Zbulim shumë i rëndësishëm në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës

Prishtinë, 14 gusht 2023 – Në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës, në pjesën jug-lindre të Prishtinës, është bërë një zbulim me rëndësi të jashtëzonkshme historike. Ekipi i arkeologëve që po bëjnë kërkime në këtë lokalitet ka zbuluar një mbishkrim dhe një kishë të periudhës antike.

This image has an empty alt attribute; its file name is Mbishkrimi-i-zbuluar-ne-lokalitetin-arkeologjik-te-Ulpianes.jpg

 

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka cilësuar si zbulime monumentale të historisë së qytetit Justiniana Secunda të Dardanisë antike.

“Një zbulim që formëson historinë, një dedikim i fuqishëm nga Perandori Justinian është zbuluar në Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana.

Ekipi i arkeologëve, në përbërje nga Christophe Goddard, Arben Hajdari e Milot Berisha, gjatë hulumtimeve shkencore, kanë zbuluar një mbishkrim monumental me rëndësi të jashtëzakonshme historike nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, një qytet në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s.) dhe i kishës së tij.

Mbishkrimi paraqet një dëshmi shumë të rrallë dhe dëshmon afërsinë e perandorit ndaj provincës së origjinës. Kisha paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm”, ka shkruar Çeku në Facebook.

This image has an empty alt attribute; its file name is Ekipi-i-arkeologeve-prane-mbishkrimit-te-zbuluar-ne-lokalitetin-arkeologjik-te-Ulpianes.jpg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e ka vizituar lokalitetin arkeologjik të Ulpianës menjëherë pas njoftimit të zbulimit, ka thënë se këto zbulime “paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme”.

This image has an empty alt attribute; its file name is Vjosa-Osmani-prane-mbishkrimit-te-zbuluar-ne-lokalitetin-arkeologjik-te-Ulpianes.jpg

“Ulpiana është një udhëtim nëpër kohë që zbulon thesaret e fshehura të së kaluarës sonë. Çdo gërmim zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë.

Nga Mbretëria e Dardanisë e deri te Perandori Justinian janë shekuj të trashëgimisë sonë të prekshme, e cila ndërlidhë të tashmen tonë me të kaluarën e largët.

Zbulimet e fundit në Ulpianë (Justiniana Secunda), paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme”, ka shkruar Presidentja Osmani në Facebook.

Të dielën, lokalitetin arkeologjik të Ulpianës e ka vizituar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier. Ai e ka cilësuar “lokacion të klasit botëror” lokacionin arekologjik të Ulpianës.

“Kisha privilegjin të vizitoja Parkun Arkeologjik të Ulpianës sot, ku një ekip mahnitës po shton faktet dhe po dokumenton trashëgiminë kulturore të Kosovës në këtë lokacion të klasit botëror”, ka shkruar ambasadori Hovenier. në rrjetin social X.

(r.m.)