Tiranë, 18 gusht 2023 – Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) e cila është angazhuar drejtpërdrejt në mbështetjen e qeverisë sa i takon burimeve të rinovueshme të energjisë publikoi këto ditë të dhënat mbi impiantin diellor lundrues që do të ndërtohet mbi liqenin e hidrocentralit të Vaut të Dejës.
BERZH bëri të ditur se tashmë edhe kontrata me kompaninë që do të japë mbështetjen teknike gjatë fazës së ndërtimit dhe komisionimit është nënshkruar dhe përfundon në tetor të vitit 2026. Fituese është kompania RINA Consulting me një ofertë 442 mijë euro.
Procedura e prokurimit e ndjekur nga BERZH kaloi në dy faza ku së pari shprehja e interesit dhe më pas ajo e ofertave.
“Projekti përfshin projektimin, furnizimin dhe instalimin e centralit me të gjitha pajisjet përkatëse, testimin, vënien në punë, fillimin dhe funksionimin dhe mirëmbajtjen e centralit për një periudhë të paktën dy vjeçare.
Qëllimi i kësaj detyre konsulence është të ofrojë shërbime konsulence për mbështetjen e mbikëqyrjes teknike gjatë ndërtimit dhe vënies në punë të centralit FV lundrues. Projekti parashikon mbështetje teknike gjatë periudhës së projektimit dhe ndërtimit prej 12 muajsh dhe Periudhës së Shërbimit të Operacionit prej 24 muajsh” thuhet në specifikimet e zbardhura vetëm pak ditë më parë.
Më herët në nëntor të vitit të shkuar kompania kompania SENA Solar Energy of Albania pjesë e KESH hapi procedurën për projektimin dhe ndërtimin e impiantit fotovolatik me kapacitet 12.9 MW/p dhe që po mbështetet financiarisht nga BERZH.
Në korrik të vitit 2020 KESH-it iu miratua një kredi nga BERZH në mbështetje të projektit të impiantit fotovoltaik Lundrues ku nga totali i kostot prej rreth 14 milionë euro, 9.75 milionë euro janë kredi nga ky institucion financiar ndërkombëtar.
Për KESH ky nuk është projekti i parë fotovoltaik që do të zbatohet edhe pse është i pari lundrues. Më herët ishte impianti Fotovoltaik i Qyrsaqit (Hec Vau i Dejës), me kapacitet të instaluar 5.135 MW/p, që filloi zyrtarisht prodhimin më 12 Maj 2022.