Në Kosovë nis procesi i subvencionimit të investimeve të familjeve për efiçencë të energjisë

Prishtinë, 8 gusht 2023 – Sot në Kosovë ka filluar procesi i subvencionimit të investimeve të familjeve në termoizolimin e mureve të jashtme e të kulmeve dhe në ndërrimin e dritareve dhe dyerve të jashtme. Familjet do të përrfitojnë 45 për qind të vlerës së investimeve, deri në 5.500 euro.

Subvencionimi do të bëhet në kuadër të projektit “Zbatimi i masave të eficiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, me vlerë 10 milionë euro.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar se qytetarët do të subvencionohen rreth 45 për qind për investimet në efiçiencë të energjisë në shtëpitë e tyre.

“Qytetarët mund të aplikojnë për rinovim të shtëpisë që përfshin izolimin e shtëpisë, ndërrimin e dyerve dhe dritareve dhe izolimin e kulmit. Me prezantimin e këtyre masave qytetarëve do t’u sigurohet një ambient më i ngrohtë në dimër dhe më i freskët në verë. Ky investim do të ndikojë direkt për faturën e energjisë elektrike për familjet por edhe për nevojën për subvencione në rast të krizave që jemi përballur viteve të kaluara”, ka thënë ministria Rizvanolli.

Ajo ka shpjeguar se të gjitha familjet do të përfitojnë subvencion 45 për qind të vlerës së investimit, kurse investimet në shtëpitë që janë bashkëpronësi të dy bashkëshortëve apo vetëm  të gruas do të subvencionohen 50 për qind.

Anëtarja e Bordit të Fondit të Kosovës për Eficiencë të Energjisë, Nora Arifi, ka treguar se nga ky projekt që është mbështetur nga Bashkimi Europian, do të përfitojnë 2000 familje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky projekt është pjesë e masave për uljen e konsumit të energjisë gjë që ka benifite të shumëfishta.

“Përmes këtyre masave të reja, do të mund të përfitoni nga subvencionimi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme. Subvencioni do të mbulojë 45% të vlerës së investimit, deri në 5,500 euro”, ka thënë Kurti.

“Gjatë vitit të kaluar kemi subvencionuar 10,000 familje me 5 milionë euro për të blerë pajisje efiçiente për ngrohje. Këtë vit kemi trefishuar buxhetin për pajisje dhe me 20 milionë do të investojmë në eficiencë të shtëpive të banimit e ndërtesave shumë-banesore të destinuara për banim social”, ka thënë ai.

Ky projekt, i cili ka për qëllim mbështetjen e konsumatorëve familjarë për rritjen e eficiencës së energjisë në shtëpitë individuale, mbështetet nga Bashkimi Evropian, në kuadrin e Pakos së tretë Financiare të Instrumentit të Para Anëtarësimit (IPA II).

Projekti përfshin subvencionimin e kostos së masave për eficiencë të energjisë në shtëpi të banimit, sipas standardeve dhe kritereve të përcaktuara nga Fondi i Kosovës për Eficiencë të Energjisë.

(r.m.)