Tiranë, 14 gusht 2023 – Sektori i shërbimeve është përfshirë në zhvillime të vrullshme që nga viti 2019 dhe sidomos pas pandemisë, por kontributi i tij në të ardhurat buxhetore dhe në punësim ka mbetur i pandryshuar në pesë vitet e fundit.
Duke analizuar zhvillimet në buxhetin faktik të vitit 2022 Ministria e Financave raportoi se, sektori i shërbimeve kontribuoi me 32 % të totalit te të ardhurave buxhetore, duke u renditur i pari nga sektorët e tjetë, por pozicioni mbeti i pandryshuar ne 5 vite, ndonëse vendi po njeh flukse të larta të vizitorëve dy vitet e fundit.
Të ardhurat nga Administrata tatimore (përfshirë kontributet) rezultojnë 286.3 miliardë lekë nga 251.5 miliardë lekë të një viti më parë, me një rritje vjetore prej 13.8 % ose 34.8 miliardë lekë më shumë.
Nga të dhënat për 12-mujorin 2022, lidhur me kontributin e sektorëve të ekonomisë në totalin e të ardhurave nga administrata tatimore rezulton se peshën kryesore e zë sektori i “Shërbimit” përkatësisht me 32 %, sektori i “Tregtisë” përkatësisht 30 % dhe sektori i “Prodhimit” përkatësisht me 21 %.
Te dhënat, mbi shpërndarjen sektoriale të TVSh-së brenda vendit tregojnë se “Tregtia” përkatësisht me 30%, “Shërbimet” përkatësisht me 34 % dhe “Prodhimi” përkatësisht me 19 % kanë peshën kryesore në të ardhurat nga TVSH.
Ndërsa në vitin 2019 sektori i shërbimeve kontribuoi 35% të TVSH-së së brendshme ose 1 pikë % më shumë se në vitin 2022.
Sektori i shërbimeve dhe tregtisë kontribuuan me rreth 54% të totalit të të ardhurave tatimore në vitin 2022, një përqindje gati e njëjtë me vitin 2019.
Struktura e ekonomisë shqiptare nuk ka pësuar ndryshime të dukshme në dekadat e fundit, por pesha e sektorit të turizmit po shënon rritje të fortë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2022, ekonomia shqiptare xhiroi rreth 4,5 trilionë lekë. Hotelet dhe restorantet kontribuuan me 11.8% të xhiros totale në ekonomi, nga vetëm 2.3% në vitin 2021.
Të dhënat tregojnë se nga xhiro totale e ekonomisë vitin e kaluar 35.8% i takon sektorit të tregtisë, me ulje të peshës me 3.8 pikë për qind në krahasim me vitin 2021.
Industria realizoi 22.6% të totalit të të ardhurave, me një rritje vjetore 0.3% më 2022.
Sektori i ndërtimit, edhe pse u karakterizua nga zhvillime të vrullshme vitin e kaluar, kontribuoi në 9,1% të xhiros totale me një rënie -2.8 pikë % të peshës në krahasim me vitin 2021.
Bujqësia, edhe pse sektori më i madh në ekonomi, në vitin 2021 realizoi vetëm 0.5% të xhiros totale të ekonomisë shqiptare, me përkeqësim në raport me vitin 2021.
Kontributi i sektorëve në xhiron totale të ekonomisë tregon mungesën e lartë të produktivitetit në disa sektorë. P.sh., bujqësia si sektori më i madh në ekonomi nuk kontribuon as në 1% të punësimit me pagë dhe të xhiros totale.