Nga Kastriot FRASHËRI, Studiues, Avokat
“United States of America and Albania – 1914-1961: State Department Papers” është libri më i ri që erdhi në gjuhën angleze pikërisht në pragun e 100-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo vetëm për studiuesit por edhe për politikëbërësit shqiptarë si një përmbledhje me dokumente të Departamentit të Shtetit të SHBA për Shqipërinë të një harku kohor të gjatë prej vitit 1914 deri në vitin 1961 dhe natyrshëm është rezultat i përpjekjeve të mundimshme të studiuesit të mirënjohur dhe autorit Bejtullah Destani. Themi përpjekje të mundimshme të autorit pasi, si çdo herë, jemi përpjekur të dy së bashku vitin e kaluar për ta botuar në Tiranë por e patëm të pamundur të gjenim një financim modest për botimin e kësaj vepre me vlerë të jashtëzakonshme dokumentare historike me qëllim për të dokumentuar këto lidhje midis dy vendeve tona pikërisht nga ata të cilët sot kanë rrëmbyer dhe mbajnë të shtërnguar fort në dorë flamurin e patriotizmit për tu dukur si pramerikanët më të mëdhenj të globit, por që për fat të mirë falë dashamirësisë dhe mbështetjes financiare të një shqiptari të mirë përtej kufijve të këtij vendi u botua nga “Olymp Publishing House” – Prishtina në bashkëpunim me “Centre for Albanian Studies London”, UK.
Dokumentet e paraqitura në këtë vëllim me 565 faqe të përgatitur si një përmbledhje dokumentesh historike janë nxjerrë nga fondi arkivor i Departamentit të Shtetit në Washington DC dhe janë botuar në origjinal dhe natyrisht i përkasin çështjeve ekskluzive të politikës së jashtme që ka ndjekur Departamenti Amerikan i Shtetit që mbulojnë dhe që kanë të bëjnë me Shqipërinë apo situatën në Ballkan dhe Europë, sa herë që ngjarjet kanë të bëjnë me interesat shqiptare. Ky libër paraqitet para lexuesit me një parathënie nga studiesi Ilir Ikonomi, i cili ka vlerësuar se “Përzgjedhja sjell një perspektivë të re për ata studiues që aspirojnë të studiojnë politikat dhe qëndrimet e qeverisë së SHBA-së ndaj kombit të vogël ballkanik gjatë një periudhe relativisht të gjatë kohore”. Në këtë këndvështrim kjo përmbledhje dokumentesh historikë sjell një panoramë të thellë zhvillimesh, sikundër e theksova më sipër jo vetëm për ata studiues që aspirojnë të studiojnë politikat dhe qëndrimet e qeverisë së SHBA ndaj Shqipërisë në një periudhe të gjatë kohore që vijojnë me momente kritike të saj pas shpalljes së pavarësisë, Luftën e Parë dhe Luftën e Dytë Botërore dhe zhvillimet më pas të cilat dihet se krijuan domosdoshmërisht lindjen e një rendi të ri botëror.
Nga dosjet e para arkivore që ndodhen në Departamentin e Shtetit të renditira kronologjikisht në këtë përmbledhje janë ato dokumente që kanë të bëjnë me Luftën e Parë Botërore, kur Shqipëria kundër vullnetit të saj shërbeu si fushë beteje për palët ndërluftuese dhe për më tepër që kjo bëri që vendi të shkojë drejt një kaosi shoqëror, rrjedhoje kjo edhe e mungesës së eksperiencës së vetëqeverisjes dhe për të vijuar më tej me përpjekjet diplomatike jo vetëm të faktorit shqiptar në Konferencën e Paqes së Parisit, ku Shqipëria gjendej në një situatë politike të brendëshme të dobët edhe në arenën ndërkombëtare.
Në dokumentet që paraqiten për periudhën e Konferencës së Parisit 1919-1920, spikat roli i Presidentit Woodrow Wilson me përpjekjet e tij për të arritur një formulë që do të siguronte përfundimisht pavarësinë e Shqipërisë brenda kufijve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës 1913 në përputhje me parimet e tij të njohura për të drejtën e vetëvendosjes së kombeve të vogla. Dokumentet e Departamentit të Shtetit të ekspozuara në këtë vëllim paraqesin një pamje të plotë të diskutimeve në Paris, ku Fuqitë e Mëdha diskutuan planet e tyre për Shqipërinë e pasluftës dhe për më tepër ka vlerë vendimi që të përfshinin çështjen shqiptare në çështjen më të madhe, të njohur si “Çështja e Adriatikut”, një lëvizje kjo që e bënte edhe më të vështirë pozitën e tyre.
Një nga pikat më kulmore të marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona që përbën një zhvillim të ri në pozitën e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit tonë është dhe procesi i njohjes së Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në korrik 1922 dhe padyshim edhe rruga se si janë projektuar interesat ekonomike Amerikane në Shqipëri që mesa konstatohet lehtësisht një dualitet me ato të Mbretërisë së Bashkuar, janë dokumente autentike që i japin një pamje shumëdimensionale koleksionit të përzgjedhur për botim. Këto dokumente përfshijnë komunikime dhe raporte zyrtare ndërinstitucionale pa anashkaluar edhe ato në lidhje me naftën shqiptare ku amerikanët tregohen vigjilentë ndaj kësaj çështje të ekonomisë shqiptare.
Po ashtu, ky vëllimi përmban dokumente që lidhen edhe me ngjarjet e trazuara të vitit 1924 në Shqipëri, dhe ardhjen në pushtet të Ahmet Zogut. Periudha e qeverisjes së Zogut, duke filluar nga viti 1925, karakterizohet nga një numër raportesh diplomatikë që kanë të bëjnë kryesisht me interesat ekonomike amerikane, veçanërisht me çështjen e naftës dhe dhënies së konçesionit të saj nga Shqipëria.
Në dokumentet e përmbledhura gjenden edhe një numër traktatesh të rëndësishme të nënshkruara ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë të udhëhequr nga Mbreti Zog, duke përfshirë shtetësinë dhe ekstradimin etj, si dhe diskutimet e kryera që çuan në këto marrëveshje.
Dokumentet amerikane mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore janë relativisht pak të njohura për studiuesit shqiptarë të historisë. Këto dokumente përfaqësojnë raporte interesante për forcat që ndërliftuese në front që luftojnë brenda Shqipërisë, për luftën e nacionalistëve me komunistët dhe për marrëdhëniet e tyre me misionet e SHBA dhe Britanisë. Pjesë e këtij vëllimi janë edhe disa komunikime që përshkruajnë pikëpamjet e Mbretit Zog për situatën në Europë pak vite para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria kishte hyrë në marrëdhënie financiare vasaliteti me qeverinë e Romës. Vlen të qartësojmë se, megjithëse, pushtimi italian i Shqipërisë nuk është pjesë e këtyre dokumenteve, theksojmë se diplomatët amerikanë vazhduan të ndiqnin nga afër luftën italo-greke të viteve 1940-1941, të cilën Roma zyrtare duke përfituar nga traktati i njëanshëm i pushtimit shqiptaro-italian e përdori Shqipërinë si bazë ushtarake të saj. Këto zhvillime politike ose ndërshtetërore pasqyrohen përmes komunikimeve të Departamentit të Shtetit me përfaqësuesit e tij në Romë dhe në Athinë.
Duke ndjekur një renditje kohore mund të themi se pjesë e konsiderueshme e këtyre dokumenteve që gjenden në këtë vëllim i përkasin zhvillimeve ndërkombëtare menjëherë pas luftës së Dytë Botërore, kur Departamenti i Shtetit refuzoi të njohë qeverinë e Enver Hoxhës. Ndonëse në maj 1945 ai dërgoi një mision diplomatik në Shqipëri për të vlerësuar situatën përpara se të ndërmerte ndonjë veprim konkret. Raportet e diplomatëve amerikanë J. E. Jacobs dhe G.D. Henderson, si dhe udhëzimet e dhëna atyre nga Departamenti i Shtetit për çështjen e njohjes janë janë plot detaje dhe të ndjera edhe sot për të kuptuar politikën e ndjekur nga qeveria amerikane deri ditën që misioni u detyrua të largohet në nëntor 1946, kur Enver Hoxha refuzoi të pranonte kushtet e SHBA që lidheshin kryesisht me kërkesën që qeveria shqiptare të njihte traktatet e nënshkruara me Shtetet e Bashkuara para pushtimit italian të 7 prillit 1939. Përpos këtyre raporteve duhet të them që ky libër përmban gjithashtu një larmi artikujsh të tjerë në lidhje me marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje si dhe situatën jo vetëm në Shqipëri por edhe në të ashtuquajturin “Kampin Socialist” në të cilin bënim pjesë edhe ne të drejtuar nga Bashkimi Sovjetik. Vlen të evidentojmë faktin se nga këto dokumente të paraqitira në këtë libër të cilat nuk janë botuar më parë deri në vitin 1961, nuk rezulton se qeveria e Shqipërisë të kishte shprehur ndonjë interes për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vetë botimi i këtij vëllimi në një moment të rëndësishëm historik që kulmon me 100 -vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona tregon edhe një herë rëndësinë që paraqesin këto marrëdhënie për elitën intelektuale të Shqipërisë për të cilën një meritë të padiskutueshme ka edhe studiuesi i mirënjohur z. Destani dhe “Centre For Albanian Studies in London” që ai drejton; Albanian Institute of National Affairs dhe faktorë të tjerë personalitetesh të nderuar dhe me kontribute të rëndësishme tej e këndej Atlantikut dhe në hapësirën Europiane që plotësojnë këtë rreth të gjerë dijetarësh brenda dhe jashtë Shqipërisë.
P.S: Sapo isha duke përfunduar këto rradhë për këtë risi kaq të bukur dokumentare që vjen për historiografinë shqiptare nga mediat mësova se Presidenti Clinton (1993-2001) paska mbëritur për vizitë në Tiranë i ftuar nga kryeministri Rama ku ai do të qëndrojë dy ditë për të shijuar mikëpritjen shqipare… Sigurisht Presidenti Bill Clinton është i nderuar në mbarë hapësirën shqipare dhe meriton të pritet si hero pa asnjë hezitim. Do të dëshiroja që duke përfituar nga rasti në emër të autorit dhe botuesve ti dhuroja me respekt në ndonjë nga takimet e zhvilluara për nder të tij një kopje të këtij libri të veçantë i cili mer një vlerë akoma më kuptimplote të dashurisë shqiptaro-amerikane për një prej farkëtuesve të saj, pikërisht Atij, Presidentit të 42 të Shteteve të Bashkuara, por kjo sot është e pamundur të realizohet pasi në rendin feudal të Tiranës vështirë të depërtohet nëse nuk ke një kontakt të afërt se numra telefoni kontakti institucional të detyrueshëm këto vështirë se mund të gjesh të afishuara në faqet e internetit të institucioneve tona demokratike të një pushteti që ndonëse thuhet se buron nga populli, i përket vetëm të parit… Në një shtet serioz kjo nuk ndodh! Është detyrë e Protokollit të Shtetit të gjejë njerëzit e duhur dhe jo të bëjë show siç ndodh rëndom në këtë shtet-teatral vetëm për përfitime personale. Nuk mund të privatizohet! Kështu dyert për atë pjesën gri mbeten të mbyllura edhe për projekte të tjera kombëtare po të përmendim këtu faktin që ne kemi gati për botim edhe dokumente të tjera të rëndësishme përfshirë edhe historikun e marrëdhënieve të Shqipërisë me OKB që natyrisht pasurojnë historinë e Shqipërisë por që falë kësaj Kleptocracy sunduese nuk dalin në dritë ndonëse agallarët e këtij pushteti u mburën një vit të tërë me faktin që kryesonin Këshillin e Sigurimit të OKB dhe në anën tjetër nuk hapën asnjë derë komunikimi ndërkulturor (sqaroj se jam marë personalisht vjet në këtë kohë pothuajse një muaj derisa u dorëzova me telefonata dhe ecejake sa në MPJ, në Ministrinë e Kulturës apo andej nga godina e qeverisë mos gjeja një kontakt që ti binte në vesh të madhit që të urdhëronte të botohej ky libër, madje i ofronim të bënte dhe parathënien po të dëshironte ai, apo ministrja e jashtme, pa llogaritur këtu edhe mundësinë që të hapte botimi i këtij libri si një suvenir që mund ti dhuronte për homologët e tij kur të shkonte të fliste në New York në selinë e OKB) për tu ofruar një buqetë të bukur historike partnerëve të tyre dhe vendeve mike të Shqipërisë për të cilët ata duhet të krenohen me atë që kanë bërë para ardhësit e tyre në momente të vështira për vendin e shqiponjave, për të cilin ne duhet t’u jemi përjetë mirënjohës.