ICE parashtron përparësitë në zbatimin e ligjit

Çështje të Emigracionit

Avokati Kieran Both

Nga Avokati Kieran Both

ICE (agjencia federale amerikane që merret me zbatimin e ligjeve të emigracionit dhe kontrollin e doganave) ka rikthyer në fuqi Udhëzimet për Zbatimin e Ligjit të Emigracionit Civil. Ato hynë në fuqi menjëherë. Me rivendosjen e këtyre përparësive, nëpunësit e ERO-s (një nga dy komponentët ekzekutiv të ICE-it që merret me operacionet e dëbimit nga SHBA-ja dhe ato të zbatimit të ligjeve të Emigracionit) do të vazhdojnë t’i japin përparësi kapjes dhe dëbimit të jo-nënshtetasve të cilët përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare, sigurinë publike ose sigurinë në kufirin e Shteteve të Bashkuara. Këtu përfshihen dhe marrja dhe shqyrtimi i të gjithë të kaluarës penale, i të dhënave administrative si dhe i të gjitha informacioneve hetimore që janë në dispozicion, përfshirë këtu dhe faktorët zbutës ose përkeqësues që do të kontribuojnë në marrjen e vendimeve në kuadrin e zbatimit të ligjit. 

OPLA (Zyra e Këshilltarit Kryesor Ligjor, një nga tre seksionet ndihmëse të ICE-it) riktheu gjithashtu në fuqi udhëzimet për avokatët e caktuar nga qeveria për të trajtuar procedurat përpara gjyqtarëve të imigracionit, EOIR-it (Zyra ekzekutive që merret me shqyrtimin e çështjeve të Emigracionit), për t’i udhëzuar ata se si të vënë në zbatim siç duhet përparësitë që ka Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) në zbatimin e ligjit, në rastet kur u duhet të ushtrojnë diskrecion prokurorial. OPLA thekson se diskrecioni nga ana e prokurorisë është një tipar i domosdoshëm i çdo sistemi ligjor që të funksionojë siç duhet. Ushtrimi i diskrecionit prokurorial, aty ku është e përshtatshme, mund të çojë në një përdorim më efikas të burimeve të kufizuara qeveritare, të bëjë që rezultatet për secilin rast të jenë të mira dhe të drejta si dhe të çojë përpara misionin e DHS-së për administrimin dhe zbatimin e ligjeve të emigracionit të Shteteve të Bashkuara në një mënyrë të zgjuar dhe të arsyeshme gjë kjo që promovon besimin nga ana e publikut. Deklarata e qeverisë thekson që avokatët e OPLA-s duhet të jenë të ndërgjegjshëm se “detyrimet për vënien në zbatim të ligjeve të emigracionit nuk konsistojnë vetëm në fillimin dhe kryerjen e procedurave të shpejta që çojnë në dëbim me çdo kusht. Përkundrazi, siç u tha, qeveria fiton atëherë kur vihet drejtësia.” Kështu pra, ata janë jo vetëm të autorizuar me ligj por prej tyre pritet që të ushtrojnë diskrecion prosekutorial gjatë të gjitha fazave të procesit të zbatimit të ligjit. 

Tre përparësitë janë përcaktuar si më poshtë: 

Përparësia A – Kërcënim i sigurisë kombëtare. Merr përparësi kapja dhe dëbimi i jo-nënshtetasit që është marrë ose dyshohet për spiunazh ose terrorizëm, ose aktivitet që lidhet me spiunazh dhe terrorizëm, ose që paraqet rrezik për sigurinë kombëtare. 

Përparësia B – Kërcënim i sigurisë publike. Një jonënshtetas që paraqet një kërcënim aktual për sigurinë publike, zakonisht për shkak të aktivitetit të rëndë kriminal, ka përparësi në kapje dhe dëbim nga vendi. Nëse një jo-nënshtetas përbën ose jo kërcënim aktual për sigurinë publike nuk duhet të përcaktohet bazuar në rregullat apo kategoritë që nuk lënë vend për interpretim. Përkundrazi, vlerësimi i një individi duhet bërë duke peshuar të gjitha faktet dhe rrethanat.

Përparësia C – Kërcënim i sigurisë në kufi. Një jo-nënshtetas që paraqet rrezik për sigurinë në kufi shihet me përparësi si subjekt për t’u kapur dhe dëbuar. Një jo-nënshtetas paraqet kërcënim për sigurinë në kufi nëse: (a) kapet në kufi ose në një pikë hyrjeje teksa tenton të futet në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara; ose (b) është kapur në Shtetet e Bashkuara pasi ka hyrë në mënyrë të paligjshme pas 1 nëntorit, 2020.

Në secilin nga rastet e sipërpërmendura, mund të ketë fakte, ose rrethana lehtësuese që mund të bëhen faktorë që të mos ndërmerren veprime përmbarimore. Personeli i ICE-it udhëzohet që të vlerësojë faktet dhe rrethanat në tërësi dhe të gjykojë vetë në përputhje me to. Avokatëve të OPLA-s u thuhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre si dhe përdorimin e burimeve të kufizuara siç e kërkon ligji dhe misioni i rëndësishëm që ka ICE për ruajtjen e sigurisë kombëtare, sigurisë publike si dhe sigurisë në kufi.

Përparësia C, ku përfshihet kategoria që ka të bëjë me sigurinë në kufi, gjen zbatim tek ata jo-nënshtetas që janë kapur në kufi ose në një pikë hyrjeje, pas datës 1 nëntor, 2020, ndërkohë që përpiqeshin të hynin fshehurazi ose në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara. Kjo kategori mund të prekë shumë individë që mund të jenë liruar nga paraburgimi gjatë muajve të fundit. DHS-ja e pranon se mund të ketë fakte dhe rrethana lehtësuese që mund të bëhen faktorë që të mos ndërmerren veprime përmbarimore kur bëhet fjalë për rastet e sigurisë në kufi. Për këtë qëllim, një numër faktorësh lehtësues mund të marrin rëndësi kur duhet vendosur nëse një jo-nënshtetas përbën ose jo kërcënim aktual për sigurinë në kufi.

Disa prej tyre mund të kenë të bëjnë me rastet kur personi që nuk ka nënshtetësi: është shtatzënë, ose sapo ka lindur ose është në fazën që i jep gji fëmijës; është banor i përhershëm i ligjshëm (LPR), në moshë të avancuar ose delikate; ka jetuar prej kohësh në Shtetet e Bashkuara; është në një gjendje fizike ose mendore që kërkon kujdes ose trajtim mjekësor; ka statusin e viktimës së një krimi ose viktimës, dëshmitarit ose është palë në një proces ligjor, që mund të ketë të bëjë me trafikimin e qenieve njerëzore si dhe shfrytëzimin në punë; dëbimi i tij ose i saj nga vendi mund të ndikojë tek familja që ka në Shtetet e Bashkuara, kjo p.sh. në formën e humbjes së personit që përkujdeset ose që mban familjen; mund të ketë të drejtë për mbrojtje humanitare ose lehtësi tjetër nga emigracioni (ku përfshihen dhe kërkesat përkatëse për falje); ka ofruar shërbim ushtarak ose shërbim tjetër publik ose familja e ngushtë e tij ose e saj kanë ofruar këtë lloj shërbimi.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]