një shkollë në Prizren e ka përzgjedhur këtë roman për lektyrë shkollore dhe më thërrasin thuaja @do vit për ditën e mësuesit që të bashkëbisedoj me nxënësit semimaturantë të asaj shkolle. Me këtë rats do të doja ta falënderoja profesoreshën e gjuhës shqipe, znj. Hydajete Osmani- Bytyqi që ka përzgjedh këtë roman për lektyrë shkollore, e që nuk harron të më ftojë në ditën e mësuesit (më 7 mars). Dhe kjo po që më shtyn dhe më jep forcë që edhe më tutje të krijoj vepra letrare.
R. A. Si ka filluar ky pasion?
Ferid Selimi: Pasioni ka filluar qysh në moshë të re. Duke lexuar vepra të autorëve të ndryshëm shqiptarë e botërorë. Kisha qejf të bëhesha si ata. E mendoja ndryshe botën e shkrimtarit. Mendoja që shkrimtari duhet të ishte i madh. Diçka i paarritshëm nga të tjerët. Por, gjeta një botë të vogël te shkrimtari. Atë botë që edhe pse shumë e vogël, nuk e tejkaloj aq lehtë. Sepse mësova q shkrimtari me vogëlsinë e tij tregon madhështinë e vet. E madhështia e shkrimtarit është te vogëlsia e tij.
R. A. Çfarë keni në duar në këtë periudhë?
Ferid Selimi: Tani për tani jam duke punuar në dy projekte. Njëri që ka nisur shumë më herët dhe njëri që kam nisur në dhjetor të vitit 2020. Projekti p arë kate bëjë me një roman po ashtu nga vendlindja, e që trajton shumëçka nga e kaluara e fëmijërisë sime dhe e tashmja (duke e krahasuar të kaluarën me të sotmen) pa pasur mundësi të ndryshoj as të ndërhyj, sepse unë jam mbyllur në një ashensor dhe nga katet e larta të kohës shoh herë të kaluarën e herë të tashmen. Ndërsa projekti i dytë ka të bëjë me evidentimin e një shtrese njerëzish preshevarë që me mundin e tyre bënë që ne t arrijmë këtu ku jemi sot. Këta personalitete janë tregtarët dhe zejtarët e vjetër që më s’janë në jetë, duke shpalosur biografitë e tyre, e aty-këtu edhe ndonjë personalitet i kohës që është shquar dhe ka dhënë diçka për atë shtresë njerëzish, e që tani thuaja është harruar e nuk është shkruar kurrë për ta. Ky projekt i dytë është pritur shumë mirë nga bashkëvendësit dhe mezi presin shpalosjen e biografive t atyre njerëzve të vyer të asaj kohe, të cilat i publikoj në faacebook, e q më vonë do të del si libër-monografi.
R. A. Në UBT keni kontakt të drejtpërdrejtë me formimin e brezit të ri të shqiptarëve. Cili është mësimi më i rëndësishëm në jetë që do të dëshironit të përvetësonin?
Ferid Selimi: Në ditën e parë që takohem me studentë. Në ditën kur nisim të njohim njëri-tjetrin, u shtroj pyetjet: Pse keni ardhur në Fakultet? Për çfarë ju duhet diploma e fakultetit? Çfarë pritni nga ajo diplomë që do të merrni? Dhe meqë është dita e parë marr përgjigje të ndryshme, të cilat nuk m kënaqin. Sepse thelbi i pyetjeve ka të bëjë me pjekurinë e tyre intelektuale. Pasi dëgjoj përgjigjet e tyre, atëherë u kthehem duke u thënë: “Ju, brezi i ri që keni nisur studimet për t’u bërë gazetarë, përgjegjës për marrëdhënie me publikun, moderatorë, zyrtarë për informim, etj., ta keni parasysh që diploma që merrni këtu nuk ju bën të tillë. Do ta merrni diplomën, do të jeni i diplomuar, por diploma do të jetë vetëm çelësi për të hyrë në një hapësirë të errësuar e boshe. Hapësirën e errësuar dhe boshe, duhet ju ta ndriçoni dhe ta mobiloni. E si d ta ndriçoni e mobiloni? Me punën tuaj, me angazhimin tuaj”. Prandaj, ata që në ditën e parë, duket që e marrinë një mësim të mirë për jetën dhe sfidat që i presin gjatë jetës së tyre. Mësim ky që u lë të kuptojnë që çfarëdo që zgjedhin në jetë, do ta kenë. Duan parajsën, parajsën do të kenë. Duan ferrin, ferrin do të kenë. Është në dorën e tyre të zgjedhin. Prandaj, po deshën të jenë të suksesshëm në jetë, duhet të punojnë për ta arritur atë që dëshirojnë.