Në Kosovë, nisin hetimet ndaj disa ndërmarrjeve për çmimin e vajit ushqimor

Prishtinë, 4 gusht 2023 – Autoriteti i Konkurrencës në Kosovë ka filluar hetimet ndaj disa ndërmarrjeve tregtare, të cilat vitin e kaluar e kishin rritur çmimin e vajit ushqimor. Në atë kohë një litër vaj kishe shkuar deri në 3.50 euro.

Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se vendimi për fillimin e hetimeve ndaj këtyre ndërmarrjeve është marrë në bazë të dyshimeve se ato i kanë formuar çmimet e vajit në mënyrë të kundërligjshme.

“Dyshimet janë se ndërmarrjet kanë shkelur nenin 5, paragrafi (1) nën paragrafi (1.1) të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës ashtu që në mënyrë të drejtpërdrejt ose tërthorazi kanë caktuar çmimet e shitblerjes ose çdo kusht tjetër tregtimi, për të vazhduar me paragrafin (1.2).

Me këtë veprim kanë kufizuar ose kontrolluar prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet, si dhe nenin 9, të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, paragrafi (2) nën paragrafi (2.1) në mënyrë të drejtpërdrejt ose tërthorazi kanë vendosur çmime të padrejtë të shitjes ose kushte tjera të padrejta tregtare, si dhe nën paragrafin (2.2) ndërmarrjet kanë kufizuar prodhimin, tregjet ose zhvillimin teknologjik në dëm të konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

Autoriteti i Konkurrencës kërkon nga ndërmarrjet që janë në procesin e hetimeve që në afat prej 30 ditëve të sjellin dokumentacionin që ka të bëjnë me shitjet e vajit ushqimor me çmim 3.49€ për litër, në muajin mars të vitit 2022.

Autoritetit njofton se fillimi i procedurës për hetimin e çrregullimit të konkurrencës ka për qëllim sqarimin e fakteve dhe vërtetimin e shkeljeve eventuale.

“AKRK do të marrë vendimin e saj meritor bazuar në faktet e vërtetuara të rastit dhe do të mbaj të informuar opinionin dhe qytetarët”, thuhet në njoftim.

Një vit më parë, përveç çmimit të naftës, i cili ishte ngritur në vazhdimësi, në Kosovë kishte pasur ngritje të madhe të çmimeve edhe të vajit , i cili së nga 1.60 euro sa ishte kohë më parë, çmimi ishte ngritur në 3.49 euro.

Për këtë kishte reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili në një konferencë për media kishte deklaruar se çmimi i vajit në Kosovë ishte më i larti në botë.

“Anembanë qytetarët po na njoftojnë se çmimet janë nga 3.49 euro, e jo 3.5 euro. 3 euro e 50 cent do të ishte e rastësishme, por 3.49 euro nuk është e rastësishme kjo përputhje e cila është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorit”, kishte thënë Kurti. 

Reagime të shumta për ngritjen e çmimeve janë bërë edhe nga qytetarët, të cilët kanë thënë se  çmimi i vajit në Kosovë është shumë më i lartë se në vendet e Evropës.

(r.m.)