Një Nanë e mjerueme që nuk u dekurajua asnjëherë

Kryesisë dhe të gjithe antarsisë së Organizatës “Hope & Peace”

Shumë e nderuemja Zonja Mimoza Dajçi

Kryetare e Organizatës

Ridgefield, CT. USA          3 korrik 2023

Të nderuemet Zonja të Kryesisë dhe Anëtarsisë së Organizatës Shqiptare-Amerikane “Hope & Peace”.

    Kam marrë këto ditë kopjen e çertifikatës së vlerësimit qytetar të Nanës sime (pastë dritë) HAVA BUSHATI REPISHTI, që me interesimin tuej fisnik e atdhetar u lëshue nga Senatorja e Shtetit të New Yorkut the Honorable Nathalia Fernandez.

Jam gëzue shumë dhe kam pasë ndjenjen e lehtësimit të dhimbjes së madhe që vuejtjet e jetës kanë mbulue jetën e Nanës sime deshmore e vuejtjeve të tri diktaturave-fashiste, naziste dhe sidomos komuniste.

    E përbuzun, e përndjekun dhe e denueme me vuejtë nji vorfëni pa skaj, kjo Nanë me tre djem të rritun, nji fenomen i pakonceptueshëm në Botën e Lirë, kjo Nanë e mjerueme nuk u dekurajue asnjiherë. Shprehja e saj “edhe na si e gjithë bota’  referohej vorfënisë tragjike që kaloi ai popull per 45 vjet me rradhë, dhe rrjedhimet e së cilës ndiehen edhe sot e kësaj dite.

    Gjesti i juej fisnik e atdhetar ka dhe randësin e vet të veçantë sepse kujton viktimët e verteta të vuejtjes e mjerimit, gruen shqiptare që e mbyllun në botën e shurdhër të patriarkalizmit banal dhe idiot, vuen në heshtje, nji heshtje që flet ma shumë se volumet e shkrueme  e që neglizhojnë me vue në dukje thellësinë e vuejtjes së grues shqiptare. Me këte gjest ju keni ngritë nivelin e grues shqiptare nji shkallë ma nalt, dhe të denjë për respekt ashtu si veprojnë të gjith vendet e qytenueme të Botës së Lirë.

    I përjetëshëm qoftë kujtimi i viktimës Hava Bushati Repishti, dhe i përjetshëm do të jetë edhe respekti i im për organizaten tuej dhe të gjithë ju per vumjen në dukje ate qe politika e propaganda bajate mohojnë shpesh herë.

    Të nderueme Zonja, ju lutem pranoni falënderimet e mia ma të thella dhe urimet e mia ma të mira. Zoti ju ndhmoftë!

                                                                          Sami  Repishti, Ph.D.

                                                                          Univ. “La Sorbonne” Paris, France

                                                                          Graduate Center, C.U.N.Y.

                                                                           Ish I burgosun politik- 1946-56

                                                                           në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi                          

One Response to “Një Nanë e mjerueme që nuk u dekurajua asnjëherë”

Read below or add a comment...

  1. mentor petrela says:

    Nderimi qe eshte bere nje Nane shqiptare eshte nje vleresim kombtar qe me kujton dedikimin e Profesor Luigj Benusit ne librin e tij Grupet e Gjakut.
    “Kushtuar,nenave arbnore qe me trimerine moralin e patriotizmin e tyre te larte,kane ruajtur pastertine biologjike dhe etnike te popullit shqiptar” Keshtu foli studjuesi me serioz per gjakun shqiptar.
    Letra e Profesor Sami Repishtit eshte nje permbledhje qe eshte shkruar me te njejtat ndjenja si ben Albert Cohen ne “Le livre de ma mere” libri i nenes sime ku e quan ate Sa Majeste.
    Keto mendime me erdhen ne mendje duke lexuar letren duke e konsideruar veten me fat qe kam lindur shqiptar dhe kusheri i Sami Repishtit.

    Mentor