Kurti refuzon të takohet me Ramën, për shkak të anulimit të mbledhjes së dy qeverive

Prishtinë, 5 korrik 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i hakmerret kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për anulimin e mbledhjes së përbashkët të qeverive të dy vendeve, e cila duhet të mbahej më 14  qershor.

Kurti ka thënë se ai nuk do të takohet me Ramën, në çfarëdo  takimi që do të zhvillohej jashtë mbledhjes se përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë.

“Unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrit Edi Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa këtë mbledhje”, është shprehur Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë.

Kurti ka thënë se mbledhja e dy qeverive e 14 qershorit ishte anuluar në mënyrë të paarsyeshme nga Rama dhe se me Ramën mund të takohet vetëm në një mbledhje të këtij formati. Ai ka theksuar se për raportet Kosovë – Shqipëri është e rëndësishme mbledhja e dy qeverive dhe jo takimet mes tij e Ramës.

“Për mua, është e nevojshme të mbajmë mbledhjen e dy qeverive. Nëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem te qëndrimi që ia kam thënë”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se mungesa e një takimi të tij me Ramën nuk i cenon marrëdhëniet midis Kosovës e Shqipërisë.

“Nuk lëngon raporti Kosovë -Shqipëri, por as demokracia, paqja e siguria në Ballkan (nuk lëngojnë) për shkak se nuk takohet kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm. Unë e konsideroj të nevojshme mbledhjen e dy qeverive dhe jo takimet tjera”, është shprehur Kurti.

Ai ka treguar se Ramës i ka kërkuar që gjatë kohës që do të jetë në Prishtinë të mbahet edhe mbledhja e përbashkët e dy qeverive, e cila ishte anuluar nga Rama, për shkak të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

“Unë miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama që, me që do të qëndrojë në Prishtinë për një natë e dy ditë, ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive, e cila u anulua paarsyeshëm, ndonëse ishte paraparë muaj më parë për datën 14 qershor në Gjakovë. Të gjitha përgatitjet i patëm bërë, 13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen, të cilat tash kanë ngelur në sirtarë. Në mënyrë që këto marrëveshje të dakordohen, të mos ngelen edhe më tutje në sirtarë, sepse nga ato nuk përfitojnë kryeministrat, por përfitojnë qytetarët. Unë i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen këtë javë, ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të dy qeverive tona, që t’i nënshkruajmë ato marrëveshje të dakorduara dhe në këtë mënyrë t’i funksionalizojmë të gjitha”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë nuk do të pengonte përgatitjet për takimin e Tiranës në kuadër të Procesit të Berlinit, të cilin e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm për rajonin.

“Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm dhe nuk ka në Ballkan ndonjë lider politik e institucional si kryeministrit i Kosovës që e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështes Procesin e Berlinit, por ky Proces samitin e radhë e ka në mes të muajit tetor në Tiranë, tani jemi në fillim të korrikut, shumë mirë që behën përgatitjet kaq herët, por përderisa i bëjmë këto përgatitje kaq herët, të mos vonohemi me një anulim të paarsyeshëm të mbledhjes së dy qeverive”, ka shtuar Kurti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të qëndrojë në Kosovë të enjten e të premten, në kuadër të një turneu ballkanik, në përgatitje të Samitit të radhës në kuadër të Procesit të Berlinit që do të mbahet në muajin tetor në Tiranë.

(r.m.)