Shqipëri: KLSH evidentoi 138 miliardë lekë dëm ekonomik gjatë vitit 2022

Tiranë, 5 korrik 2023 – Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka evidentuar një dëm ekonomik prej 138 miliardë lekësh, për shkak të keqmenaxhimit të fondeve publike apo shkeljeve ligjore të kryera nga administrata shtetërore dhe vendore gjatë vitit 2022. Dëmi më i lartë, prej 107 miliardë lekësh, është shkaktuar nga sektori i Tatime-Doganave.

Këto shifra u prezantuan të mërkurën nga kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë

Raporti i KLSH-së bazohej në 177 auditime të kryera në 205 subjekte, në të cilat janë gjetur shkelje dhe parregullsi e paligjshmëri të ndryshme me efekte negative në financat publike.

Nga auditimi i KLSH-së u konstatua; 1.5 miliardë lekë dëm ekonomik për parregullsi dhe shkelje financiare; 88.5 miliadë lekë për paligjshmëri ligjore me ndikim në performancë; 10.5 miliardë lekë dëm për mangësi në zbatimin e legjislacionit tatimor për qeverisjen lokale; 12.7 miliardë për shkeljet e disiplinës buxhetore në realizimin e investimeve; 18.3 miliardë lekë dëm në keqadministrim dhe mangësi në monitorim të qerasë 1 euro të tokave bujqësore dhe 107.5 miliardë lekë dëm për mangësi në aktivitetin kontrollues me ndikim në të ardhurat tatimore e doganore.

Në total janë gjetur 5 420 shkelje dhe janë dhënë mbi 5 mijë masa për përmirësimin e punës dhe efikasitetin e këtyre institucioneve.

KLSH ka gjetur gjithashtu shkelje në zbatimin e kontratave koncesionare dhe të kontratave të Partneritetit Publiko-Privat, të cilatt, sipas raportit, “rezulton se janë kryer pagesa për vitet e kaluara në vlerën prej 15 292,593 mijë lekë ose 2.5 % e shpenzimeve gjithsej për to, të cilat përbëjnë risk të shtuar për krijimin e detyrimeve të prapambetura”.

“Kemi evidentuar raste të përdorimit të fondeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet në fushën e prokurimit publik, shkelje të disiplinës buxhetore në programimin dhe realizimin e shpenzimeve publike me pasojë krijimin e detyrimeve të prapambetura, parregullsi dhe shkelje në administrimin e të ardhurave tatimore si dhe në keqadministrimin e pronës publike dhe mjedisit”, tha kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, në përmbledhjen e shkeljeve të gjetura,

Ai sugjeroi të rishikohet kuadri ligjor si edhe orientimi i ndërhyrjes së qeverisë në “raportin kosto-përfitim për çdo projekt me financim të buxhetit të shtetit”.

Shehu bëri të ditur se, në bazë të këtyre gjetjeve, KLSH ka referuar në organet kompetente 4 kallëzime penale pranë Prokurorive të rretheve gjyqësore për 16 zyrtarë të niveleve të ndryshme. Ai tha se në të paktën 7 raste vendimet e tij për trajtim tekniko-juridik për vlerësim të elementëve penalë janë referuar pranë organit të prokurorisë dhe më pas i janë dërguar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Relatorja e komisionit, Enslemvera Zake tha se numri i kallëzimeve penale ka rënë, krahasuar me një vit më parë, por Shehu tha se është në komunikim të vazhdueshëm me prokurorinë dhe se punohet në mënyrë paralele për konstatimet e shkeljeve të ligjit penal.

(r.m.)